Gastronomët e Maqedonisë të pakënaqur me orarin, kërkojnë të punojnë deri në mesnatë

Maqedonia

Gastronomët e Maqedonisë të pakënaqur me orarin, kërkojnë të punojnë deri në mesnatë

Më: 21 janar 2021 Në ora: 22:02
Ilustrim

Nga sot, kafenetë dhe restorantet do të punojnë dy orë më shumë. Në vend se deri në orën 18:00, ata do të punojnë deri në orën 21:00. Javën e ardhshme, autoritetet do të vendosin nëse orari i punës i objekteve gastronomike do të zgjatet përsëri. Oda e Pavarur e Gastronomisë është e pakënaqur me zgjidhjen aktuale.

Ata kërkojnë takim me Qeverinë. Duan që t’u kthehet orari normal i punës deri në mesnatë, respektivisht deri në orën 1 gjatë fundjavave, si dhe të marrin subvencione të reja financiare nga shteti.

“Vlerësojmë se kufizimi i orarit të punës është i panevojshëm, duke pasur parasysh se tashmë ekzistojnë protokolle dhe rekomandime të tjera për funksionimin e objekteve gastronomike, ndërsa edhe vetëdija e njerëzve dhe mysafirëve është shumë më e lartë”,  tha Zdravko Josifovski nga Oda e Pavarur e Gastronomëve.

Sipas gastronomëve, procesi i kthimit në normalitet nuk do të ndodhë në shkurt ose mars, por do të zgjasë deri në muajt e verës.

Oda e gastronomëve kërkon nga Qeveria të vazhdojë masën për subvencionimin e pagave për punonjësit, por kësaj here të marrin shumë bruto. Dhjetë ditë para Vitit të Ri, Qeveria reduktoi orarin e punës në industrinë e gastronomisë deri në orën 18 për të shmangur grumbullimet dhe festimet për festat e fundvitit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat