Mourinho trajneri i ri i Realit?

Futboll

Mourinho trajneri i ri i Realit?

Më: 12 maj 2026 Në ora: 16:36
Jose Mourinh

Jose Mourinho është në negociatat finale për t’u bërë trajneri i ardhshëm i Real Madridit, 13 vite pas aventurës së tij të parë në “Bernabéu”.

63-vjeçari konsiderohet favorit absolut dhe aktualisht është kandidati i vetëm me të cilin klubi madrilen po zhvillon bisedime.

Ai pritet të zëvendësojë trajnerin aktual Alvaro Arbeloa, i cili mori drejtimin e skuadrës vetëm në janar pas largimit të Xabi Alonsos.

Presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, thuhet se e konsideroi rikthimin e Mourinhos vetëm dy ditë pas largimit të Alonsos, gjatë kontakteve fillestare me përfaqësuesit e trajnerit portugez.

Mourinho aktualisht drejton Benfican, ku u transferua në shtator me një kontratë dyvjeçare. Vetëm dje ai deklaroi se nuk dëshironte të fliste ende për të ardhmen e tij.

“Ka një ndeshje ndaj Estoril dhe, duke filluar nga e hëna, do të jem në gjendje t’u përgjigjem pyetjeve për të ardhmen time si trajner dhe për të ardhmen e Benficas”, u shpreh ai.

Ndeshja e së shtunës ndaj Estoril Praia do të jetë e fundit e sezonit për Benfican.

Mourinho drejtoi Real Madridin nga viti 2010 deri në 2013, periudhë gjatë së cilës fitoi La Ligan, Kupën e Mbretit dhe Superkupën e Spanjës..

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat