“Protesta e neveritshme”, Baton Haxhiu ofendon shqiptarët

Lajme

“Protesta e neveritshme”, Baton Haxhiu ofendon shqiptarët

Më: 17 mars 2022 Në ora: 00:09
Baton Haxhiu

Protesta e shqiptarëve kundër rritjes së çmimeve është “e neveritshme” dhe jashtë kontekstit kohor, për analistin Baton Haxhiu.

Kështu Haxhiu ofendoi shqiptarët në emisionin Now me Erla Mëhillin, ku tha se protesta si koncept është civilizim, por protestuesit duhet të kenë argumente dhe arsyetime kundër qeverisë.

Sipas tij, shqiptarët nuk mund të protestojnë në kohën kur në Ukrainë bëhet luftë, mendim ky që e ka shprehur edhe kryeministri Rama.

Shqiptarët nuk mund të protestojnë për rritjen e çmimeve, thotë Haxhiu, pavarësisht se ata nuk mund të përballojnë jetesën minimale.

Sipas Haxhiut “duhet të durojnë”, pasi tani është momenti për t’u solidarizuar me Ukrainën.

Rritja e çmimeve, Haxhiu thotë se ka ardhur për shkak të luftës në Ukrainë, por aktivistët sqarojnë se protestat nuk janë bërë kundër pasojave të luftës, por kundër “abuzimit të qeverisë me këto çmime”.

Aktivisti Migen Qiraxhi tha se ka tre vjet që në Shqipëri konteksti nuk është ideal për të protestuar, por nuk mund të pritet pa reaguar kundër padrejtësive.

“Një herë tërmeti, pastaj pandemia, pastaj lufta në Ukrainë. Nuk mund të presësh tre vjet, të vidhesh pa reaguar”, u shpreh Qiraxhi.

Ai shtoi më tej se shqiptarët nuk po protestojnë për rritjen e çmimit prej luftës, por për rritjen e çmimit në mënyrë abuzive.

Edhe aktivisti dhe avokati Redon Meksi sqaroi se shqiptarët nuk po protestojnë për pasojat e luftës, por sepse qeveria nuk ka marrë masa për rritjen e çmimeve.

“Nuk po protestojmë për rritjen e çmimit të naftës për shkak të luftës nga Ukraina, por për qeverinë që nuk ka marrë masa për rritjen e çmimeve”, u shpreh ai.

Haxhiu cilësoi “të neveritshëm dhe cinik” edhe qëndrimin e ministres së Infrastrukturës Belinda Balluku, e cila u është drejtuar qytetarëve pas rritjes së çmimit të naftës duke u thënë “mos shkoni me makina për të blerë cigare”.

Por ai tha se duhet guxuar që të rrënohet qeveria në kohë krize, se prezantohet në sy të botës sikur “po përkrahim Putinin”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat