Sindikalistët në Maqedoni në betejë me Qeverinë për ruajtjen e 40 orëve punë në javë

Maqedonia

Sindikalistët në Maqedoni në betejë me Qeverinë për ruajtjen e 40 orëve punë në javë

Më: 22 maj 2023 Në ora: 20:33
Foto ilustrim

Sindikata e Ndërtimtarisë ka paralajmëruar se do t’i kontestoj në Gjykatën Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut ndryshimet në projektligjin për ndërtim, i cili ka shkuar për miratim në Kuvend.

Këto ndryshime parashikojnë zgjatjen e orarit të punës në këtë sektor në më shumë se 40 orë punë në javë, aq sa parashikohet tani në Ligjin e punës.

Kjo thuhet se ka bëjë me ndërtimin e autostradave të korridorit 8 dhe 10-D nga konzorciumi amerikano-turk Bechkel&Enka.

Kjo kompani ka fituar të drejtën e ndërtimit të dy autostradave me një gjatësi prej 110 kilometrash, me një kosto prej 1.3 miliardë eurosh, me një Ligj të posaçëm të miratuar në Kuvendin maqedonas, më 15 korrik 2021.

Por, bazuar në Ligjin e miratuar dhe marrëveshjen e arritur me kompaninë ndërtuese, janë paraparë edhe zgjidhje tjera ligjore që po miratohen në Kuvend me procedurë të përshpejtuar, përfshirë Ligjin për ndërtim dhe katër ligje tjera që kanë të bëjnë me rrjedhën e punimeve, shpronësimin, heqjen e doganave për materialet e ndërtimit, si dhe fuqinë punëtore.

Ligji për marrëdhënie pune në Maqedoninë e Veriut thotë se “java ka pesë ditë pune, nga e hëna në të premte dhe përfshinë jo më shumë se 40 orë punë, apo nga 8 orë në ditë”.

Dispozitat ligjore parashikojnë edhe kohë shtesë në rrethana të veçanta apo angazhimin e punëtorëve edhe në ditët e fundjavës, në ato veprimtari ku procesi i punës nuk mund të ndërpritet, por koha shtesë në punë ose kompensohet me pushim në ditët tjera ose paguhet.

Megjithatë, Sindikata e Ndërtimtarisë thotë se këto dispozita nuk duhet të interpretohen edhe si mundësi që orari të zgjatet edhe në këtë sektor, andaj edhe paralajmëron kontestimin e ndryshimeve në Gjykatën Kushtetuese.

“Me këtë projektligj java në ndërtimtari nuk do t’i ketë 60 orë punë, por 72 orë. Nëse ky propozim kalon, atëherë pas 137 viteve do të humbim një të drejtë që e kishim fituar me gjak, që njerëzit të punojnë tetë orë në ditë, tetë orë tjerë t’i shfrytëzojnë për pushim dhe tetë orë për gjumë, për të qenë produktiv të nesërmen në punë. Qeveria jonë mendon se duhet t’i kthejë punëtorët maqedonas të ndërtimit në skllevër që të punojnë nga 40-60 si orë të rregullta – plus 12 orë të tjera jashtë orarit”, thotë për Radion Evropa e Lirë Ivan Peshevski, kryetar i kësaj sindikate.

Ndryshimet synohet të miratohen përkundër vendimit të vitit 2020 të Gjykatës Kushtetuese, e cila kishte hedhur poshtë një dispozitë ligjore që u mundësonte kompanive të angazhojnë punëtorët e tyre deri në 60 orë në javë.

“Ne do të jemi të detyruar t’i kundërshtojmë këto ndryshime para Gjykatës Kushtetuese, e cila besojmë se do të vendos përsëri për të njëjtat konkluzione, të njëjtat dispozita, të njëjtat vendime, sepse është e pamundur që në një sektor me rrezikshmëri të lartë, si ndërtimtaria, ku njerëzit jenë të ekspozuar ndaj ndikimeve të jashtme gjatë gjithë javës, të punojnë jashtë orarit të punës”.

“Është e pamundur të punosh më shumë se 50 orë në javë në sektorin e ndërtimit, sepse ne kemi parë në të kaluarën punëtorë të lënduar, punëtorë që bien nga skelat, të vdekur në autostrada. Ky është një sektor me rrezik të lartë, ku njerëzit janë të rraskapitur gjatë tetë orëve punë, e të mos flasim të punojnë edhe më gjatë”, thotë Peshevski.

Ndryshimet janë kundërshtuar edhe nga partitë opozitare të cilat thonë se “do të bëjnë çmos që ato të mos miratohen”.

VMRO DPMNE dhe partitë tjera të opozitës kanë dorëzuar qindra amendamente për të penguar miratimin – jo vetëm të ndryshimeve në prjekligjin për ndërtimtari – por edhe gjithë marrëveshjen, meqë siç thonë, marrëveshja me kompaninë Bechtel&Enka, është “skandali më të madh korruptiv në vend” për shkak të arritjes së saj pa proceduara të hapura tenderuese.

Por, Qeveria thotë se autostradat do të ndërtohet me ose pa pëlqimin e opozitës, ndërsa hedh poshtë pretendimet e sindikatave, por dhe të Lidhjes së Odave Ekonomike për shkelje të procedurave ligjore dhe të drejtave të punëtorëve.

“Edhe tani tek ne kemi zgjidhje ligjore që ua mundësojnë kompanive apo punëtorëve të angazhohen në punë më shumë se 40 orë në javë, apo 50 orë. Kështu që kemi punëtorë që me dëshirën e tyre pranojnë të punojmë më shumë sesa që është e paraparë në Ligjin për marrëdhënie pune. Me ose pa këto ndryshimet ligjore, korridoret do të ndërtohen. Ne besojmë se nëse miratohen ndryshimet për 60 orë punë në javë, do të rrihe produktiviteti në punë dhe do të punësohen më pak punëtorë nga jashtë”, ka deklaruar kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski.

Ai thotë se asnjë punëtor nuk do të detyrohet të punojë me forcë më shumë se 40 orë, por kjo nuk duhet t’u pamundësohet atyre duan, dhe për çdo orë shtesë që do të bëjnë do të paguhen edhe më shumë sesa koha e rregullt e punës.

Për shkak të bllokimit të opozitës, Qeveria ka vendosur që ligjet të miratohen me procedurë të shkurtër apo me “flamurin evropian”, edhe pse kjo procedurë është kritikuar edhe nga zyrtarë të BE-së – pasi nuk ka të bëjë me harmonizim të ligjeve që të mund të aplikohej në rastin konkret.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat