Historia tronditëse e 8 majit të vitit 1991, ku veç edhe nisi shembja e një shtetit artificial, siç një farë ish Jugosllavia!
U luajt finalja e fundit e futbollit në një shtet artificial, që vdiq në fund të qershorit të vitit 1991.
Ardian Kozniku, legjenda e futbollit e Kosovës, luante për Hajdukun e Splitit dhe titullar.
Tregoi vendosmëri ashtu si e ka traditë shqiptari.
Kozniku me bashkëlojtarë injoroi himnin famëkeq ish jugosllav.
I vetmi futbollist ishte Mili Haxhiabdiç, për çudi e vuri dorën në zemër duke respektuar një himn famëkeq të një shtetit artificial.
Kjo i kushtoi shtrenjtë sepse presidenti i Kroacisë, Franjo Tugjman e përzuri nga skuadra e Hajdukut.
“Varrosi vajzën, pastaj me Hajdukun fitoi Kupën në Beograd: “Tugjmani më dëboi për shkak të ‘Hej Slaveni’”, është titulli i mediumit kroat Veçernj List”.
“Në atë ndeshje isha lojtari i vetëm në fushë që gjatë intonimit të himnit ish jugosllav “Hej, Slaveni”, vendosa dorën në zemër.
Asnjë lojtar tjetër i Hajdukut apo i Cërvena Zvezdës nuk e bëri këtë.
Pastaj erdhi urdhri nga presidenti kroat, Tugjman, që unë të largohem nga Hajduku”, tha Haxhiabdiç.
Në këtë ditë, para 35 vitesh, më 8 maj të vitit 1991, Hajduku me fitore ndaj Cërvena Zvezdës në Beograd me rezultat 1:0 (gol i Bokshiqit), fitoi trofeun e fundit në ish Jugosllavi, Kupën e “Marshall Titos’. Ishte kupa e fundit ku garuan klubet nga të gjitha republikat dhe krahinat e ish-shtetit, prandaj ka peshë dhe rëndësi të veçantë për klubin nga Spliti.
Atë ditë në stadiumin e Partizanit në Beograd, Hajduku kishte trembëdhjetë heronj, ndërsa Mili Haxhiabdiç, i cili gjashtë ditë para finales përjetoi tragjedinë më të madhe të jetës, në një aksident trafiku humbi jetën vajza e tij 10-muajshe, Romana.
Haxhiabdiç, sot 62-vjeçar, tepër i sjellshëm dhe bashkëbisedues i ngrohtë, jeton në qytetin Hilden, afër Dyseldorfit. Ai pranoi me dëshirë të flasë, sado e rëndë të ishte tema, por siç thotë vetë: “Më pëlqen të flas për këtë, vetëm që gjithçka të dalë nga brenda meje...”, ka shkruar media kroate.
“ Jam marrë me lloj-lloj punësh gjatë tri dekadave të fundit, në kompani të ndryshme, ndërsa tani merrem pak me menaxhim futbolli. Kurrë nuk kam qenë trajner, atë punë e bëri vëllai im, legjenda e Velezhit, Xhemal Haxhiabdiç, i cili jeton në Blagaj afër Mostarit.
Është 72 vjeç. Atje jetojnë ish-futbollistë si Bajeviq, Mariq, vëllai im… një elitë e dikurshme”, – nisi rrëfimin Haxhiabdiç, i cili nga shkurti 1990 deri në maj 1991 zhvilloi 77 ndeshje për Hajdukun dhe shënoi tre gola.
Për shkak të rrethanave, Hajduku ishte klubi i fundit në karrierën e tij. Thotë se ka emocione për Hajdukun, edhe pse marrëdhënia e tyre nuk ka qenë gjithmonë ideale.
“Në shtator të vitit 1990 kisha ofertë nga Sëansea City dhe shkova atje në provë bashkë me Drago Setinovin. Në ndeshjen testuese bindëm.
Por më pas gjithçka ndryshoi në Hajduk, erdhën njerëz të rinj në krye të klubit, bashkë me Buljanin dhe Rozhiçin. Unë kisha klauzolë fikse prej 60 mijë markash gjermane, por Buljani kërkoi 250 mijë marka dhe për shkak të kësaj dështoi transferimi”, kujton Haxhiabdiç.
