Përse ndodhin vërshimet?

Opinione

Përse ndodhin vërshimet?

Nga: Ymer Raci Më: 28 janar 2021 Në ora: 11:07
Ymer Raci

Pozita relievore që e ka Kosova me përbërësit e vet meteorologjikë dhe hidrografikë nuk duhej të kishte pasoja nga vërshimet e përmbytjet e ujërave siç po ndodh në vazhdimësi. Kosova nuk ka të reshura aq të mëdha për t‘u shkaktuar këso vërshimesh. Të reshurat mesatare vjetore sillën rreth 800mm./m2. në Rrafshin e Dukagjinit dhe rreth 600mm./m2. në Rrafshin e Kosovës. Mandej, Kosova nuk ka as lumenj të mëdhenj dhe si të tillë nuk kanë prurje të mëdha. Janë kryesisht lumenj të shkurtër me prurje të vogël të ujit. Në Pellgun e Drinit të Bardhë prurja është vetëm 60m3/sec, në Pellgun e Ibrit vetëm 33m3/sec. dhe në Pellgun e Moravës së Binçës vetëm 7m3/sec. Prandaj vërshimet e tilla (përmbytëse) janë rezultat nga ndërhyrjet e faktorit njeri.

Vendet me karakteristika të ngjashme relievore,hidrografike e meteorologjike,me Kosovën tashmë nuk përballen me vërshimin e ujërave në terren madje edhe si tema tashmë janë të harruara. Dukuria e vërshimeve dhe dëmëve që po i pëson vendi ynë kanë të bëjnë kryesisht me faktorë të keqmenaxhimit, apo, thënë më mirë, hiqmenaxhimit të ujërave.

Relievi,klima dhe hidrografia si faktorë natyrorë përbejnë vetem njëri prej shkaktareve të vershimeve derisa shkaktar tjetër i vërshimeve në Kosovë është njeriu me veprimet e tij negative. Kështu, shkaqet natyrore të vërshimeve, që ndodhin si rezultat i faktorëve klimatologjik-meteorologjik, gjeomorfologjik,e relievor janë; reshjet-shirat dhe shkrirja e borës, shkalla e rënies së shtratit të lumit-profili gjatësor, procesi i erozionit-zhveshjes së tokave dhe bimësisë përgjatë pellgjeve, si dhe dëmtimi i bimësisë-drunjve që e rrit sasinë dhe shpejtësinë e ujërave në rrjedha ujore, duke shkaktuar përmbytje, rrezik për jetën e njerëzve, degradim të mjedisit në përgjithësi dhe probleme të shumta ekonomike e sociale etj.

Megjithatë, vërshimet e shpeshta në Kosovë karakterizohen kryesisht nga shkaqet njerëzore, që lidhen me veprimin dhe ndikimin e faktorit njerëzor në mjedis, e sidomos në shtretërit e lumenjve. Hudhja e materialeve të ndryshme nëpër shtretërit e lumenjve ka ndikuar në degradimin dhe ndërrimin e shtretërve të lumenjve dhe ujërrjedhave të tjera, duke i shëndrruar në deponi. Pastaj, shfrytëzimi i zhavorit përgjatë lumenjve e sidomos në pellgun e Drinit të Bardhë, duke shkaktuar degradim masiv, të pariparueshem, me nxjerrjen e zhavorit si bazament natyror në shtratin e lumit, duke e bartur atë për nevojat ndërtimore dhe trasimin e rrugëve. Faktorë tjetër degradues paraqesin edhe ndërtimet kaotike të objekteve të ndryshme që nga paslufta, mosrespektimi i mjaftueshem i kritereve të ndërtimit, rrjeteve të kanalizimit, kullimit etj, që për pasojë kanë përmbytjet e ashtuquajtura urbane (pa patur afër as lumenj, as rrjedha të vogla ujore). Edhe infrastruktura e dobët rrugore paraqet një ndër faktoret. Ndërtimet dhe asfaltimet e rrugëve pa perfillë kriteret në aspektin hidrografik, me cilësinë më të dobët (që u pa edhe nga pasojat e vërshimeve të fundit), pastaj numri i madh i gurthyesve, në të shumtën pa i respektuar normat mjedisore, që e kanë dëmtuar rëndë mjedisin dhe aspektet hidrografike-ujërat nëntokësore etj.

Deri më sot masat e ndërmarra nga institucionet përgjegjëse (komunat, ministritë, agjencionet) nuk kanë dhënë rezultate të duhura në mbrojtjen e mjedisit të atakuar dhe nuk janë zvogëluar përmbytjet, sepse ka vazhduar veprimtaria degraduese e relievit. Për ndaljen e vërshimeve dhe përmbytjeve ujore në Kosovë nevojiten të merren një varg masash, të cilat mund të listohen:

Respektimi i legjislacionit për mjedisin, ujërat, ndërtimet etj.; Forcimi i institucioneve mjedisore me ekspertë të fushave (e jo me pseudoekspertë të përzgjedhur me preferenca të bandave politike);

Ngritja e kapaciteteve monitoruese dhe zbatimi i direktivave evropiane për përmbytjet;

Rritja e buxhetit për trajtimin mjedisor, siç janë: rregullimi i shtretërve të lumenjve dhe argjinaturave me standarde evropiane;

Pastrimi i shtretërve të lumenjve;

Ndërtimi i digave për menaxhimin e sasisë se ujërave, rregullimi i kanaleve, sistemeve kulluese dhe ujitjes;

Ndërmarrja e masave antierozive me pyllëzim për mbrojtjen e tokës nga erozioni;

Ngritja e vetëdijes publike për ruajtjen e mjedisit përmes kampanjave mediale, që nënkupton edhe ruajtjen e shëndetit publik.

Deri më sot vërshimet janë trajtuar vetëm në kuptimin deklarativ e gazetaresk, duke i përfshirë edhe aktrimet e kryetarëve të komunave të atakuara nga vërshimet, me mbathjen e çizmeve dhe ekspozimin para kamerave pranë tokave të përmbytura. Vërshimet nuk ndalen me daljen e kryetarëve të komunave dhe të tjerëve të mbathur me çizme e me deklarata për keqardhje e përkrahje morale ndaj qytetarëve të goditur nga fatkeqësitë. Në vendet me demokraci të konsoliduar, qytetarët e dëmtuar nga vërshimet do ta ndiqnin me protesta vizitën e kryetarit të komunës, apo ndonjë përfaqësuesi tjetër institucional. Në fund të fundit përmbytjet janë një kundërpergjigje ndaj veprimeve degraduese të njeriut në mjedis.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat