Mesfushori shqiptar i Zvicrës ka folur për krenarinë e familjes së tij dhe emocionet e veçanta që përjetoi në Shkup. Ai ka komentuar edhe krahasimet me Granit Xhakën, ndërsa trajneri Murat Yakin ka vlerësuar paraqitjen e tij.
Ardon Jashari ka përjetuar një mbrëmje të veçantë në Shkup. Mesfushori shqiptar, i cili përfaqëson Zvicrën, pati mundësinë të luante kundër Maqedonisë së Veriut, vendit ku ka rrënjët familjare.
Pas fitores 3:0 të Zvicrës, Jashari ka folur për SRF-në zvicerane, duke zbuluar emocionet që përjetoi ai dhe familja e tij.
"Familja ime është sigurisht krenare që fituam dhe që patën mundësinë të më shihnin duke luajtur drejtpërdrejt në vendlindjen e tyre. Është një ëndërr për mua dhe për ta që pata mundësinë të luaja në Shkup, aty ku i kam rrënjët", deklaroi Jashari, sipas citimit të publikuar nga Blick.
Ai ka folur edhe për përgjegjësinë që mori në mesfushën e Zvicrës në mungesë të kapitenit Granit Xhaka.
"Jam përpjekur thjesht t'i shfaq cilësitë e mia në fushë dhe ta ndihmoj skuadrën, jo ta zëvendësoj Granitin. Megjithatë, jam krenar që krahasohem me futbollistin tonë rekordmen. Por ne kemi stile krejtësisht të ndryshme loje", u shpreh ai.
Jashari theksoi se për të, mbi të gjitha, ka rëndësi besimi që merr nga bashkëlojtarët.
"Për mua është e rëndësishme që skuadra të ketë besim tek unë", shtoi mesfushori shqiptar.
Paraqitja e tij mori vlerësime edhe nga përzgjedhësi i Zvicrës, Murat Yakin.
"Ardoni zhvilloi një paraqitje shumë të mirë. Ai e ka theksuar disa herë se i pëlqen të luajë përkrah Granitit. Shpresojmë që kjo të ndodhë edhe më shpesh", deklaroi Yakin.
Trajneri zviceran theksoi se mungesat në skuadër u krijojnë mundësi edhe futbollistëve të tjerë për të dëshmuar aftësitë e tyre.
Për Jasharin, kjo ndeshje ishte më shumë se një paraqitje e suksesshme me përfaqësuesen zvicerane: ishte mundësia për të luajtur para familjes së tij, në vendin ku ka rrënjët.
Burimi: SRF, cituar nga Blick.