Në finalen e Kupës së vitit 1991 luajtët ndeshjen e fundit për Hajdukun?
“Në atë ndeshje isha lojtari i vetëm në fushë që gjatë intonimit të himnit ish jugosllav “Hej, Slaveni” vendosa dorën në zemër. Asnjë lojtar tjetër i Hajdukut apo i Cërvena Zvezdës nuk e bëri këtë.
Pastaj erdhi urdhri nga presidenti kroat, Tugjman, që unë të largohem nga Hajduku.
Këtë e di me siguri, është e vërtetë e gjallë! E luajta atë finale dhe pas saj u largova nga skuadra.
Më thirri për bisedë i ndjeri Stanko Poklepoviq, ku ishin edhe Kataliniq dhe i ndjeri Mijaç, dhe më tha: “Më fal, Mili, ti je njeri i mirë, je lojtar i shkëlqyer, më vjen keq, por duhet të largohesh nga Hajduku.” Pastaj i thirra trajnerët dhe drejtuesit në zhveshtore dhe para lojtarëve, me sytë plot lot, mbajta një fjalim emocional. Për mua ishte jashtëzakonisht e vështirë, sepse gjithçka ma bënë pas shpine.
Pas kësaj shkova në Gjermani. Lufta kishte filluar, gjithçka ishte shkatërruar. Njeriu në ato momente mendon vetëm si ta mbijetojë jetën dhe ta mbajë familjen. Futbolli mbeti anash. Më pas luajta vetëm në ligat amatore në Gjermani’, tha ai.
Si e përjetuat humbjen e vajzës?
“Kjo është plagë që nuk shërohet kurrë. Romana ishte vetëm 10 muajshe.
Nuk ka dhimbje më të madhe për një prind. Por jeta vazhdon, duhet të ecësh përpara. Njeriu mësohet të jetojë me dhimbjen”, tha ish futbollisti.
“Ata e kishin shkarkuar trajnerin Skoblar menjëherë pas ndeshjes në Beograd. Unë kam teorinë time për këtë.
Edhe sot mendoj se Hajduku është dashur ta humbte atë ndeshje ndaj Cërvena Zvezdës.
E dini pse? Edhe po të humbnim, si finalistë të Kupës do të kualifikoheshim në Evropë dhe do të na hiqej një vit i pezullimit evropian.
Ndoshta për këtë arsye Skobllarit i ishte thënë të mos i aktivizonte disa lojtarë; për shembull, unë nuk isha fare në plan të luaja.
Skobllari erdhi në varrimin e vajzës sime në Mostar dhe më tha: “Mili, sot është e shtunë, ke të dielën të mendohesh, më duhesh në finalen e Kupës, më duhet karakteri yt, guximi yt, me ty nuk do ta humbim ndeshjen”.
Ato ishin fjalë të mëdha për mua! Kështu që të hënën në ora 6 të mëngjesit u nisa nga Mostari dhe në ora 9 isha në stërvitje në Split. Të mërkurën luajta në finale”. kujton Haxhiabdiç dhe shpjegon:
“Hajduku atëherë duhej t’i paguante çdo lojtari shpërblime të mëdha për fitimin e Kupës. Unë i luajta pesë ndeshje, përfshirë finalen, dhe më paguan gjithçka, rreth 8-9 mijë marka gjermane. Në atë kohë ishte shumë para – një veturë “Zastava” mund ta blije për 8000 marka.
E po të humbnim, nuk do të kishte as shpërblime. Prandaj mendoj se drejtuesit të Hajdukut nuk i interesonte që Hajduku ta fitonte Kupën! Vetëm kjo mund ta shpjegojë shkarkimin e Skobllarit. Cili klub do ta shkarkonte trajnerin që fitoi Kupën, dhe atë një Kupë kaq të rëndësishme! Gjendje lufte, e ti fiton Kupën në mes të Beogradit! Nuk ka logjikë tjetër, përveç parave.
Por dijeni diçka, tek unë edhe sot kam dashuri për Hajdukun, ashtu si edhe për Velezhin tim!”.
Momenti më i vështirë në jetën e Mili Haxhiabdiç, tragjedia që shënoi jetën e tij dhe të bashkëshortes Selvire.
