Kukësi hedh “sytë” nga vendet fqinje

Futboll

Kukësi hedh “sytë” nga vendet fqinje

Më: 28 maj 2024 Në ora: 19:04
Kukësi

Rënia nga Kategoria Superiore pas 12 vitesh, ka imponuar një situatë të nderë te Kukësi, ku shpresohej që të paktën edhe këtë vit të ishin pjesë e elitës. Kjo gjë ka bërë që në klub, fill pas mbylljes së sezonit dhe humbjes së Kupës, të pllakosë heshtja.

Edhe pse fillimisht u mendua që verilindorët do të ruanin boshtin e skuadrës së sezonit të fundit, largimi i kapitenit Anxhelo Tafas në njëfarë mënyre ishte tregues se nuk do të ishte e lehtë të ruhej grupi. Kjo gjë detyron skuadrën që të ribëhet sërish nga e para.

Nëse do të synohet ngjitja e menjëhershme në elitë, atëherë edhe nevoja për përforcime është e madhe.

Në lidhje me këto të fundit, mësohet se sytë e drejtuesve kuksianë për të bërë afrime janë hedhur nga tregu rajonal, kryesisht ai i Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Edhe në të kaluarën lojtarë nga fqinjët kanë zënë një vend jo të vogël në klub, edhe pse shumë pak kanë spikatur gjatë kësaj periudhe.

Tregu kosovar dhe ai maqedonas rezulton si më me pak kosto dhe për më tepër që mund të përshtaten shpejt më futbollin shqiptar, edhe për faktin se kanë pak a shumë të njëjtën kulturë futbollistike.

Megjithatë, deri kur të nisë puna me merkaton, ka ende kohë përpara dhe ngjarjet mund të marrin një tjetër rrjedhë. Ajo që dihet, është se Kukësi për të qenë konkurrues për t’u ringritur, i duhet patjetër një merkato e fuqishme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat