Kryetari i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti, ka përkujtuar 22 Nëntorin, Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, duke theksuar rëndësinë historike të Kongresit të Manastirit për njësimin e alfabetit dhe përbashkimin e shqiptarëve përmes gjuhës.
Përmes një postimi në Facebook, Mexhiti ka kujtuar se alfabeti i përbashkët bëri të mundur që librat e shkruar në njërën trevë shqiptare të lexoheshin edhe në tjetrën.
Ai ka bërë të ditur se këtë trashëgimi e kanë nderuar edhe në Shkup, në ceremoninë e organizuar me rastin e Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe, e cila u mbajt në Muzeun e Artit Bashkëkohor.
“Një alfabet i përbashkët bëri të mundur që një libër i shkruar në njërin skaj të hapësirës shqiptare të lexohej në tjetrin. Kjo është një nga mënyrat më të thjeshta për ta kuptuar çfarë ndryshoi Kongresi i Manastirit për shqipen”, ka shkruar Mexhiti.
Ai ka theksuar se nderimi i veprës së atyre që kontribuuan në krijimin e alfabetit të shqipes nënkupton edhe përgjegjësinë për ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhës.
“Ta nderojmë punën e atyre që na dhanë alfabetin do të thotë të kujdesemi për shqipen që mësojnë fëmijët tanë, për librat që lexojnë dhe për vendin që gjuha jonë zë në jetën publike”, ka theksuar ai, duke uruar: “Gëzuar 22 Nëntorin!”