Ndeshja mes Basanias dhe Tërbunit nuk do të luhet ditën e shtunë siç ishte planifi kuar. Sfida është shtyrë për ditën e hënë, në orën 13:30 në Bushat, për shkak të kushteve të vështira atmosferike dhe me dakordësinë e plotë të dy klubeve veriore.
Pas sfidës së luajtur në mesjavë ndaj Korabit për Kupë, vëmendja e pukjanëve është rikthyer plotësisht te kampionati dhe transferta me Basanian. Tërbuni synon me çdo kusht një rezultat pozitiv në këtë përballje mjaft të rëndësishme.
Në dy ndeshjet e para të kampionatit, pukjanët kanë grumbulluar vetëm një pikë, si rrjedhojë e një barazimi dhe një humbjeje, ndaj kërkojnë kthesën e madhe. Drejtuesit dhe lojtarët janë të vendosur për ta vulosur këtë takim me fitore.
Nga sezoni i kaluar te Tërbuni kanë mbetur vetëm tre lojtarë: Marku, Zëre dhe Andoni, ndërsa pjesa tjetër e grupit përbëhet nga afrime të reja të bëra gjatë verës. Brajan Marku dhe Marindis Zëre kanë qenë titullarë absolutë në çdo ndeshje.
Për “Panorama Sport”, dyshja e Tërbunit është shprehur mjaft optimiste për të marrë pikët: “Tërbuni është rikuperuar ndjeshëm dhe i kemi të gjitha mundësitë për të fi tuar, edhe pse luajmë jashtë fushës sonë. Stafi teknik na ka përgatitur maksimalisht dhe besojmë se do ta kalojmë me sukses këtë test të rëndësishëm.
Shpresojmë të zhvillojmë një lojë të bukur dhe të kthehemi me tri pikët në shtëpi”. Ekipit nuk i ka munguar mbështetja në çdo drejtim nga kryebashkiaku Rok Doda dhe administratori Ervis Veizi, të cilët i bëjnë thirrje tifozerisë për mbështetje, me promision se skuadra nuk do t’i zhgënjejë në këtë vazhdimësi të kampionatit.