Zgjedhjet e ndryshimit të madh

Opinione

Zgjedhjet e ndryshimit të madh

Nga: Sali O. Kabashi Më: 12 janar 2021 Në ora: 19:26
Sali O. Kabashi

Zgjedhjet e jashtëzakonshme që do të mbahen me 14 shkurt 2021, janë pikë kthese për politikën kosovare dhe përqendrimin e saj në rrjedhojat e shtetit të Kosovës. Se kush do të jetë në krye, kush do të humb e kush do të fitoj, nuk ka rëndësi, ajo që dihet është që fillimi i dekadës së tretë të shekullit XXI, po sjellë fillimin e një epoke të re politike për Kosovën.

Partitë politike tashmë kanë filluar me përgatitjet e tyre, secila në mënyrën e vetë, dikush më shumë e dikush më pakë, megjithatë aderime të reja ka në secilën parti e cila pretendon majat e politikës kosovare, e aç më shumë në ato parti që pretendojnë pushtetin dhe udhëheqjen e shtetit.

Pluralizmi politik në Kosovë ka bërë që në skenën politike të ketë parti të cilat kanë synime të ndryshme, disa kanë apetite për udhëheqje të qeverisë së ardhshme, qoftë vetë apo me koalicione, disa të tjera kanë synime të kalojnë pragun zgjedhorë ndërsa të tjerat, thjeshtë mbijetesën, eventualisht futjen e ndonjë deputeti në Kuvendin e Republikës së Kosovës përmes listave të partive të mëdha.

Partia e cila tashmë dihet që qëndron në “PolePosition” për të fituar shumicën e votave të elektoratit, është Lëvizja Vetëvendosje, e cila sipas të gjitha sondazheve del se mund ti ketë nga 40% deri në 50% të votave, por se a do ta arrijë 51% atë nuk mund ta themi, ndonëse apetitet tashmë janë të shtuara nga deklaratat e zyrtarëve të kësaj partie. Dilema e madhe është se a do t'i lejohet kandimi liderit të saj Albin Kurti apo jo, nëse jo, cili do të jetë epilogu i kësaj supermungesë në listën zgjedhore të VV-së!? Mendoj që një mungesë e Kurtit në listën zgjedhore të Lëvizjes Vetëvendosje nuk do të lente shumë gjurmë negative, ngase e gjithë rruga e kësaj partie bazohet në politikbërjen e z. Kurti, e që votuesit e saj do ta shihnin si shtytje shtesë që të votohej kjo parti.

Nëse në Kosovë është një parti e cila po bënë reforma dhe po sjellë një frymë të re në trungun e saj, ajo është Partia Demokratike e Kosovës. Megjithëse edhe vetë kjo parti e ka kuptuar se mundësitë e saj nuk e arrijnë qëllimin, të paktën jo tani dhe jo në këtë situatë, ajo po vazhdon me punën në ndryshimin e kursit të kësaj partie. Sipas mendimit tim, fituesi i këtyre zgjedhjeve mund ta ketë opsionin më të afërt për bashkëpunim këtë parti, ngase ajo që kërkohet nga e vjetra, të reformohet, e ajo po ndodhë me Partinë Demokratike të Kosovës.

Një parti e madhe, me traditë dhe me histori të veprimtarive paqësore, siç është Lidhja Demokratike e Kosovës, nuk qëndron mirë sa i përket reformave dhe ndryshimeve që doemos nevojiten. Rruga e njëjtë, akterët e njëjtë dhe mënyra e njëjtë, pa dyshim se nuk ka ku dërgon diku tjetër, përveç se në destinacionin e njëjtë! Fatkeqësisht kjo po ndodhë me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Sipas të kaluarës së afërt,nëse veç dalin të sakta sondazhet për fituesin e mundshëm eventual, kjo parti në legjislaturën e ardhshme do të jetë në opozitë.

Një iniciativë e dalur nga Lidhja Demokratike e Kosovës e cila pritet të bëj "BOOM", është Iniciativa Guxo e prirë nga Vjosa Osmani e cila u përjashtua nga ish-partia e saj. Iniciativa e UD të Presidentit, do ta provoj veten si një listë e vetme zgjedhore, apo ndoshta edhe t' i bashkohet listës së pretendentit kryesorë në këto zgjedhje, me të cilët pretendohet të sillet fryma e re politike në vend. Një koalicion ndërmjet tyre do të ndodhë, por, a do të ndodhë para zgjedhjeve apo pas, kjo mbetet të shihet.

Partia tjetër e cila i heziton reformave, është edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e që mendoj që hezitimi do i kthehet në reflektim nga votuesit dhe goditje për vetë partinë e krahut të luftës së Dukagjinit. Lideri i saj pa dyshim se gëzon një respekt të madh tek votuesit dhe se ka elektorat të vetin, por ai elektorat nuk është me numër më të madh sa ta kaloj vetëm pragun zgjedhorë.

Nga krahu i luftës kishte dalur edhe NISMA, realisht e ndarë nga Partia Demokratike e Kosovës, por që nga themelimi e deri me sot, kjo parti është duke ecur në një teh të mprehtë politik duke rrezikuar shumë, e sidomos në zgjedhjet e vitit 2019 kur në momentet e fundit e kaloj pragun. Andaj, mendoj që nëse nuk hyn në ndonjë koalicion apo ti bashkohet ndonjë liste zgjedhore, kjo parti do ta pësoj një humbje të pritshme.

Të tjerat si Aleanca Kosova e Re, Alternativa, etj., janë parti të cilat do të synojnë të bëhen pjesë e ndonjë listë zgjedhore, e që AKR tashmë e ka zyrtarizuar një gjë të tillë me Lidhjen Demokratike të Kosovës, e që do t'iu mundësohej hyrja në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Megjithatë në këto zgjedhje do të kemi matje të forcave të partive politike pa koalicione, duke dalë në zgjedhje të vetme.

Të flasim për të ardhmen, është pak e pakuptimtë, por e sigurt është se zgjedhjet e 14 shkurtit nuk do të jenë të njëjta! E para se në këto zgjedhje nuk do të jenë pjesë e listave zgjedhore disa nga figurat kryesore të krahut të luftës dhe e dyta se do të ketë një ndryshim të madh në frymën politike, ku votuesi i cili tashmë është duke ndryshuar edhe në mendësi dhe qëllim, do të refuzoj të mbetet i mbyllur në ideologji të vjetruara, të pakuptimta dhe të pafrytshme për të ardhmen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat