Fillimi i mbarë është gjysma e punës dhe kuqezinjtë e menaxhuan si duhet duelin e parë të sezonit garues 2024/2025 në elitën e futbollit maqedonas, duke fituar me shifrat 3:1 takimin hapës me Besën e Dobërdollit në Gostivar.
Ademi me dy gola (11’ dhe 22’) dhe një penalti e Ibraimit (62’) mjaftuan për tre pikë, duke bërë të pavlefshëm realizimin e Selmanit nga penaltia (35’).
Fitore e madhe e Shkëndijes së Tetovës.
“Normalisht se jam i kënaqur, më gëzon fitorja dhe më gëzojnë tre pikët. Ndeshjet e para gjithmonë janë të komplikuara, veçanërisht kur luan me skuadra debutuese në Ligën e Parë. Ka shumë pikëpyetje në lojën e tyre, në formacionin e tyre dhe në gjithçka.
Në përgjithësi jam i kënaqur, me disa vërejtje sa i përket tolerimeve në disa situata kur kemi dy gola avantazh”, tha kryetrajneri i Shkëndijes, Jeton Beqiri.
“Besoj se po, për shkak se edhe në rezultat 2:0 edhe në 3:1 besoj se duhet ta mbyllim ndeshjen nga ato situata të pastërta. Ajo që më gëzon është krijimi i shumë rasteve për gol dhe më sh qetëson se në disa momente japim hapësira për kundërshtarin dhe tolerojmë të na rrezikojnë në portë.
Ekipi akoma nuk është i kompletuar, kemi futbollistë të cilët na mungojnë dhe presim të na bashkangjiten për të bërë grupin e plotë. Normal edhe forma e lojtarëve do të vijë duke u ngritur dhe besoj se do të krijojmë skuadër të fuqishme në këtë kampionat”, tha më tej.
Ambienti?
“Ishte gjithçka shumë korrekte. Ambienti shumë korrekt, ekipi kundërshtar gjithashtu dhe unë ju uroj sinqerisht një kampionat sa më të suksesshëm. Besoj se vetëm me kështu ambiente ngritet niveli i futbollit në Maqedoni”, ka përfunduar Beqiri.