2021 - Fundi i akrobacioneve politike dhe dramave për pushtet

Opinione

2021 - Fundi i akrobacioneve politike dhe dramave për pushtet

Nga: Adea Hasi Më: 3 janar 2021 Në ora: 00:34
Adea Hasi

Viti që lamë pas nuk ka qenë i lehtë për asnjë shtet në botë. 2020-ta paraqet një vit të vështirë, një sfidë në nivel botëror, një provë të madhe të sistemeve shëndetësore dhe shkundje të themeleve të çdo gjëje që e kemi marrë si të mirëqenë deri tani.

Në vitin 2020 u përballëm me një pandemi vdekjeprurëse, që na zuri të papërgatitur dhe të papërvojë në këtë aspekt të menaxhimit të situatës. Pamë që sistemi jonë shëndetësor nuk ishte i stabilizuar dhe kishte boshllëqe të panumërta, por vërejtem se kishim heronj që ballafaqoheshin me rrezikun çdo ditë, vërejtëm se kishim njerëz që u munduan ta menaxhonin më së miri situatën, edhe pse situata që krijohej çdo ditë nuk ishte aspak në favorin e tyre. Nga kjo pandemi mësuam se asgjë nuk është e garantuar, asgjë nuk është përgjithmonë, dhe mjafton një shkas që të ndryshohet komplet jeta që kishim pasur më heret. Mirëpo, na rikujtoi më të rëndësishmën, se çfarëdo që të ndodhë, ajo që ka më së shumti rëndësi është familja dhe mirëqenia familjare.

Ata që duhet të marrin mësim më së shumti nga situata e vështirë që kaluam dhe që ende po përballemi janë politikanët dhe klasa politike kosovare. Duhet të kuptojnë se vëmendja duhet të fokusohet te një sistem i konsoliduar shëndetësor. Spitalet të jenë të pajisura për t’i mbuluar nevojat e pacientëve, stafet mjekësore të jenë profesionale dhe të gatshme për intervenime, të ndahen anash shuma buxhetore për situatat e jashtëzakonshme dhe çka është esenciale – kujdesi të ofrohet i barabartë për gjithë qytetarët në Kosovë, pa kurrfarë dallimesh.

Pastaj, të sigurohet një mirëqenie e përgjithshme e popullit, që kur të ketë situata të jashtëzakonshme, një shtresë të mos bie në gjendje të varfërisë së skajshme.

Klasa politike të fokusohet në forcimin e sistemit arsimor, që të diplomohen studentë të fortë, të nxirren gjenerata cilësore nga çdo drejtim, që kur të ketë nevojë shteti, të bashkëpunojnë për të menaxhuar bashkarisht situatat që krijohen.

Sikur të mos mjaftonte pandemia me sfiden ekonomike që solli, ne u përballëm edhe me kriza dhe jostabilitete të natyrës politike. Në vend se të udheheqte një qeveri (ajo që rastisi në udhëheqje) dhe opozita bashke me krejt partitë e tjera ta ndihmonin me çdo kusht në menaxhim të situatës, ndodhi e kundërta. Vazhdimisht kemi qenë dëshmitarë të planeve dhe kordinimeve për të marrë pushtetin dhe “akrobacioneve politike” për të arritur deri në udhëheqje të shtetit.

Situata e vitit të shkuar na ka vënë në pah rëndësinë e një qeverie që duhet t’i shërbejë popullit e jo interesave të veta. Neve na duhet një qeveri që nuk lakmon karriget, që nuk synon të punësojë partiakë e familjarë por njerëz me vlera, njerëz të shkolluar e të përgatitur. Na duhet një qeveri e punës e jo e luksit, një qeveri që vlerëson individin dhe kujdeset për mirëqenien e familjes, e jo qeveri që e sheh individin si një numër më shumë në listën e tij të kalkuluar të votave.

Mirëpo, mbi të gjitha neve na nevojitet vetëdijësim i popullit. Ky popull njëherë e mirë tu thotë stop dramave politike, stop aktorëve politikë që nuk e lëshojnë skenen me vite me radhë, dhe të mos lejojë të përsëriten vazhdimisht të njejtat skenare. Tashmë rolet janë të dukshme, poashtu dhe qëllimet e gjithësecilit aktor.

Prandaj, mos të vazhdojmë ta mashtrojmë veten me mendimin se diçka mund të ketë ndryshuar tek subjektet e vjetra politike të udhehequra nga të njejtit njerëz.

Nëse na ipet mundësia të zgjedhim, të mendojmë mirë, të analizojmë në detaje dhe të mos biem pre e premtimeve dhe skemave politike të partive. Përfundimisht besoj se liderët dhe partitë politike nuk do ndërrohen, derisa nuk ndërrohet mendimi dhe mentaliteti politik i popullit që voton.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat