Barcelona po synon transferimin e Federico Dimarcos për sezonin e ardhshëm, raportojnë mediat në Spanjë, pas fitimit të çmimit “Lojtari i Sezonit” në Serie A dhe vonesave në rinovimin e kontratës së tij me Interin.
28-vjeçari, reprezentues i Italisë, riktheu konsistencën e tij sezonin e kaluar nën drejtimin e trajnerit të ri Cristian Chivu, duke kontribuar me tetë gola dhe 18 asistime në 47 ndeshje në të gjitha garat.
Kjo i mjaftoi atij për të fituar këtë javë çmimin “Lojtari i Sezonit” në Serie A, duke konfirmuar edhe një herë statusin e tij si një prej lojtarëve kryesorë të skuadrës.
Sipas gazetës spanjolle “Sport”, Barcelona e ka vendosur Dimarcon në listën e dëshirave dhe ai mund të jetë i hapur ndaj një transferimi të mundshëm verën e ardhshme.
Është e vërtetë se kontrata e tij aktuale me Interin skadon në qershor të vitit 2027, por në të është përfshirë tashmë një opsion për zgjatjen e saj edhe për një vit.
Ai është gjithashtu një tifoz i përjetshëm i “Nerazzurrëve”, ndaj do të duhej diçka spektakolare për ta bindur të largohej nga “San Siro”.
“Jam i lumtur që lidhem me këto klube të mëdha, por ju e dini historinë time me Interin, unë jam rritur këtu”, i tha Dimarco “Sky Sport Italia”.
“Sa i përket rinovimit të kontratës, ende nuk kemi folur për të.
Shpresoja që kjo të ndodhte, duke parë mënyrën se si përfundoi sezoni i kaluar, por do të ketë kohë për të folur së shpejti”, shtoi ai.
Barcelona kishte bërë tashmë tentativa këtë verë për dy yje të Interit, Lautaro Martinezin dhe Alessandro Bastonin, kështu që duket qartë se katalanasit po e ndjekin nga afër skuadrën zikaltër dhe zhvillimin e lojtarëve të saj.