Të kufizohet forca e politikanëve nga e cila janë në hall të madh qytetarët

Opinione

Të kufizohet forca e politikanëve nga e cila janë në hall të madh qytetarët

Nga: Ejup Berisha  Më: 5 dhjetor 2020 Në ora: 09:28
Ejup Berisha 

Pasi që e tërë jeta është shndërruar fund e krye politikë edhe individët jo vetëm që duhet por këta tërë kohës janë të obliguar që të merren me politikën. Thuhet se nëse individi nuk merret me politikën kjo e fundit detyrimisht do të merret me të. Ky realitet nuk është i njëjtë në të gjitha shtetet e botës. Ka psh shtete ku qytetarët e tyre nuk merren fare me politikën, ata përtojnë të flasin për të bile nëse insiston dikush që të vazhdon  të flas me ta për politikë ata do të shqetësohen shumë.

Të tillë janë qytetarët e Zvicrës këta gjatë tërë kohës mendojnë për punën dhe vetëm për të  prandaj nuk kanë kohë për të humbur që të flasin për gjëra të kota siç është edhe  politika për ta. Edhe pse njerëzit në Zvicër janë të sjellshëm dhe të vëmendshëm kur komunikojnë me njerëzit e tjerë megjithatë nëse insistoni që me ta të flisni për politikë dhe rreth saj ata ndryshojnë disponimin për të keq dhe të thonë ju lutemi a mund të flasim për tema tjera sepse politika fare nuk na intereson. Zviceranët janë popull që dinë ta mbrojnë interesin e tyre  qytetarë në raport me interesat e të tjerëve psh edhe të  aktorëve politik.

Pra disponimi negativ kur përmendet politika te qytetarët e Zvicrës është tregues se ata dinë me vendosmëri dhe me xhelozi ti mbrojnë interesat e tyre qytetare në raport me interesat e politikanëve të cilët i udhëheqin ata. Këta pra dinë ta ndajnë shapin nga sheqeri. Zviceranët në fakt nuk duan të lodhen me politikën dhe politikanët sepse ata politikanëve ua kanë bërë me dije se në momentin kur këta e keqpërdorin apo dhe e tradhtojnë interesin publik këta nuk do të kenë vend më në politikë. Pra kjo është arma më e fuqishme me të cilën mbrohen  qytetarët zviceran nga forcat politike dhe nga ndikimi i politikanëve.

Atje angazhimi i individëve në politikë është më tepër obligim sesa që është privilegj. Në fillim vitet e 90 të shekullit të kaluar isha në Zvicër dhe në një cikël të zgjedhjeve lokale rastësisht qëllova në një bulevard të Gjenevës ku pashë disa njerëz të cilët ishin tubuar që ta ndiqnin dhe përshëndetnin një Karvan kandidatësh për kryetar komunash dhe këshilltarësh komunal të cilët po qarkullonin rrugëve të qytetit për tu prezantuar para qytetarëve  zgjedhës.

Ajo që më habiti ishte prezenca e pakët e qytetarëve në atë aktivitet parazgjedhorë. Në Zvicër për dallim prej realitetit këtu te ne ku Partitë politike dhe politikanët bëjnë presion të hatashëm ndaj qytetarëve që ti përkrahin atje kjo nuk ekziston pra në Zvicër qytetarët nuk  kanë presion që të dalin nëpër aktivitete parazgjedhore të Partive politike. Aty askush nuk i detyron me dhunë  qytetarët që të dalin në tubimet parazgjedhore të subjekteve  politike. Askush si bën presion të punësuarve në sektorin shtetëror dhe publik që të dalin dhe ti mbështesin aktivitetet zgjedhore të Partive politike sepse nëse nuk e bëjnë këtë gjë ekziston rreziku që ata të dëbohen nga vendet e tyre të punës.

Nga ana tjetër si duket në Zvicër edhe politikanët janë të pjekur moralisht që mos ta teprojnë me tendencat që të aplikojnë forma dhe metoda presioni ndaj qytetarëve me qëllim që këta të fundit ti përkrahin domosdo në  politikë. Kjo e fundit ndodh te ne në Ballkan, këtu qytetarët janë në hall nga Partitë politike dhe politikanët sepse këta të fundit me të gjitha metodat dhe  mjetet mundohen që ti detyrojnë qytetarët që ti përkrahin se përndryshe do të kenë probleme të mëdha me partinë apo me Partitë politike në pushtet. Këtu deshte apo nuk deshte je i obliguar ta përkrahësh Partinë në pushtet sepse këta i qytetarët pastaj i shpallin persona të padëshiruar dhe mund të pasojnë veprime tjera në dëm të qytetarëve. Bëhet fjalë për një presion dhe dhunë të paparë të politikanëve kundrejt qytetarëve që ti përkrahin politikanët dhe politikat që i zbatojnë ata.

Do të ishte në rregull po që se politikat e prezantuara apo dhe ato që zbatohen të ishin në favor dhe në leverdi të qytetarëve por këtu në të shumtën e rasteve qytetarët janë të obliguar dhe të detyruar të përkrahin politika që janë nga shkronja e parë e deri te ajo e fundit në dëm të tyre. Por prap se prap qytetarët janë të detyruar që ti përkrahin sepse në të kundërtën jeta do tu bëhet ferr. Kjo flet se qytetarët e shteteve të Ballkanit janë në hall nga Forca apo fuqia e stërtepruar  politike e subjekteve politike dhe e politikanëve të cilët mundohen të sigurojnë përkrahje në politikë me çdo kusht. Këtu pra ambienti politik është shndërruar në Parajsë të vërtetë për aktorët politik ndërsa për qytetarët ai është shndërruar në ferr të vërtetë.

Prandaj aktiviteti politik këtu është më shumë privilegj sesa obligim për dallim nga Zvicra ku siç përmenda më herët aktiviteti politik është më shumë obligim sesa privilegj për politikanët. Pra e kamë fjalën për obligimin që duhet  ta kenë politikanët që të angazhohen dhe të punojnë në interes dhe në të mirën e qytetarëve. Duhet kufizuar disi forca e stërtepruar e politikanëve këtu te ne në Ballkan sepse ajo është duke u shkaktuar probleme dhe telashe të shumta qytetarëve.

Nëse bëhet kjo do të ishte edhe një kontribut për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të qytetarëve të njohura dhe të garantuara me Kushtetutë dhe me ligjet e shteteve, për  zbatimin e të cilave kanë dhënë betim dhe janë zotuar publikisht se do ta bëjnë politikanët të cilët tani për tani janë duke i shkelur pa mëshirshëm ato liri dhe të drejta të qytetarëve dhe  për këtë gjë nuk kanë asnjë pasojë apo dënim.                               

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat