Jo a duhet, por Kosova duhet të shkojë në zgjedhje

Opinione

Jo a duhet, por Kosova duhet të shkojë në zgjedhje

Nga: Skënder S. Kapiti Më: 28 nëntor 2020 Në ora: 12:35
Skënder S. Kapiti

Kur pretendon se po analizon diçka për politikën, duhet të marrësh në konsideratë dhe me qetësi e paanshmëri të mundohesh të analizosh shkaqet, rrethanat, informacionet dhe opinionet e ndryshme politike, mediatike, intelektuale si dhe opinionin qytetar.

Ekziston një mundësi që Kosova të mos shkojë në zgjedhje. Ajo është: kthimi i legjitimitetit të zgjedhjeve të 6 Tetorit 2019, por kjo ka pak shanse që të ndodhë në mënyrën dhe se si kanë precipituar ngjarjet, por gjithçka edhe është e mundur që të ndodhë me politikën dhe me politikanët shqiptarë. Gjëja më e paparishikueshme si në Shqipëri dhe Kosovë është politika, pasi gjërat e saj marrin “rrokopujën” e habitshme  shpeshherë dhe madje edhe shumë shpejt dhe papritur.

Kosova realisht është në udhëkryq prej krizës së legjitimitetit, krizë e cila përderisa nuk  zgjidhet ajo vetëm kriza të tjera vijnë prej saj. Kjo krizë duket se do të vijë si kriza për presidentin. Pra kriza që nuk zgjidhet    prodhon po krizë.

Nëse presidentin ta zëmë se e zgjedhin nga AAK, LDK apo  NISMA kjo do të shënonte një “rekord” apo “risi demokratike” tipike shqiptare e cila do të ishte ajo që : Partia fituese e zgjedhjeve , në rastin konkret “VETEVENDOSJA” nuk do të kishte as Kryeministrin , as Kryeparlamentarin dhe as Presidentin.

Nuk pyetet se a duhet që  Kosova të shkojë në zgjedhje, pasi detyrimisht duhen zgjedhje të parakohshme në Kosovë dhe ja sepse:

Të gjithë, si  publiku i brëndshëm dhe ai ndërkombëtar e dinë fort mirë se qeveria e sotme nuk ka legjitimitet, pasi ajo është produkt i një komploti parlamentar i mirëorganizuar madje në kulmin e pandemise së koronavirusit nga LDK-ja por nën rrogoz e mbështetur fuqishëm  edhe nga ish Presidenti Hashim Thaçi dhge elita e vjetër politike, nga matrapazllëku e xhambazllëku i saj, puç i cili çuditi edhe botën në kushtet në të cilat u rrëzua qeveria KURTI.

Dhe qeveritë të cilat vijnë në pushtet me kësi soj trukesh e marifetesh jolegjitime dhe amorale nuk kanë jetëgjatësi sepse ato gërryhen nga ligësitë, pasinqeriteti,pabesitë  dhe nga intrigat, korrupsioni  e interesat e ngushta ndërvete për pushtet.

Së dyti qeveria e KURTIT u rrëzua si qeveri legjitime e cila njihet për herë të parë gjatë këtyre viteve si qeveria antikorrupsion, si qeveria e cila filloi çmontimin e korrupsionit nga institucionet e Kosovës; si qeveria e cila do të ndërmerrte kryerjen e reformës në drejtësi, pra miratimin e VETING-ut, edhe  si qeveria e cila kishte si politikë karshi Serbisë atë të reciprocitetit, pra si qeveri e cila filloi të rikthejë besimin dhe shpresën e qytetarëve të Kosovës te shteti e te ligji.

Prandaj kundër rrëzimit të kësaj qeverie ishte edhe Kryetarja e parlamentit Znj. Vjosa Osmani

Pra duhen zgjedhje të reja për të kthyer legjitimitetin demokrastik të grabitur nga humbësit e zgjedhjeve.

Ekziston hipotetikisht një mundësi për të mos shkuar Kosova në zgjedhje dhe mundësia është kjo: që parlamentit t’i kthehet legjitimitetit duhet që për kryeministër t’i jipet e t’i kthehet e drejta legjitime për të formuar qeverinë përsëri VETVENDOSJA, si forca e parë politike e zgjedhur me 6 Tetor 2019, ose të formohet një qeveri teknike apo e unitetit  ku kryeministër të jetë nga radhët e LVV,ose e propozuar prej saj , si edhe votimi e zgjedhja e Znj. Vjosa Osmani si Presidente e Kosovës e cila aktualisht është ushtruesja e detyrës së Presidentit të Kosovës. Por edhe kjo zgjidhje  do të ishte sa për të shtyrë kohë dhe jo afatgjatë, por vetëm si një parapërgatitje për zgjedhje të jashtëzakonshme pak më vonë, pasi edhe opinionI qytetar tashmë është mëse i bindur se Kosova del nga ky udhëkryq  vetëm duke e ndëshkuar elitën e vjetër politike e cila po zhagitet në dëshpërim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat