Presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentiis, duket se ka përzgjedhur Vincenzo Italianon si trajnerin e ri të skuadrës për të zëvendësuar të larguarin Antonio Conte.
Interesimi i kreut të klubit napolitan daton që nga janari i vitit 2021, kur Italiano drejtonte skuadrën e Spezias dhe arriti të fitonte një ndeshje kampionati në stadiumin “Maradona”. Loja e aplikuar nga tekniku në atë periudhë bëri që De Laurentiis të zbriste personalisht në dhomat e zhveshjes për t’i shprehur vlerësimet e tij dhe për t’i premtuar një emërim të ardhshëm në stolin e kaltër.
Karriera e mëvonshme e Italianos në drejtimin e Fiorentinës dhe së fundmi të Bolognas ka përforcuar bindjen e kreut të klubit për cilësitë e tij teknike. Rezultatet e arritura dhe mentaliteti sulmues i treguar ndër vite e kanë kthyer atë në profilin ideal për të marrë projektin e ri sportiv.
Tashmë, drejtuesit e Napolit duket se kanë ndarë mendjen për t’ia besuar pankinën këtij tekniku në prag të sezonit të 100 vjetorit të klubit. Ky emërim pritet të zyrtarizohet sapo të mbyllen detajet e fundit të kontratës mes palëve.