Kartolinë për ditëlindjen

Opinione

Kartolinë për ditëlindjen

Nga: Azgan Haklaj Më: 12 dhjetor 2020 Në ora: 10:27
Azgan Haklaj

Çdo muaj e vit është i shënuar në kalendarët e enciklopedisë shqiptare, por muajt nëntor dhe dhjetor janë personifikime, i pari i lirisë ndërsa i dyti i demokracisë.

30 vjet me parë në dhjetorin e acartë, në dhjetorin e krishtlindjeve e ndërrimit të motmoteve, pas një nate të gjatë gjysmë shekullore të një populli që kishte rezistuar me sakrificë kristiane përballë barbarëve fatkeqësisht shqiptarë, në zjarrin e lëvizjes studentore qielli shqiptar hoqi rrobën gri për tu veshur me blu.

Lindi Partia Demokratike e Shqipërisë.

Atë ditë si sot 30 vjet më parë si një dorë hyjnore perëndish lindi shpresa e shqiptarëve.

Lëvizja studentore kishe fituar mbi diktaturën më çnjerëzore në kontinent.

Kjo betejë nuk ishte një normalitet që dikton pluralizmi..

Kjo betejë ishte një luftë e përbindshme antagoniste mes dy botëve, errësirës e dritës, mes dimrit siberian dhe pranverës perëndimore, mes qelive të Spaçit, Burrelit e Qafë Barit, gulagëve të internimit të familjeve të "armiqve të PPSH- së" me oktapodin e diktaturës për demokracinë, për lirinë e fjalës, për lirinë e pronës, për dinjitetin njerëzor.

Ajo qe betejë që nuk mund të përsëritet.

Djemtë e vajzat shqiptare me heroizëm proverbial u ndeshën si Davidi me Goliatin dhe triumfuan mbi tiraninë, mbi diktaturën me të egër në Europë.

Shqiptarët me PD-në në krye nuk ndërruan vetëm sistemin, por vetë mentalitetin e identitetin e tyre të rënduar e tjetërsuar me dhunë në 50 vjet diktaturë.

Në ato ditë të trishta e të ftohta të dhjetorit simbolik për shqiptarët lindi pluralizmi që i hapi rrugë demokracisë, lindi shpresa dhe identiteti i nëpërkëmbur i shqiptarëve.

Brezi i studentëve të vitit 90- mbështetur nga qytetarët e Tiranës dhe rinia shqiptare mbollën në tokën tonë të lirë fidanët e brishtë të së ardhmes europiane të Shqipërisë.

Me dt 22 mars të vitit 1992 pas fitores plebishitare të PD-së dallëndyshet e lirisë nisën udhëtimin e rikthimit për në vendlindje dhe laraskat e korbat të majmur pesë dekada me mishin e gjakun tonë u strukën në pikëllim.

Ishte kjo ditë e madhe që promovoj një kohë të artë.

Partia Demokratike me dt 22 mars të vitit 1992 shqiptarëve u hoqi frikën e rrudhat duke çelur epokën e re të besimit tek Zoti, të besimit tek njëri tjetri, të  harmonisë ndër fetare mes tyre, të shpresës në vend të pabesisë e zhgënjimit, dashurisë njerëzore në vend të urrejtjes, shtetit të së drejtës në vend të shtetit kanibalesk diktatorial, shanseve të barabarta për të gjithë për rritjen e mirëqenies e prosperitetit dhe integrimin e vendit në strukturat euroatlantike.

Kryefjalë e programit të saj ishte çështja kombëtare dhe mbrojtja e të drejtave të nëpërkëmbura të shqiptarëve në Ballkan.

Por stinët dhe ditët e tyre më shumë se vullneti i natyrës i zbukuron apo i shëmton vetë njeriu.

E pra, nga njerëz që vetëm emrin kanë të tillë, pranvera e 92 do të shpërfytyrohej pesë vite më vonë.

Korbat u çuan nga letargjia dhe me jataganët e fshehur apo të importuar nga komshinjtë tonë lakmitarë sulmuan pranverën tonë që kishte ndezur zjarrin në dhjetorin 90- të  dhe e vranë lirin dhe plagosën shpresën shqiptare duke vënë seriozisht në pikëpyetje integritetin territorial të Shqipërisë

Partia Demokratike misionarja hyjnore e ri solli edhe njëherë pranverën humane që na u grabit dhunshëm nëpërmjet bandave të armatosura.

Me vullnetin e Anteut u ri ngrit si feniksi pasi rezistoj e luftoj vite të tëra për mbrojtjen e vlerave të demokracisë, por u rrëzua përsëri për të qëndruar fort gati edhe një dekadë dhe po shkon në mejdanin politik të pranverës që vjen me shpresën për triumfin e madh.

Bota por edhe ne shqiptarët, në kalendarin e shpikur që prej lashtësisë kemi të shënuara shumë data për ti festuar si dhe të tjera për ti mallkuar.

Lëvizjet demokratike në Shqipëri janë më të kahershme se lëvizja studentore e pluralizmi politik i vitit 90- të e themelimi i Partisë Demokratike.

Në këto levizje patriotike kombëtare kanë prirë kolosët e letrave, strategët e luftërave për çlirim kombëtar, etërit e pavarësisë, elita e Kombit Shqiptar e orientuar me kthjelltësi nga perëndimi.

Është e tepërt të thuhet si u trajtuan këta prijës e kolosë demokratë nga regjimi satanik komunist, pasi çdo qytetar shqiptar është i vetëdijshëm për gjymtimin e elitës intelektuale e asgjësimin e disidencës shqiptare duke prodhuar mendje të ndrydhura e shpirtëra të vuajtur e kanibalë.

Prandaj dhjetori i vitit 90-të është rilindja e kombit, çlirimi i tij nga kthetrat e diktaturës më gjakatare në histori.

Datat 8 dhe 12 dhjetor të vitit 90- të si dhe 22 marsi i vitit 1992 do të ngelen përjetë në kalendar si trinia e shenjtë e shqiptarëve, e ngadhënjimit të demokracisë mbi diktaturën, stolisur me ngjyra të bukura sa edhe Rembrandi do ti lakmonte, e me përshkrime që as Balzaku nuk i ka rrokur atë botë.

Por ky trinom e ky përvjetor i 30- të i Partisë Demokratike kërkojnë shokë që të bëhen tok së bashku me kalendarin e kujtesës sonë kombëtare t'i bëjnë shoqëri të gjatë e pakthim lirisë, shpresës sonë, prosperitetit e integrimit, epilogut të tiranisë, prologut të ri zgjimit të shqiptarëve që fatkeqësisht murmurisin trishtueshëm deri në vajtim tash 8 vite vargjet e Pashko Vasë Shkodranit.

Por për ta bërë realitet ëndrrën e shqiptarëve PD-ja duhet vetë të shndërrohet në një konventë të njerëzve të lirë, sepse ajo është vërsnike me lirinë e binjake e shpresës që solli demokracinë.

Kryetari i Partisë Demokratike z Lulzim Basha ka ende kohë për të mbledhur të gjitha potencialet intelektuale, resurset njerëzore, kuntributorët prej tre dekadash, përtej komisioneve famëkeqe Halimi, Ruli, Nishani e Mark Hoveja që larguan palcën e saj, qëndrestarët që u përballën me makinën shtetërore të neodiktaturës e dëshmuan gatishmërinë për tu flijuar familjarisht për parimet e shenjta të demokracisë, të kthejë të përndjekurit politikë dhe pronarët që e mbrojtën dhe e mbështetën në vitet më të vështira që ajo ka kaluar.

Ngadhënjimi nuk vjen me pushtues që kanë desantuar në PD nga dyert, dritaret e nëntoka e shtëpisë së lirisë që i kanë pirë gjakun dhe lepirë kockat dhe kur nuk kishin çfarë të merrnin më e kanë gjuajtur me gurë tempullin tonë të përbashkët e janë bërë pjesë e skenarëve për asgjëshmin e saj në vijimësi  e janë kthyer përsëri tani për përfitime, as me njerëz që i kanë shërbyer diktaturës apo neodiktaturës, bashkëpunëtorë të sigurimit të shtetit apo shërbimeve të huaja antishqiptare që i ka përzgjedhur me "seleksionim", "skarcim", "s kualifikim" komisioni i organizatave të rinisë të PPSH- së e instituti i marksizëm- leninizmit duke i fyer mijëra personalitete që kanë kontribuar për tre dekada për mbrojtjen e vlerave euroatlantike.

Këto komisione janë praktika bolshevike e nuk kanë asgjë të përbashkët me lëvizjen studentore, vlerat europiane të demokracisë e konventën e njerëzve të lirë.

Vetë doktor Halimi në vitin 2017 pranoj detyrën e kryetarit të komisionit të s`kualifikimit të demokratëve e tani që u seleksionua edhe vetë është mërzitur.

Shprehja e artë popullore thotë "ça të ia besh dikujt ta bën dikush tjetër ty".

Demokratët nuk përçahen me komisione antistatutore, ata i bashkon historia, misioni, qëndresa për liri e demokraci, dhimbja, gëzimi, humbja e suksesi.

Zoti Basha!

Kartolina më e bukur për partinë që lindi nga providenca hyjnore në këtë 30 vjetor të saj pas dekriminalizimit të politikës shqiptare është dekomunistizimi, despiunizimi, denepotizmi dhe çlirimi nga sulltanët, sadrazemët e vetë Ayatollah Khomeini Sali Berisha që e mbajnë të mbërthyer nga tentakulat e tyre për përfitime personale.

Kartolina më e bukur e Berishës për PD- në në këtë përvjetor të tridhjetë, ne prag të festave të fund vitit do të ishte dorëheqja reale nga politika.

Ndihmoje PD-në doktor me dorëheqjen tuaj realisht sepse do të jetë kontributi më i çmuar për fitoren e saj.

Kësaj here pranvera është jo vetëm ëndrra jonë, por edhe njëmendësia për ta sjellë e gjithsecili duhet ta japë atë kontribut që nevojitet.

Bashkimi bën fuqinë e fuqia sjell fitoren, por demokratët bashkohen kur të ikni Ju Ayatollahu ynë që nuk ke udhëhequr si prijës por si sundimtar dhe ke larguar çdo demokrat apo demokrate që ka menduar ndryshe nga Ju dhe e ke ndarë PD në mënyrë të pamëshirshme në copa copa dhe ke bërë në prapaskenë ujditë më të çuditshme për interesat tua utilitare e për mbijetesë politike pa i pyetur fare demokratët e demokratet duke i trajtuar si jeniçerë, apo mercenarë prandaj po ta përsëris doktor është koha për të ikur.

Doktor shijoje nga shtëpia fitoren që po troket së bashku me pranverën e pritet ta certifikojnë shqiptarët me verdiktin e tyre.

Kurrë s'u kam besuar paradokseve të përjetshme.

Ju kam dëgjuar disa herë të deklaroni doktor se nuk kam ikur nga beteja, e do të iki i fundit, duke perifrazuar shkrimtarin e madh Viktor Hygo, por luani sado i fortë që të ketë qenë në beteja kur mplaket e hanë hienat, prandaj ik më mirë nga mejdani politik me lavdi sepse një proverb popullore na mëson:

"Sa më e madhe të jetë lavdia aq më i madh është probabiliteti për ta humbur përjetësisht atë".

Ik doktor sepse nëse penalizohet edhe kësaj radhe PD- ja në pranverën që vjen dhe humb për shkak të qëndrimit tënd refraktar, atëherë Ju vetë e përligjni tezën "Fajin e ka Saliu", veçse kësaj radhe do të buçasë fort nga kori i demokratëve e nuk do të mbetet për ty nder as lavdi sepse vërtetoni dyshimin e arsyeshëm se nuk doni fitoren e PD -së as nuk dëshironi që Lulzim Basha të bëhet kryeministër.

Kur iku për në amshim presidenti i SHBA- së komandanti i ushtrive aleate që kishte ngadhënjyer mbi fashizmin në Luftën e Dytë Botërore Ajzenhauer tha:

"Mjaft punova për Amerikën tani po më thërret Zoti".

Ikni edhe ju doktor të kujtoheni për mirë e mos e fshini të gjithë kontributin që kanë dhënë.

Duhet ta pranoni doktor epilogun, edhe lisi ka afat.

Boll më e mbajte peng PD dhe fitoren e saj, sepse populli do të votojë për ndryshimin në mënyrë plebishitare.

Kurrë nuk kam besuar tek paradokset e përjetshme.

Gjithmonë kam besuar e kam besim tek Zoti e ringjallja.

E ky besim tek 25 prilli është kaq i fort e masiv kësaj here sa frikësohem se mos xhelozohet dita e shenjtë e demokracisë shqiptare 22 marsi i vitit 92.

E kush do ta ndërronte dimrin e zi me stinën e bukurisë?!

Askush!

Shqiptarët do të votojnë për ringjalljen e pranverës e jo për dimrin e zi

Gëzuar ditëlindjen PD që linde në dimrin e akullt të vitit 90- të, e solle pranverën e lirisë dhe demokracisë shqiptare në marsin e vitit 92.

Bekim për këtë ditë të shënuar në enciklopedinë shqiptare.

Urime e suksese në betejën e pranverës.

Pranverën na ka falur Zoti dhe nuk guxon kush të na vjedhë, aq me tepër kur si komb i kemi identifikuar kusarët e kuislingët.

Këtë pranverë do ta vulosë sovrani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat