Themelohet Shoqata e Gjellëbërësve të Ulqinit

Lajme

Themelohet Shoqata e Gjellëbërësve të Ulqinit

Nga: Gjekë Gjonaj Më: 28 janar 2021 Në ora: 09:19
Foto nga vendi i ngjarjes

Pas një ideje më se dhjetëvjeçare gjellëbërësit e Ulqinit arritën të tubohen dhe të themelojnë shoqatën me qëllim të ruajtjes dhe kultivimit të gatimeve tradicionale. Themelues dhe nismëtar për jetësimin e kësaj ide është gjellëbërësi i njohur i këtij qyteti, me një karrierë të suksesshme shumëvjeçare në hotele e restorante të njohura evropiane dhe botërore, të cilat i frekuentuan figura të njohura të politikës, biznesit, estradës, kulturës dhe artit, Zef Koçavi, i cili u zgjodh edhe kryetar i shoqatës.

“Themelimi i saj ka qenë një imperativ i kohës dhe nevojë e kahershme e këtij qyteti të lashtë bregdetar, i cili veprimtari kryesore të tij ka turizmin, që ndërlidhet ngushtë me gjellëtarinë pa të cilën veprimtari as që mund të ekzistojë e as të jetë i suksesshëm. Prandaj, formimi i saj, për herë të parë është një hap i rëndësishëm dhe një gurë i çmuar në mozaikun e rimëkëmbjes së kuzhinës shumë të pasur të Ulqinit me specialitete vendase, dikur shumë të njohura për shijen e tyre të veçantë nga turistë vendas dhe të huaj, kurse viteve të fundit për fat të keq cilësia e tyre është zbehur mjaft, në mungesë të kuzhinierëve ulqinakë profesionist shumë të kualifikuar, të cilët kanë qenë të përgatitur në të gjitha aspektet e përgatitjes së ushqimit”, thotë Kovaçi.

Sipas tij Shoqata e Gjellëbërësve të Ulqinit, përveç ruajtjes së traditës së kuzhinës të këtij qyteti, synon bashkimin e të gjithë gjellëbërësve të kësaj komunë dhe shkëmbimin e përvojave dhe eksperiencave të mjeshtërve të përgatitjes së gjellëve dhe gatesave tjera , të cilët do të përpiqen që njohuritë e tyre t’ua përcjellin gjeneratave të reja të interesuara për këtë profesion. Përveç kësaj shoqata do të angazhohet seriozisht në stimulimin e gjellëbërësve të rinj vendas dhe ngritjen e aftësimit të tyre profesional në të mirë të tyre dhe të gjellëtarisë së Ulqinit”, shprehet Kovaçi.

Anëtarët e Kuvendit të kësaj shoqatë, Dushko Radinoviq, Sadik Demiri, Dragan Briskoviqi, Simë Llukiqi, , Simë Stanoviqi, Ibrahim Shaptafa dhe Gjergj Marlukiqi, thonë se janë të hapur për bashkëpunim me të gjithë gjellëbërësit e Ulqinit dhe i ftojnë ata që t’u bashkëngjiten atyre të vetëdijshëm se vetëm së bashku mund të arrijnë realizimin e objektivave të shoqatës, e cila, siç pohuan ata, fillimisht ka fituar një mbështetje dhe përkrahje të madhe nga kolegët dhe shoqatat simotra në Kosovë, Shqipëri, Francë, Gjerman, Itali e tjerë.

Vlen të përmendim se kryetari Shoqatës së Gjellëbërësve të Ulqinit, Zef Kovaçi është autor i librit vëllimor “ Bazat e Gastronomisë me receta ndërkombëtare”, ku janë përfshirë të gjitha produktet ushqimore me origjinë bimore, shtazore, ose të përzier dhe metodat dhe mënyrat e përgatitjes të ushqimeve.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat