Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka arrestuar një zyrtar policor nga Stacioni Policor në Ferizaj, nën dyshimin për përfshirje në organizimin e bixhozit të paligjshëm, skema piramidale dhe veprimtari të kundërligjshme me armë.
Sipas komunikatës së IPK-së, arrestimi është kryer të hënën, më 17 nëntor, pas veprimeve hetimore të zhvilluara në koordinim me Prokurorinë e Shtetit.
Zyrtari policor dyshohet se gjatë vitit 2026, jashtë detyrës zyrtare, ishte përfshirë në organizimin e bixhozit të paligjshëm përmes platformave online. Po ashtu, ai dyshohet se kishte poseduar një armë të gjatë të tipit Kallashnikov, të cilën më pas ia kishte shitur një personi tjetër, transmeton "Bota sot".
Në kuadër të hetimeve, hetuesit e IPK-së kanë realizuar bastisje në shtatë lokacione, ku kanë sekuestruar dy armë të shkurtra, një armë të gjatë gjuetie, dy thika, si dhe municion të llojeve të ndryshme.
Me vendim të prokurorit, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Ndërkohë, lidhur me këtë rast janë intervistuar edhe gjashtë qytetarë në cilësinë e të dyshuarve për veprën penale “Shitblerja e armëve”. Ndaj tyre, hetimet do të vazhdojnë në procedurë të rregullt.
IPK ka bërë të ditur se, në interes të hetimeve dhe në bazë të autorizimeve ligjore, i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e zyrtarit të arrestuar.
Hetimet për këtë rast do të vazhdojnë në koordinim me Prokurorinë e Shtetit.