Legjenda e trajnerllëkut Fabio Capello ka zbuluar pse e “detyroi” Ronaldo Nazárion të largohej nga Real Madridi, pavarësisht se e konsideron lojtarin më të mirë me të cilin ka punuar ndonjëherë.
Braziliani, i njohur me nofkën “Fenomeni”, shkëlqeu fillimisht tek Interi dhe më pas vazhdoi të impresiononte edhe në “Bernabéu”.
Megjithatë, Capello, i njohur për disiplinën e tij të rreptë, nuk mund të toleronte sjelljen e sulmuesit jashtë fushës.
“Pa asnjë dyshim, Ronaldo është lojtari më i mirë me të cilin kam punuar ndonjëherë. Është e vërtetë që nuk i pëlqente të sakrifikohej apo të stërvitej, por kishte cilësi që nuk i kam parë te asnjë lojtar tjetër. Ishte vërtet unik,” tha Capello gjatë aktivitetit “Milano Football Week”.
Megjithatë, ai vendosi ta largonte nga skuadra dhe, pa dashje, ndihmoi në transferimin e tij te Milani.
“Ronaldos i pëlqente festa. Mund t’ia ndjeje erën e alkoolit në dhomat e zhveshjes pas netëve të tij jashtë dhe shpesh merrte me vete edhe disa nga bashkëlojtarët”, tha Capello.
“Unë e detyrova të largohej”, shtoi ai.
Capello më pas tregoi se kishte folur me ish-presidentin e Milanit, Silvio Berlusconi.
“I thashë Berlusconit se do ta dërgonim Ronaldon në Arabinë Saudite. Ai më pyeti si sillej lojtari dhe unë iu përgjigja se i pëlqente të argëtohej dhe të bënte festa. Të nesërmen lexova në gazetë se Ronaldo po transferohej te Milani”, tha Capello tutje.
Transferimi ndodhi në janar të vitit 2007, duke e rikthyer Ronaldon në stadiumin “San Siro”, por këtë herë në anën ku luante Milani, pasi kishte lënë Interin në vitin 2002.
Gjatë periudhës së tij te Milani, Ronaldo zhvilloi 20 ndeshje zyrtare, duke shënuar nëntë gola dhe duke dhuruar pesë asistime.
Pas aventurës në Itali, ai u rikthye në Brazil te Corinthians, ku luajti deri në pensionimin e tij në shkurt të vitit 2011.