“Vajza ime Romana vdiq kur ishte dhjetë muajshe. Pas saj, unë dhe bashkëshortja morëm një djalë, të cilit ia vumë emrin Romano, dhe kemi edhe vajzën Iman Amina. Bashkëshortja ime ato ditë, rreth 1 majit, ishte me nënën dhe vëllanë në Çaplinë, sepse ata janë me prejardhje nga Vishiqi.
Po ktheheshin me veturë nga Çaplina, voziste vëllai i saj, ishte mot me shi, dhe te vendi Buna, te e ashtuquajtura “kthesa e vdekjes”, ku kishin humbur jetën shumë njerëz, nga drejtimi i Mostarit erdhi me shpejtësi 120-140 kilometra në orë një fqinj yni nga Mostari, me bashkëshorten shtatzënë në veturë.
Duke kaluar autobusin, ai goditi frontalish me Volvon e tij Ladën tonë.
Ai njeri nuk pësoi, as gruaja e tij, falë Zotit, por ai ishte fajtori i vetëm për vdekjen e vajzës sime, dhe asnjë ditë nuk kaloi në burg.
Ta dini, po të kishte goditur autobusin, ai autobus plot udhëtarë do të përfundonte në humnerë!
Sinqerisht, isha aq i zemëruar sa doja ta vrisja! Lajmi për aksidentin më gjeti në Stobreç, ku isha me Setinovin duke ngrënë mish qengji. Të afërmit më telefonuan, as vetë nuk e di si, por nuk donin të më thoshin saktësisht çfarë kishte ndodhur; më thanë: “Mili, ka ndodhur një aksident, do të ishte mirë të vije.
”E kuptova menjëherë se diçka e tmerrshme kishte ndodhur. Hipa në veturë dhe u nisa për Mostar, e pasi ishte 1 maji, kisha pirë një raki dhe një birrë. Kur e kujtoj tani, edhe unë mund të kisha vdekur në Imotski, një kamion ma kishte bllokuar rrugën, ndërsa unë vozisja 160 km në orë! Me zor shpëtova gjallë.
Bashkëshortja ime ishte lënduar në atë aksident, kishte goditur kokën dhe përfundoi në spital. Të shtunën e varrosa vajzën, ndërsa gruaja ime as nuk e dinte se fëmija ynë kishte vdekur. Zoti mos ia dhëntë askujt një tragjedi të tillë!”, ka treguar për tragjedi.
Si gjetët forcë të luanit ndeshjen në Beograd vetëm katër ditë pas varrimit të fëmijës?
“Ishte shumë e vështirë, sepse jo vetëm që humba fëmijën, por ato ditë gjithçka ishte kundër futbollit. Por njeriu merr një inat të brendshëm, një ngarkesë emocionale, nuk di si ta përshkruaj. Kur fillon ndeshja, të pushton adrenalina dhe harron gjithçka. Rrethanat ishin të rënda, duhej dhe doje me çdo kusht të fitoje, ndërsa shihje se nuk kishte tifozë tanët.
E gjithë kjo ndikoi tek ne që të “derdhnim gjak” në fushë për atë fitore. Dhe ne e mundëm skuadrën më të fortë të Evropës!”, tha ai,
Ndeshja me Cërvena Zvezdën ishte në prag incidenti?
“Unë në fushë e i lutesha gjyqtarit Adem Fazllagiq, me të cilin isha mik dhe të cilit pas ndeshjes ia dhurova fanellën time, që ta përjashtonte nga loja Sinisha Mihajlloviqin! Edhe atë, edhe Shtimacin! Sepse ajo që ata i thoshin njëri - tjetrit në fushë ishte e tmerrshme! Sidomos Mihajlloviqi, që dukej sikur donte ta vriste Shtimacin”, - përfundoi rrëfimin e tij emocional Haxhiabdiç.
Për Hajdukun më 8 maj 1991 në Beograd kundër Cërvena Zvezdës luajtën: Mihaçiq, Haxhiabdiç, Kovaç (nga minuta e 72-të Osibov), Shtimac, Setinov, Biliç, Ardian Kozniku (nga minuta e 78-të Jeliçiq), Mishe, Bokshiq, Vuçeviq dhe Jarni.