Sulmoi fizikisht bashkëshorten e tij, lëshohet urdhëresë që i akuzuari të sillet me detyrim në seancë

Lajme

Sulmoi fizikisht bashkëshorten e tij, lëshohet urdhëresë që i akuzuari të sillet me detyrim në seancë

Më: 2 shkurt 2022 Në ora: 13:13
Foto ilustrim

Gjykata Themelore në Prishtinë ka lëshuar urdhëresë për sjellje me detyrim në seancë ndaj Karlheinz Kargus, i cili po akuzohet se pas një mosmarrëveshje kishte sulmuar bashkëshorten e tij, S.K.

Një vendim i tillë është marr nga gjykatësi Eroll Gashi pasi që i akuzuari Kargus mungoi të mërkurën në seancën fillestare.

Sipas gjykatësit Gashi, i akuzuari Kargus dhe mbrojtësi i tij, avokati Naim Aliu kanë qenë të ftuar përmes procesverbalit të datës 16 dhjetor 2021 për seancën e sotme, mirëpo të njëjtit nuk e kanë arsyetuar mungesën.

Meqë nuk janë plotësuar kushtet ligjore për mbajtjen e seancës, e njëjta u shty, ndërsa e radhës mbetet e pacaktuar.

Ndryshe, pranishëm në këtë seancë ishte prokurori Rrahim Podvorica.

Sipas aktakuzës së përpiluar në tetor 2018-ën nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Karlheniz Kargus ngarkohet se më 30 gusht 2018, pas një mosmarrëveshje me bashkëshorten, tani të dëmtuarën S.K. të njëjtën e kishte sulmuar fizikisht në banesën e saj, në Fushë Kosovë.

Siç thuhet në aktakuzë i akuzuari fillimisht e kishte ofenduar, pastaj me qëllim, me dashje e kishte sulmuar fizikisht të njëjtën me grushte dhe me këmbë në pjesë të ndryshme të trupit, me ç’rast të njëjtës i kishte shkaktuar lëndime të lehta trupore.

Me këtë ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Lëndim i lehtë trupor” nga neni 188 paragrafi 1, pika 1.4 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me gjobë ose me burgim deri në një vit, sipas Kodit që ishte në fuqi në kohën kur është kryer vepra penale. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat