LVV në Sharr kërkon hetime për shpenzimin e mbi gjysmë milioni eurove në Komunën e Dragashit

Kosova

LVV në Sharr kërkon hetime për shpenzimin e mbi gjysmë milioni eurove në Komunën e Dragashit

Nga: A.M. Më: 26 nëntor 2026 Në ora: 21:49
Komuna e Dragashit, ndaj së cilës LVV në Sharr ka ngritur pretendime për parregullsi në shpenzimin e parasë publike.

Lëvizja Vetëvendosje – Qendra në Sharr ka ngritur shqetësime lidhur me mënyrën e shpenzimit të parasë publike nga Komuna e Dragashit, e udhëhequr nga kryetari Bexhet Xheladini.

Përmes një reagimi publik, kjo qendër e LVV-së ka pretenduar se gjatë viteve 2024–2026 janë ndarë 442 mijë euro për dy organizata joqeveritare, ndërsa për vitin 2027 janë planifikuar edhe rreth 120 mijë euro për shërbime për të cilat, sipas tyre, është shmangur procedura e prokurimit publik.

Në total, sipas LVV-së, bëhet fjalë për rreth 562 mijë euro.

Kjo qendër ka ngritur gjithashtu disa çështje që, sipas saj, e vënë në pikëpyetje ligjshmërinë dhe transparencën e procedurave të ndjekura nga komuna.

Ndër parregullsitë e pretenduara përmenden protokollimi i thirrjes publike para vendimit të kryetarit që e autorizonte atë, shpallja e thirrjes para hartimit të planit vjetor për financimin e OJQ-ve, mungesa e analizës së tregut dhe mospublikimi i kritereve dhe pikëve të vlerësimit të aplikuesve.

Po ashtu, LVV-ja pretendon se thirrja nuk është publikuar në platformën zyrtare qeveritare për financimin e organizatave joqeveritare.

Sipas reagimit, Komuna e Dragashit është thirrur në një opinion të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP) të vitit 2022 për të arsyetuar praktikën, por LVV-ja vlerëson se ai opinion kishte të bënte me kontratat mbi vepër dhe jo me financimin e OJQ-ve për ofrimin e shërbimeve.

Kritika edhe për kontratën prej 135 mijë eurosh

Një tjetër çështje e ngritur nga LVV-ja në Sharr lidhet me një kontratë të nënshkruar më 30 korrik 2025, në vlerë prej 135,329.28 eurosh.

Kontrata përfshinte ndërtimin e trotuarit Dragash–Ura e Shajnës, ndërtimin e trotuarit Dragash–Kukajan, ndriçimin e rrugës unazore dhe ndërtimin e murit mbrojtës te varrezat e qytetit.

Sipas dokumentit, punimet ishte paraparë të përfundonin më 20 nëntor 2025. Megjithatë, LVV-ja pretendon se, bazuar në informacionet nga terreni, përveç disa punimeve në murin mbrojtës, projektet e tjera kanë mbetur të parealizuara.

Në reagim theksohet se kontrata parasheh penalitete prej 0.25 për qind të vlerës së saj për çdo ditë vonesë, deri në maksimumin prej 10 për qind.

Për këtë arsye, LVV-ja i ka drejtuar komunës disa pyetje lidhur me zbatimin e kontratës.

“A janë aplikuar këto penalitete? A është zgjatur afati i kontratës dhe mbi çfarë baze? Sa mjete janë paguar deri më tani? Kush mban përgjegjësi për mosrealizimin e punimeve?”, thuhet në reagim.

Në fund, Lëvizja Vetëvendosje – Qendra në Sharr i ka bërë thirrje Prokurorisë së Shtetit që të ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore për të dyja rastet, ndërsa ka kërkuar nga Komuna e Dragashit të japë sqarime për çështjet e ngritura.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat