Euro 2024 nxjerr zbuluar dështimin e piramidës së futbollit në Shqipëri, më të përfaqësuara janë akademitë e Kosovës

Futboll

Euro 2024 nxjerr zbuluar dështimin e piramidës së futbollit në Shqipëri, më të përfaqësuara janë akademitë e Kosovës

Më: 28 maj 2024 Në ora: 20:37
Shqipëria

Piramida mbi të cilën është ndërtuar futbolli shqiptar ka dështuar dhe këtë tashmë e nxjerr zbuluar lista e trajnerit Silvinjo për Euro 2024.

Pavarësisht trumbetimit për rritje të numrit të pjesëmarrësve në futbollin e moshave, shtimin e akademive apo edhe dhënien e fuqive futbollit amator mbi vendimmarrjen në vend, prodhimi final i tij është thuajse inekzistent, siç e tregon përzgjedhja e trajnerit brazilian për Europianin që nis pas rreth dy javësh.

Tekniku jo vetëm që nuk ka zgjedhur asnjë futbollist nga Superiorja, por pak nga pak ka shkëputur lidhjet edhe me ata lojtarë të cilët janë krijuar në futbollin e bazës në vendin tonë, duke dalë nga akademitë shqiptare para se të bënin emër në futbollin europian.

Kështu, në hulumtimin e “Panorama Sport” rezulton se në listën me 27 futbollistë, vetëm 3 prej tyre kanë dalë nga sistemi zinxhir i futbollit në vendin tonë dhe njëri as nuk do të jetë i pranishëm në Europian.

Elhan Kastrati te Teuta, Simon Simoni te Shënkolli dhe Ernest Muçi te Tirana janë të vetmit që kanë marrë edukimin futbollistik në vendin tonë para se të largoheshin nga Shqipëria për të vazhduar karrierën e tyre jashtë. Një nga dy portierët, pritet të hiqet nga lista përfundimtare  duke çuar në 2 numrin e përfaqësuesve të piramidës së futbollit të Shqipërisë në Europian.

Elseid Hysaj vetëm e ka nisur nga KF Shkodra, por ka ikur shumë i vogël në Itali, ndërsa të tjerët që kanë provuar kampionatin shqiptar kanë ardhur këtu “të gatshëm” nga akademitë në vendet e tyre të lindjes si Ramadani, Asani, Daku dhe Seferi. Kësisoj, me largimin e një prej portierëve, piramida e futbollit shqiptar do të përfaqësohet në Euro 2024 me po aq lojtarë sa ajo e Maqedonisë së Veriut, e kaluar ndjeshëm nga Kosova që ka formuar 5 lojtarë në radhët e kuqezinjve, apo Zvicra me 6.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat