Ylli francez i futbollit, Kylian Mbappe, i ka dhënë fund bashkëpunimit 20-vjeçar me kompaninë e njohur të veshjeve sportive Nike.
Sulmuesi francez njoftoi të premten përmes një postimi në Instagram se ka nisur një kapitull të ri në karrierën e tij, duke iu bashkuar kompanisë zvicerane On, e cila po zgjeron aktivitetin e saj edhe në futboll.
“Unë ende ëndërroj të luaj futboll. E kam ndjekur këtë ëndërr për aq kohë sa mbaj mend. Edhe një herë, kjo ëndërr më ka çuar drejt një prej ndryshimeve më të mëdha në jetën time. Tani jam i rrethuar nga inovatorë që ëndërrojnë të njëjtat gjëra si unë. Dream On”, shkroi Mbappe.
27-vjeçari kishte nënshkruar me Nike që në moshën tetëvjeçare, në vitin 2006, dhe gjatë gjithë kësaj periudhe ishte shndërruar në një prej figurave kryesore të kompanisë në futboll.
On ka bërë të ditur se Mbappe do të jetë në qendër të strategjisë së saj për futbollin, duke e emëruar atë ambasador global.
“Mbappe do të jetë në zemër të rrugëtimit të On në futboll, duke bashkuar një prej lojtarëve më të rëndësishëm të futbollit me një prej markave më inovative të veshjeve sportive”, thuhet në njoftimin e kompanisë.
Për këtë bashkëpunim të ri ka folur edhe vetë Mbappe.
“Që nga fillimi, ajo që më tërhoqi te On ishte mundësia për të ndërtuar së bashku diçka krejtësisht të re, që do të ndihmojë në formësimin e së ardhmes së futbollit. Dua të sjell përvojën dhe këndvështrimin tim në atë që do të krijojmë, të shtyjmë kufijtë e inovacionit dhe të qëndrojmë gjithmonë besnikë ndaj gëzimit të futbollit. Kemi një ëndërr të përbashkët dhe ky është vetëm fillimi”, deklaroi francezi.
Mbappe është kampion bote me Francën, dy herë fitues i Këpucës së Artë të Kupës së Botës dhe pesë herë është shpallur Lojtari i Vitit në ‘Ligue 1’.