Zgjedhjet e parakohshme në LDK, të domosdoshme

Opinione

Zgjedhjet e parakohshme në LDK, të domosdoshme

Idriz Zeqiraj Nga Idriz Zeqiraj Më 4 janar 2021 Në ora: 12:49
LDK

Përjashtimi i debatit të shpenguar, anashkalimi i konkurrencës së ndershme zgjedhore, përjashtimi i votimit të fshehtë demokratik, ka rrënuar demokracinë e brendshme partiake. Dhe, pa këtë demokraci, nuk ka demokraci të mirëfilltë në Kosovë. Po të zbatoheshin këto tri parime bazike, nuk kishte arsye për ndarje brenda partiake, as bërrylime klanore. 

Këtij kodi zgjedhor, nuk do t`i mbijetonin asnjëri nga liderët partiakë aktual autokratë, madje, as shumica absolute e anëtarëve të Kryesive aktuale partiake. Pa këta ngulfatës të lirisë të shprehjes dhe të zgjedhjes, Kosova do të frymonte ndryshe dhe reformat do të nismonin natyrshëm. Prandaj, zgjohuni, o ju skllevër të shekullit dixhital, i fusni këta horrakër në votimin e fshehtë demokratik, për ta parë nulitetin, xerrësinë e tyre! "Kur çethën ogiçët, i shihni çfarë morracakësh janë", - thoshte Akademiku ynë, shumë i respektuar, Mark Krasniqi.

Për fund, pas shuarjes fizike të kryezotit Rugovë, filloi "gjuetia e shtrigave" kundër rugovistëve, të cilët reagonin ndaj atyre që putheshin me armiqtë e Rugovës dhe të LDK-së. Një nga një apo në grupe, i largonin, i eliminonin politikisht. Por, kësaj radhe "pazarët i kanë bërë pa hanxhinë!" Si duket, Dr. Vjosë Osmanit "i rëndojnë" më shumë se sa të gjithë klanorëve, marrë së bashku! Është koha të bashkohen të gjithë rugovistët, me synimin fisnik, për ta bashkuar trashëgiminë e Presidentit Rugova.

Lexo edhe: Sllogani - Guxo - meritor për guximtaren Dr. Vjosë Osmani

LDK-ja duhet të këndellët. Nuk ka nevojë për anatema e përjashtime. Dr. Vjosë Osmani nuk ka dezertuar dhe, aq më pak, tradhtuar! Janë të koritur, të gjithë ata që përgojojnë Vjosën. E vetmja "fajësi" e saj është se ajo "GUXO-n" më shumë se të gjithë të tjerët. Ajo ka qenë dhe mbetet qëndresëtare e dinjitetshme, e cila GUXO-n të përballët edhe me burrat, me mustaqe apo pa ato. E gjithë fajësia bie mbi klanorët burracakë, të shantazhuar, keqas, nga SHIK-u vrastar, i cili i bënë listat selektive dhe lidërshipi i LDK-së i zbaton vrazhdësisht.

Në zgjedhjet e pritshme LDK-ja nuk humbet asgjë. Përkundrazi, fiton, sepse shkatërruesit e Kosovës do të pauzojnë, për ta bërë bilancin e krimeve dhe të hajnive të tyre zyrtare. Ndërsa do të udhëheqin LVV me dyshën e LDK-ve. Ndërkohë, së bashku, do ta përgadisin Kuvendin e jahtëzakonshëm të LDK-së, për të qenë të gatshëm për konkurrencën e dinjitetshme në zgjedhjet lokale vjeshtore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat