Klubi i Kastriotit ka bërë një surprizë të mirëfilltë në ndeshjen e javës së parë të Kategorisë së Parë, teksa ka barazuar me shifrat 2-2 përballë Burrelit në transfertë.
Ky rezultat quhet surprizë, pasi Kastrioti luajti me një ekip tërësisht të cunguar, për shkak se kishte vetëm 15 futbollistë në dispozicion dhe asnjë nga ata që ishin në stol, nuk ishte portier.
Arsyeja është se Kastrioti vazhdon të ketë merkaton e bllokuar nga FIFA për shkak të mospagesës së detyrimeve ndaj ish-lojtarëve apo palëve të treta për transferimin e tyre. Megjithatë, duket se krutanët po bëjnë një hap drejt zgjidhjes së këtij problemi që ka lënë në pritje të gjitha afrimet e tyre të verës.
Kastrioti kishte 3 çështje në FIFA që sollën bllokimin e merkatos, por tashmë ka shlyer detyrimet dhe ka mbyllur një prej tyre, ndërsa pritet që të bëjë edhe pagesat e tjera në ditët në vijim. Megjithatë, mbetet të mësohet se si do të mund të bëjnë regjistrimin e futbollistëve të rinj, meqë afatet zyrtare të merkatos kanë përfunduar.