Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, ka uruar 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit, duke kujtuar rëndësinë historike të kësaj date dhe sakrificën e atyre që kontribuuan për lirinë e kombit shqiptar.
Me rastin e festave të Nëntorit, Elezaj, së bashku me bashkëpunëtorë të komunës, përfaqësues të OVL-UÇK-së, veteranë të luftës dhe qytetarë, ka marrë pjesë në aktivitete përkujtimore në Klinë.
Aktivitetet kanë nisur para objektit të komunës, ku është bërë ngritja solemne e flamurit kombëtar dhe intonimi i himnit. Më pas janë zhvilluar homazhe dhe janë vendosur kurora me lule te shtatorja e heroit të kombit, Mujë Krasniqi – Komandant Kapuçi, busti i Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, si dhe lapidari kushtuar martirëve të kombit.
Homazhe janë bërë edhe në kompleksin memorial “Kodra e Kuqe” në Grabanicë, në nderim të dëshmorëve të kombit.
Në urimin e tij, Elezaj ka theksuar se 28 Nëntori është më shumë se një datë feste, pasi përfaqëson historinë, identitetin dhe sakrificën e popullit shqiptar.
“28 Nëntori na kujton tri momente madhore të historisë sonë, Festën e Flamurit, daljen publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ditëlindjen e Komandantit Legjendar, Adem Jashari. Ngjarje që mbartin në vete historinë e përpjekjeve, sakrificës dhe aspiratës shekullore për liri”, ka shkruar ai.
Kryetari i Klinës ka theksuar se krenaria për të kaluarën duhet të shërbejë si obligim për të punuar për të ardhmen, duke ruajtur dhe kultivuar vlerat kombëtare.
“Nderimi më i madh për ata që u flijuan për liri është ruajtja, nderimi, kultivimi i vlerave kombëtare dhe angazhimi për një të ardhme më të mirë për brezat që vijnë”, ka theksuar Elezaj.
Në fund, ai ka shprehur mirënjohje për të gjithë ata që ranë për lirinë e kombit, duke uruar qytetarët për 28 Nëntorin dhe festat e Nëntorit.