Fisnik Asllani dhe Leon Avdullahu kanë pësuar humbje me Hoffenheimin në udhëtim ndaj Eintracht Frankfurtit, me rezultat 1:0, në ndeshjen e vlefshme për javën e 10-të të Bundesligës.
Ndeshja u karakterizua nga dy penallti të humbura në pjesën e parë, ndërsa goli i vetëm i takimit u shënua nga vendasit në minutën e 25-të.
Goli i Burkardtit dhe dy penalltitë e humbura
Eintracht Frankfurti kaloi në epërsi në minutën e 25-të. Pas një gabimi të Bernardos, Doan fitoi topin, ndërsa Burkardt e vazhdoi aksionin duke pasuar te Knauff. Ky i fundit dërgoi një top të ulët në zonë, ku Burkardt goditi saktë për 1-0.
Në minutën e 41-të, Hoffenheimi pati mundësinë e artë për të barazuar rezultatin, por Kramariç dështoi nga pika e bardhë. Portieri Atubolu reagoi shkëlqyeshëm dhe ndali goditjen e kroatit.
Vetëm tri minuta më vonë, edhe Eintrachti humbi mundësinë për të dyfishuar epërsinë. Burkardt mori përgjegjësinë për ekzekutimin e penalltisë, por portieri i Hoffenheimit, Baumann, e lexoi goditjen dhe e priti topin.
Avdullahu me karton të verdhë, Asllani zëvendësohet
Leon Avdullahu e nisi ndeshjen si titullar dhe u ndëshkua me karton të verdhë në minutën e 69-të.
Ndërkohë, Fisnik Asllani u zëvendësua në minutën e 72-të, në një ndeshje ku Hoffenheimi nuk arriti të gjente rrugën drejt golit.
Pas kësaj fitoreje, Eintracht Frankfurti renditet në vendin e shtatë me 15 pikë, ndërsa Hoffenheimi ndodhet tri pozita më poshtë në tabelën e Bundesligës.