Albini ka “faj”!

Opinione

Albini ka “faj”!

Ramazan Bekteshi Nga Ramazan Bekteshi Më 11 janar 2021 Në ora: 07:37
Albin Kurti

Albini ka ‘faj’ sepse Amerikën s’e quan Amelikë, të zezës nuk i thotë e bardhe, sepse politikanët hajna s’i quan melaqe por helaqe, mallkimin s’e quan uratë, dhe tradhtisë s’i thotë heroizëm.

Ka ‘faj’, Albini ka, sepse zgjodhi rrugën e vështirë në vend të së lehtës, sepse zgjodhi kushtrimin në vend të nënshtrimit, zgjodhi zërin në vend të heshtjes, dhe sakrificën në vend të komoditetit.

Ka, plot ‘faje’ Albini, sepse zgjodhi guximin para frikës, e zgjodhi të vërtetën para mashtrimit. Ka ‘faj’ Albini, sepse më parë zgjedh rrugën e viktimizimit se sa triumfit me faqe të zezë. Ka ‘faj’ ai, sepse më parë zgjedh fukarallëkun se zengjinllëkun me para të popullit.

Albini ka ‘faj’ sepse i duroi stoikisht shqelmat e ‘pelave dhe kuajve’ lazdrakë te ish-partiakëve të tij, por kjo e bënë edhe më ‘fajtor’ Albinin, sepse nga kjo betejë ai doli edhe më i fuqishëm. Ka ‘faj’ ai, sepse me guxim u përball me ‘ortekun e ujqërve’ në parlament në kohë pandemie, ka ‘faj’ sepse grusht shteti dhe tradhtia e komplotistëve e bënë edhe më të fortë.

Po, ‘fajin’ e ka Albini, pse i ranë nga dora Thaçit gërshërët , Albini është ‘fajtor’ pse Thaçi nënshkroi Specialen, Albini ka ‘faj’ pse Thaçi e Isa nënshkruan Zajednicën, edhe për Çakorrin Albini ka ‘faj’ sepse nuk pajtohej. Dhe ‘fajet’ e Albinit vetëm se po rriten deri përtej Atlantiku, sepse ai ka ‘faj’ pse Trump e Grenell ranë dhe u mbytën në Ujëman, Albini ka ‘faj’ sepse fitues është Joe Biden!

Albini është ‘fajtor’ pse s’ka njohje por çnjohje, ai është ‘fajtor’ për vrasjet e pas luftës, Albini është ‘fajtor’ për vjedhjet e shekullit nga pushtetarët, dhe për depozitat në banka të huaja. Albini është ‘fajtor’ për plaçkitjen e Fondit të Qeverisë 3% dhe Fondi Vendlindja Thërret, ‘fajtor’ për shpenzim të fondit rezervë të shtetit, për vjedhjen e 2 milionëshit te Thesarit. Ai është ‘fajtor’, sepse për vjedhjen e shekullit, askush s’është shpall fajtor. Albini është ‘fajtor’ sepse Kosova është shndërruar në një çerdhe plaçke, mizorie e kaosi.

Albini e ka ‘fajin’ pse Kosova zbrazet, pse n ‘a ikin mjekët, kuadrot më të mira, ai ka ‘faj’ pse “gërnaçët” i dërgojnë remitanca Kosovës, është ‘fajtor’ sepse shumica e diasporës e adhuron. “Fajtor” është ai, andaj gjuani balte, gurë e dru mbi yllin e tij, sepse pastaj ai shkëlqen edhe më ndritshëm. Albini ka ‘faj’ pse Kushtetuesja nuk ndan drejtësi por marrëzi.

Pos ‘mëkateve’ të Albinit, fajtore kujdestare numër dy është një femër e guximshme e Kosovës. Dhe ‘faji’ i vetëm i saj është pse është femër, një femër më burrërore se meshkujt e shtëpisë.

‘Fajtore’, pse është femra më e votuar në Kosovë, ‘fajtore’, pse është shqiponjë e jo sorrë, ‘fajtore’, pse është mendjendritur dhe e panënshtruar.

Meshkujve të dobët të shtëpisë sikur nuk u mjaftoi linçimi dhe përjashtimi i saj por e bënë fajtore për shkak të dukjes së saj. Pra, Vjosa është ‘fajtore’, vetëm pse nuk është një manekine që t’u ‘përdridhet’ ‘dinozaurëve’ të partisë, por një femër kurajoze dhe e vendosur që ua ‘theu’ nofullat pleqve të partisë te “Qafa” derisa protezat e dhëmbët e tyre fluturojnë te selia e PDK-së ku do të duhej ti mblidhte Hoxhaj më pas, në shenjë miqësie.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat