Zbulohen pllakat përkujtimore në Has, Latifi vlerëson kontributin e familjes Muhadri

Kosova

Zbulohen pllakat përkujtimore në Has, Latifi vlerëson kontributin e familjes Muhadri

Nga: A.M. Më: 26 nëntor 2026 Në ora: 19:40
Smajl Latifi gjatë vendosjes së pllakave përkujtimore në nderim të veprimtarëve të çështjes kombëtare në Has.

Në kuadër të aktiviteteve për festat kombëtare të nëntorit, në Muhadër të Hasit është vendosur një pllakë përkujtimore në shtëpinë e veprimtarit të çështjes kombëtare dhe luftëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Haxhi Muhadri.

Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, i cili ka bërë të ditur se krahas pllakës në shtëpinë e Haxhi Muhadrit, pllaka përkujtimore janë zbuluar edhe në Rogovë të Hasit dhe në shtëpinë e Ahmet e Hajrush Muhadrit, për kontributin e tyre në organizimin e luftës çlirimtare dhe strukturimin e njësiteve të UÇK-së në këtë zonë.

Latifi ka rikujtuar se Hajrush Muhadri ishte komandanti i parë i Shtabit Rajonal të UÇK-së, 1000-shi në Has, ndërsa ka vlerësuar lart kontributin e banorëve të kësaj treve në rrugën drejt lirisë.

Në fjalën e mbajtur gjatë ceremonisë, Latifi ka theksuar rolin e familjes Muhadri dhe të banorëve të Hasit në mbështetjen e luftës çlirimtare, duke veçuar edhe shtëpinë e Haxhi Muhadrit, e cila ishte bërë strehë për veprimtarët e çështjes kombëtare.

“Shtëpia e tij ishte bërë strehë dhe jatak për ilegalët, për ata burra të lodhur e të stërmunduar që ndiqnin shtigjet e lirisë. Ai u bë edhe udhërrëfyes i djemve të Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës, e më pas edhe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke i shoqëruar nëpër shtigjet e vështira të Pashtrikut”, ka deklaruar Latifi.

Ai ka thënë se vendosja e pllakës përkujtimore nuk është vetëm një akt simbolik, por edhe obligim moral e atdhetar ndaj një njeriu që rrezikoi veten dhe familjen për idealin e lirisë.

“Me këtë pllakë po u përcjellim edhe brezave që vijnë një mesazh të rëndësishëm: liria nuk është dhuratë! Ajo është rezultat i përpjekjeve, i mundit dhe i sakrificave të shumë brezave”, ka theksuar Latifi.

Ai ka përmendur edhe bashkërendimin e veprimtarive të burrave të kësaj treve me Lëvizjen Kombëtare për Çlirimin e Kosovës (LKÇK) dhe më pas me UÇK-në, duke vlerësuar përkushtimin dhe përgjegjësinë e tyre në mbështetjen e luftës.

Në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij, Latifi ka bërë të ditur se Haxhi Muhadrit do t'i ndahet edhe një mirënjohje komunale, përkatësisht Medalja e Lirisë.

“Qoftë i paharruar kujtimi dhe i përjetshëm nderimi për Haxhi Muhadrin, luftëtarin dhe veprimtarin e çështjes kombëtare!”, ka përfunduar Latifi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat