Ku dallon letra e sotme e Joe Biden nga letra e Donald Trump e 14 dhjetorit 2018?

Opinione

Ku dallon letra e sotme e Joe Biden nga letra e Donald Trump e 14 dhjetorit 2018?

Prof. Enver Bytyçi Nga Prof. Enver Bytyçi Më 7 shkurt 2021 Në ora: 19:46
Joe Biden dhe Donald Trump

Dy vjet e gati tri muaj më parë, saktësisht më 14 dhjetor të vitit 2018, presidenti amerikan i kohës, Donald Trump, i dërgoi një letër dy presidentëve, atij të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, dhe presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Më pas Edi Rama foli në telefon me këshilltarin e Sigurisë Kombëtare, John Bolton, dhe pas telefonatës kryeministri i Shqipërisë doli në foltoren e parlamentit shqiptar e iu mburr për atë se ai foli me Bolton "për zhvillime të rëndësishme në rajon dhe në marrëdhëniet midis Kosovës e Serbisë"! Në letrën e Donald Trump thuhej shprehimisht: "Jemi të gatshëm t'i mbështesim përpjekjet tuaja për një marrëveshje që i balancon si interesat e Kosovës ashtu edhe interesat e Serbisë".

Ndërsa në letrën e ditës së sotme të presidentit aktual amerikan, Joe Biden, dërguar presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, thuhet: "Ne mbetemi të palëkundur në mbështetjen tonë për qëllimin e Serbisë për integrimin europian dhe ju inkurajojmë që të vazhdoni të bëni hapa të fortë përpara për të arritur atë qëllim - duke përfshirë krijimin e reformave të nevojshme dhe arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirësë të normailizimit me Kosovën të përqëndruar në njohjen reciproke".

Krahasojini ju lutem të dy këto letra dhe do të gjeni dallimin esencial midis tyre. Trump kërkoi atëherë një marrëveshje të balancuar, duke përdorur pak a shumë të njëjtën formulë si dhe Beogradi. Kërkesa për balancim e Donald Trump u bazua atëherë nga rregulli i Vuçiç, sipas të cilit "Ne nuk pranojmë një zgjidhje me të cilën njëra palë i fiton të gjitha dhe pala tjetër humbet gjithçka"!

Kjo formulë rezulton të ishte përpunuar dhe avancuar nga një lob degolistësh në ushtrinë, sigurimin dhe diplomacinë franceze. Drejtori i Qendrës Studimore për Minoritete në Beograd, Dushan Janjiç, e ka zbërthyer këtë skemë të projektit për ndarjen e Kosovës si kompensim për "të balancuar" interesat e Serbisë me historikun e këtyre përpjekjeve të lobit degolist francez. Madje ai thotë se fillimisht ky lob e bindi edhe Emmanuel Macron për ndarjen e Kosovës e ndryshimin e kufijve midis saj dhe Serbisë. Ndaj në verën e vitit 2018 Macron ishte dakord me ndryshimin e kufijve. Por nga fundi i atij viti ndryshoi mendje dhe iu bashkua konceptit të Angela Merkel të mosndryshimit të këtyre kufijve.

Biden kërkon tani një marrëveshje për njohje reciproke pa mundësuar ndonjë lloj balancimi "të interesave të Kosovës dhe atyre të Serbisë"! Thjesht ofron si shpërblim për Serbinë anëtarësimin e saj në Bashkimin Europian. Ndërsa Donald Trump nuk e përmend në letrën e tij asnjëhherë integrimin europian të Serbisë apo të Kosovës. Pse ndodh kjo? Sepse ish-presidentit Trump ishte për shpërbërjen e Bashkimit Europian, njësoj si edhe Vladimir Putin në Moskë apo Marie Le Pen në Francë, e cila financohet nga Kremlini.

Një president amerikan, I pari në historinë e pas Luftës së Dytë Botërore, I cili të ishte kundër Unionit, logjikisht nuk mund të ofronte shpërblime për Serbinë duke llogarit Europën. Prandaj dhe oferta e tij ishte ndryshimi i kufijve e shkëmbimi i territoreve! Kjo nuk ishte zgjidhja e bazuar në logjikën e zhvillimit të mëparshëm të ngjarjeve në konfliktin e Kosovës, ishte thjesht një parim i denoncuar nga Ëilson në Konferencën e Paqes në Paris, parimi i ekuilibrit të Fuqive të Mëdha dhe interesave të tyre! Por që u sintetizua në "balancimin e interesave"!

Koncepti i Biden është zgjidhja bazuar në të drejtën, koncepti i Trump bazohet te balancimi i interesave. Në fakt të interesave serbe dhe aspak interesave të Kosovës! Me nocionin për zgjidhje të Biden njihet e drejta e Kosovës për të patur shtetin e saj, si e drejtë e fituar për shkak të dhunës dhe krimeve serbe në Kosovë. Me "balancën" trumpiane Serbia trajtohej si e barabartë me viktimën dhe rehabilitohej për krimet e saj në Kosovë. Ky ishte shkaku pse Mustafa Nano asokohe në emicionin e tij "Provokacia" më shtroi pyetjen: "Po nëse amerikanët e mbështesin dhe e realizojnë ndarjen e Kosovës, çfarë do të thoni ju pastaj"? Përgjigja ishte e tillë: "As në këtë rast dhe në asnjë rrethanë tjetër unë nuk bindem dhe nuk do të pajtohem me këtë lloj zgjidhjeje"!

Por zgjidhjen e ofruar nga Beogradi e duartrokitën Edi Rama, Hashim Thaçi, Baton Haxhiu, Blendi Fevziu, vetë moderatori Nano, si dhe sa e sa analistë e politikanë shqiptarë në territoret tona ballkanike. E përkrahën dhe ata që rrëzuan qeverinë e Albin Kurtit në Prishtinë. Të gjithë këta u bashkuan në përpjekjet e qeverisë dhe presidentit serb, Vuçiç, për ta bindur administratën Trump dhe presidentin Macron për një zgjidhje të tillë. Madje Rama dhe Thaçi mburreshin me letrën e Donald Trump dhe na bënë presion të madh të gjithë neve që e kundërshtuam opsionin e ndryshimit të kufijve. Ndërkaq Macronin e ndoqën nga pas në Armeni e në Paris, me qëllim që t'i jepnin garanci se "faktori shqiptar nuk ishte pengesë për ndryshimin e kufijve"!

Tani jemi te letra e Joe Biden. Ajo vjen vetëm pak javë pasi ai u promovua në postin e presidentit të SHBA-ve. Vjen gjithashtu si sinjal i faktit se qëndrimi amerikan ndaj Bashkimit Europian ka ndryshuar. Për pasojë ka ndryshuar edhe formula e zgjidhjes së konfliktit midis Kosovës dhe Serbisë. Letra është frut i kombinimit të politikave midis administratës së re amerikane dhe qeverisë së zonjës Merkel. Hartat e thikat e lobit të degolistëve në Francë dolën në dritë atëherë kur u bashkuan në mbështetje të tyre Hashim Thaçi dhe Edi Rama, të cilët mundën ta tërhiqnin në anën e tyre Donald Trump. Por tani duket se në vend të hartave e thikave për Kosovën, Serbisë i ofrohet integrimi në Bashkimin Europian. Dhe kjo është mirë edhe për Kosovën e Shqipërinë.

Për të gjitha arsyet që parashtrova më lart nuk ka pse Abdullah Hoti të bëjë fushatë elektorale me letrën e Biden. Ai u nis me Thaçin në fillim të qershorit 2019 për të shkuar dhe marrë pjesë në firmosjen e marrëveshjes së "balancimit të interesave të Kosovës e të Serbisë"! Nëse nuk do shpallej akt-akuza kundër ish-presidentit, Hoti do konsiderohej sot si njeriu që mbështeti ndarjen e Kosovës. Gjykata Speciale e shpëtoi Kosovën dhe Hotin njëkohësisht. Nuk mund të përdoret letra e Biden drejtuar Vuçiç si pjesë e politikës së qeverisë Hoti, aq më pak të paraqitet si "dështim" i politikave të qeverisë së para tij, Kurti! Kjo lojë elektorale është e pandershme, është e dëmshme dhe nuk i shton asnjë votues falsifikatorëve! Qytetarët duan njerëz të sinqertë. Ata nuk i duan manipulatorët. Nëse do t'i donin manipulatorët, me origjinalë se Thaçi e Isa Mustafa zor se do të kishte të tjerë pas tyre në Kosovë! Kundërshtarët thontë të njëjtën gjë edhe për Vjosën e Albinin! Por këta së paku duhen provuar! Pastaj duhet folur për ta!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat