Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka deklaruar se Maqedonia e Veriut mund të funksionojë dhe të mbijetojë vetëm përmes bashkëjetesës së qëndrueshme ndërmjet dy kombeve më të mëdha në vend, maqedonasve dhe shqiptarëve. Mesazhi i tij vjen në ditët kur përplasja për gjuhën shqipe në provimin e jurisprudencës po e tensionon koalicionin qeveritar.
“Të veçuar e të ndarë jemi të pafuqishëm”, deklaroi Ahmeti, siç transmeton TV21. Sipas tij, përçarja e dobëson shtetin dhe e bën atë të parëndësishëm në rajon.
Pa i përmendur me emër, Ahmeti foli për ata që, sipas tij, sot i përfaqësojnë shqiptarët në institucionet shtetërore pa legjitimitet. Ai tha se këta kishin parë se si shqiptarët dëshmuan hap pas hapi se janë faktor shtetformues në Maqedoninë e Veriut.
Deklarata vjen pak ditë pasi Ahmeti kërkoi zgjedhje të parakohshme parlamentare. Duke iu referuar paralajmërimit të kryeministrit Hristijan Mickoski për një vit të vështirë ekonomik, kryetari i BDI-së tha për TV21 se zgjedhjet janë e vetmja rrugëdalje për vendin.
Mickoski i ka refuzuar zgjedhjet e parakohshme, duke përmendur detyrimet e mëdha financiare të shtetit në dy vitet e ardhshme. Ai ka deklaruar gjithashtu se marrëveshja me koalicionin shqiptar VLEN, partner në Qeveri, mbetet në fuqi deri në zgjedhjet e rregullta të vitit 2028.
Në qendër të tensioneve është provimi i jurisprudencës. Sipas zgjidhjes së propozuar nga Mickoski, pjesa teorike mund të jepet në gjuhën në të cilën kandidatët kanë studiuar, përfshirë shqipen, ndërsa pjesa praktike, që simulon procedurat gjyqësore, mbetet vetëm në maqedonisht. Partneri qeveritar ZNAM ka paralajmëruar se do të largohet nga Qeveria nëse provimi lejohet në shqip, ndërsa BDI-ja dhe studentët kërkojnë që i gjithë provimi të mund të jepet në gjuhën shqipe. Qeveria ka kërkuar për këtë çështje mendim urgjent nga Komisioni i Venecias.