Krejt “Albinat” e Kosovës!

Opinione

Krejt “Albinat” e Kosovës!

Nga: Melihate Tërmkolli Më: 20 dhjetor 2020 Në ora: 16:07
Melihate Tërmkolli

Sa keq që opinionistë, analistë e kritikë të rrjedhave politike në Kosovë, veç tani e paskan kuptuar “lidhjen” e Albin Kurtit me ekstremin islamik e politik. Ai dhe partia e tij vetëm ka bashkuar qëllimin dhe mjetet, me çdo mjet, në ecjen politike gjatë gjithë këtyre viteve. Nuk është se Albini ka krijuar këtë lidhje me pranimin apo aderimin e Mustafë Bajramit në VV. Përkundrazi! Është politika dhe konceptet e Albinit që e kanë sjellë atë aty. Madje ai ka shkuar edhe përtej kufijve të Kosovës. Para më shumë se një viti, p.sh. organizimin e një vizite të delegacionit të VV-së, në krye me Albin Kurtin në Turqi e kishte bërë një i quajtur Osman Atalay, i cili më shumë se organizator, sillej e shihej në fotografitë nga takimet si pjesë e delegacionit të Albinit. U tha se Osman Atalay është drejtues i një organizate joqeveritare IHH, e cila “nga institucionet ndërkombëtare që merren me hulumtimin e terrorizmit ndërkombëtar, cilësohet si “fytyra joprofitabile e xhihadizmit” ndërsa Osman Atalay është “ një nga njerëzit më të zëshëm që kishte dënuar SHBA-të për vrasjen e liderit të AL-Kaidës, Osama bin Laden”. (https://lajme365.com/, 19/06/2019).

Më tepër se keq, që pothuajse vetëm në këtë pikë, Albini nuk është i vetëm!. Ndonëse në forma të tjera e të ndryshme, të gjitha partitë politike në vend, pa përjashtim, në një mënyrë apo tjetër, sidomos në dekadën e fundit, koketojnë e krijojnë lidhje nga më të pabesueshmet me islamin ekstrem e politik. Madje shkojnë deri aty sa përpiqen ose nuk bëjnë asgjë në përpjekjet për të zëvendësuar identitetin kombëtar me atë fetar islamik.

Kjo çështje prandaj është problem nacional i Kosovës që nuk ndërlidhet vetëm me Albin Kurtin.

Kritikët e mirëfilltë, këtë çështje do ta shihnin para së gjithash, pra si problem nacional, jo veç të sotëm dhe jo të lidhur veç me Albinin.

Dhe së fundi, a i përket vërtetë Mustafë Bajrami islamit ekstrem e politik apo të tillë e bëjnë, Albini, Hashimi, Isa, Kadriu, Ramushi etj. etj.

E ndalojnë maskat virusin, apo jo?!

Prishtinë, 20 Dhjetor 2020

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat