FC Ballkani reagon pas nisjes së hetimeve për kurdisje të ndeshjes

Futboll

FC Ballkani reagon pas nisjes së hetimeve për kurdisje të ndeshjes

Më: 31 mars 2024 Në ora: 01:17
Pamje nga një ndeshje

FC Ballkani ka reaguar zyrtarisht pas nisjes së hetimeve për ndeshjen e vitit të kaluar ndaj Dinamo Zagrebit, e cila po dyshohet se ka qenë e kurdisur.

Nga Prokuroria Themelore në Prishtinë u konfirmuar nisja e hetimeve rreth kësaj ndeshjeje, e cila ishte zhvilluar në tetor të vitit të kaluar në stadiumin “Fadil Vokrri”, dhe ishte fituar nga kampionët e Kosovës me rezultatin 2:0.

Klubi i Ballkanit, përmes një reagimi të lëshuar në faqen zyrtare të klubit, shprehi shqetësim për siç thuhet “tendencën për dëmtim të imazhit të FC Ballkanit”.

Sipas therandasve, “po tentothet gjithashtu që të hidhet pluhur ndaj një fitoreje të jashtëzakonshme dhe historike”.

Klubi ftoi të gjitha instancat e drejtësisë, Prokurorinë e Gjykatën, hetues e gazetarë, që të merren seriozisht me këtë çështje, duke sqaruar çdo detaj të mundshëm për opinionin publik.

Reagimi i plotë nga klubi i Ballkanit:

“Është shqetësuese tendenca për dëmtimin e imazhit të Fc Ballkanit nga disa lajme që sot po qarkullojnë nëpër media dhe rrjete sociale.

Jemi të indinjuar me atë se çfarë po tentohet të hidhet ndaj nesh, ndaj punës tonë shumë vjeçare, e cila në vete bartë sakrificën dhe mundin e të gjithë akterëve brenda klubit, që me djersë punuan pafundësisht, që të arrijmë nivelet ku e kemi ngritur futbollin tonë dhe atë shtetëror.

Po tentohet të hidhet pluhur ndaj një fitore të jashtëzakonshme e historike të arritur ndaj skuadrës së madhe, Dinamo Zagreb, ndeshje që pushtoi mediat evropiane e botërore për suksesin e madh të skuadrës sonë.

Ftojmë të gjitha instancat e drejtësisë, Prokurorinë e Gjykatën, hetues e gazetarë, që të merren seriozisht me këtë çështje, duke sqaruar çdo detaj të mundshëm për opinionin publik. Dhe kur kjo të bëhet, të japin përgjegjësi të gjithë të involvuarit në këtë histori sepse ne nuk mund të lejojmë të përlyhet emri i klubit tonë, puna e djersa jonë.

Ne jemi të hapur si gjithmonë për çdo kontribut ndihmese, e cila mund të jetë e nevojshme për organet kompetente, në mënyrë që gjithçka të zbardhet sa më parë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat