Pasojat shkatërruese të protagonizmit egoist në politikë!

Opinione

Pasojat shkatërruese të protagonizmit egoist në politikë!

Prof. As. Dr. Enver Bytyçi Nga Prof. As. Dr. Enver Bytyçi Më 3 janar 2021 Në ora: 16:50
Edi Rama

Në maj të vitit 1912 u mblodh në Junik të Kosovës ai që tashmë ka marrë emrin "Kuvendi i Junikut". Ai kuvend u bëri thirrje shqiptarëve që të mobilizohen në luftë kundër Perandorisë Osmane në agoni, me synim kryesor krijimin e shtetit të ri shqiptar. Nga kjo thirrje në gusht të atij viti ushtria e kryengritësve e udhëhequr nga Hasan Prishtina, Isa Boletini dhe Bajram Curri, tre burra të mëdhenj të Kosovës e shqiptarisë, arrit që të numëronte në radhët e veta mbi 30 mijë burra të armatosur. Rrallë herë ishin mobilizuar kaq shumë kryengritës në luftën për lirinë e pavarësinë e Shqipërisë që prej kohës së Skënderbeut e pas vitit 1912. Dhe bëhet fjalë për Shqipërinë etnike, në kufijtë natyrorë të saj të katër vilajeteve!

Në gusht të atij viti forcat shqiptare të kryengritjes çlirun Shkupin, i njohur në atë kohë si kryeqendra e Vilajteti të Kosovës. Por pas çlirimit të tij, në vend që të ngrihej flamuri i pavarësisë e të shpallej mëvehtësia e Shqipërisë, filluan grindjet midis kapedanëve të kryengritjes për protagonizëm. Për këtë shkak Shkupi i çliruar nga osmanët shumë shpejt ra në duart e pushtuesve serbë. Lufta për protagonizëm i përçau shqiptarët dh krerët e kryengritjes. Nëse do të shpallej pavarësia jonë në gusht e jo në nëntor të atij viti, mund të kishte shanse që shqiptarët të reagonin kundër pushtimit serbo-grek të vjeshtës së vonë të atij viti dhe ta shpëtonin atdheun prej dhunës e terrorit të këtyre dy shteteve grabitqare fqinjë në veri e në jug. Dhe nesë do ta mbronin vendin, Konferenca e Londrës nuk do ta linte thjesht në duart e Rusisë dhe Francës procesin dhe të ardhmen e krijimit të shtetit shqiptar!

Ma kujtoi këtë fakt historik një deklaratë e ambasadorit Mal Berisha, i cili para disa ditësh dëshmoi se si Edi Rama i kishte kërkua kryeministrit britanik, David Cameron, në dhjetor 2013, që ta bllokonte dhënien e statusit kandidat për Shqipërinë nga ana e BE-së, për shkak se meritat e këtij suksesi do të shkonin te ish-qeveria e mëparshme e demokratëve të Sali Berishës. Nuk e ve në dyshim vërtetësinë e asaj që ambasadori Berisha pohon, sepse e njoh nga afër dhe e di, se ai e kursen edhe Edi Ramën nga të vërtetat e tjera të hidhura që ia njeh atij, për të ruajtur integritetin e shtetit shqiptar! Por ky lloj protagonizmi na përsëritet vazhdimisht. Edhe në vitin 1912 lufta midis krerëve shqiptarë u bë për protagonizëm, aq sa për këtë shkak shpallja e pavarësisë u shty disa muaj dhe kjo me pasoja të rënda për fatin e kombit.

Një fakt i tillë të bën të kuptosh se liderët shqiptarë, më shumë se liderët e tjerë rajonalë e më gjerë, vuajnë nga egoja e protagonizmit. Tek kjo ndjenjë dhe te kjo ambicie duhet t'i kërkojmë rrënjët e konfliktit te liderët politikë shqiptarë në Shqipëri, në Kosovë, Maqedoni e gjetkë. Të etja për lavdi, pushtet, pasuri dhe madhështinë e pushtetit duhet kërkuar pamundësia për bashkëpunim dhe marrëveshje midis mazhorancave dhe minorancave opozitare tek ne. Te etja për protagonizëm, për të përvetësuar sukseset dhe për t'u mburrur me dështimin duhen kërkuar rrënjët e së keqes që sot ka kapluar vendin tonë.

Nëse analizojmë proceset e zhvillimit historik te ne, sidomos në Shqipëri, vemë re se vendi ynë është shumë më tepër viktimë e garës për protagonizëm të brendshëm, sesa viktimë e diversiont dhe agresionit të jashtëm. Kur lexojmë librat e historisë, ata janë të mbushur me rrenën e madhe se "Shqipëria ka qenë gjithnjë e kërcënuar nga jashtë". Por në fakt Shqipëria ka qenë e kërcënuar nga jashtë po aq sa Franca, sa ish-Jugosllavia ose Greqia. Pengesa e zhvillimit të saj nuk janë të "jashtmit", por të brendshmit e formësuar me identë e "lavdisë së përjetshme", thjesht se kanë zënë plotronin e kryeministrit ose të presidentit të vendit. Kështu ka ndodhur nga dita e formimit të Partisë Komuniste në nëntor 1941 e deri në rënien e regjimit diktatorial në dhjetor 1990. Kështu ka ndodhur shumë raste edhe gjatë tranzicionit. Por ajo që ndodh sot i tejkalon kufijtë e imagjinatës!

Për hir të protagonizmit kategoria politikanëve të tipit të kryeministrit të sotëm shqiptar kanë bashkëpunuar edhe me armiqtë historikë të shqiptarëve, vetëm që të "hyjnë në histori"! Nuk ka dhe nuk mund të ketë një shembull të dytë në botë, kur konflikti politik për shkak të etjes për lavdi e protagonizëm ta çojë vendin në buzë të greminës! Nuk ka dhe nuk do të ketë një rast të dytë në planet kur klasa politike për shkak të protagonizmit e shet dështimin si fitore dhe sukses të qeverisjes së saj, siç ndodh në Shqipëri.

Shqipëria është rast unik i papërsëritshëm i unifikimit politik me aktorët e faktorët kundërshtarë e armiq të jashtëm, vetëm e vetëm për të luftuar dhe për të mposhtur kundërshtarët e brendshëm politikë! Bashkëpunimi i kryeministrit të Shqipërisë me presidentin e Serbisë është shembulli më perfekt i kësaj sindrome. Jo pak raste Edi Rama ka shfrytëzuar lidhjet dhe konferencat e shtypit me Aleksandër Vuçiç, me qëllim që të godasë dhe të atakojë opozitën e tij në Shqipëri. Dhe më e keqja qëndron se këtë sëmundje politike të Tiranës ai e ka transferuar te politikanë të korruptuar e inkriminuar të Prishtinës! Gjithçka në funksion të interesit të palës së tretë, Serbisë!

Bashkëpunimi i tij me kryeministrin britanik, Cameron, për shtyrjen e statusit të vendit kandidat për pranim në BE për Shqipërinë për mua mbetet gjëja më pak e rrezikshme për vendin tonë. Por protagonizmi i Edi Ramës dhe etja dhe egoizmi i tij i pafre, shkon përtej këtij bashkëpunimi. Për arsye të pushtetit dhe pasurisë së grabitur ai iu bashkua të gjitha nismave anti-shqiptare e sidomos anti-Kosovë të presidentit të Seërbisë, me qëllim që të "ruante statusin e liderit rajonal", emërtim me të cilin miku i tij Vuçiç ia përmendte me tallje e ironi shpotitëse! Se ky realitet është aq i trishtë dhe aq i pranishëm, këtë e dëshmojnë deklaratat spiropaliane, të Çuçit e Gjiknurit, me të cilat ata e krahasojnë liderin e tyre me Skënderbeun! Dhe për këtë shkak këta ministra marrin shpërblime të majme prej kryeministrit tonë!

Kush beson te egoja dhe etja për lavdi, mund ta besojë kryeministrin tonë! Kush beson te protagonizmi i individit, pra te kulti i tij, mund të besojë në mënyrë të verbër edhe te Edi Rama! Kush beson te pushteti i Edi Ramës dhe pret poshtë shkallëve të tij të rrjedhë ose të pikojë diçka nga prapanica e këtij pushteti, le të besojë edhe te protagonizmi i tij! Por të besosh se qeverisja realizohet në kushte normale, kur atë e sundon etja për protagonizëm dhe jo drejtësia dhe liria, do të thotë se bëhesh palë me të keqen kundër vlerave të lirisë e të drejtësisë njerëzore e hyjnore. Protagonizmi nuk sjell drejtësi e as liri, përveçse imponim, arrogancë, e deri diktaturë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat