Prandaj 14 Shkurti është referendum

Opinione

Prandaj 14 Shkurti është referendum

Skënder Buçpapaj Nga Skënder Buçpapaj Më 10 shkurt 2021 Në ora: 10:09
Vjosa Osmani dhe Albin Kurti

Në të gjithë botën 14 Shkurti është Dita e Shën Valentinit, në Kosovë është edhe dita e përurimit vendimtar të gjeneratës së re politike që merr në dorë fatet e jetës së vendit.

Është Referendum që do të sjellë në krye të qeverisë Albin Kurtin dhe në krye të shtetit Vjosa Osmanin, dy përfaqësuesit kryesorë të gjeneratës së re politike të Kosovë, do të sjellë në pushtet Lëvizjen Vetëvendosje dhe Listën e Vjosa Osmanit.

Pushteti të cilin e sjell vota e 14 Shkurtit, shënon fundin e regjimeve që pasuan njëri tjetrin, duke zëvendësuar njëri tjetrin në formë të stafetës së krimit dhe të korrupsionit, kështu që është pushtet i ri për shtet të vërtetë.

Kosova ia jep më 14 Shkurt aleancës LVV – Lista e Vjosa Osmanit një fitore në përmasat e fitoreve që ia jepte Lidhjes Demokratike të Kosovës në kohën e Ibrahim Rugovës. Sepse detyrat historike që shtron koha e sotme ndaj kësaj aleance dhe sfidat epokale me të cilat ajo përballet, ndonëse nuk janë të njëjta, janë të ngjashme dhe tejet vendimtare për fatin e Kosovës.

Detyra historike e Lidhjes Demokratike të Kosovës ishte ndërtimi i shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës, integrimet e tij në rajon, në perëndim dhe në botë, sfidat e saj epokale ishin përballjet me pushtimin e egër serb, nga më të egrit e hisorisë së njerëzimit, si dhe me pasojat e rënda të këtij pushtimi.

Detyra historike e aleancës LVV-Lista e Vjosa Osmanit është konsolidimi i shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës në tërë rrafshin e saj të brendshëm dhe në tërë rrafshin e saj të jashtëm, sfidat e saj epokale janë ndërtimi i marrëdhënieve të fuqishme brendakombëtare, partneriteti fqinjësor, rajonal, perëndimor (SHBA-NATO-BE), përballjet me trashëgiminë e regjimeve të pas zyrtarizimit të pavarësisë, të cilat uzurpuan jetën e Kosovës, rrënuan institucionet e saj, duke ia nënshtruar diktatit dhe urdhërave në përfitim të klaneve dhe në dëm të qytetarëve të Kosovës dhe të shtetit të Kosovës.

Prandaj 14 Shkurti është Referendum.

Në këto 13 vjet që nga zyrtarizimi i pavarësisë, vazhdimisht është tradhtuar vota e elektoratit të Kosovës. Sepse asnjëherë nuk ka pasur aleanca të vërteta mes partive që kanë qenë në qendër të regjimeve. Sepse gjithnjë ka pasur vetëm pazare të cilat janë prishur sapo interesat e ngushta klanore janë cënuar. Kështu që, të gjitha zgjedhjet parlamentare, kanë prodhuar qeverisje të paqëndrueshme dhe kriza të përsëritura. Vota e Kosovës e vitit 2007 u tradhtua duke larguar më 2010 duke larguar nga presidenca Fatmir Sejdiun, dalë nga pazari PDK-LDK, duke sjellë qeverinë Thaçi 2 nëpërmjet pazarit të PDK-AKR-së dhe duke prodhuar presidentët farsë Pacolli dhe Jahjaga. Vota e vitit 2014, e cila kishte synim kryesor largimin e Hashim Thaçit nga pushteti, u tradhtua nëpërmjet pazarit të ri PDK-LDK, i cili u prish sapo u zgjodh president, në mënyrën më antipopullore dhe antidemokratike, Hashim Thaçi. Hera e fundit, ajo e vitit 2019, është edhe më skandalozja, sepse LDK-ja rrëzoi qeverinë e ndërtuar me Lëvizjen Vetëvendosje, pas vetëm 50 ditësh të qeverisjes, nëpërmjet një pazarit të ri mes Isa Mustafës dhe Hashim Thaçit, duke sjellë një qeveri antikushtetuese dhe duke tradhtuar në mënyrë seriale elektoratin e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Anti-institucionet e Hashim Thaçit e vonuan rezultatin e zgjedhjeve të 6 Tetorit 2019 tre muaj derisa e përshtatën atë sa më shumë me interesat e tyre në dëm të një qeverisje të ardhshme të qëndrueshme. Isa Mustafa, duke shmangur kryesuesen e listës të LDK-së, Vjosa Osmanin, e vonoi dhe e sabotoi krijimin e qeverisë së re, në përputhje me interesat e klaneve të tij dhe të Thaçit.
Pazari i fundit Thaçi-Mustafa rrëzonte një qeverinë Kurti, qeverinë e reformave, qeverinë antikrim dhe antikorrupsion, të vetmen që merrte parasysh porositë e famshme të Rusoit për një burokraci sa më frytdhënëse, në përpjesëtim të drejtë me numrin e qytetarëve dhe me sasinë e cilësinë e shërbimeve që jep ajo ndaj qytetarëve, ndaj vendit dhe ndaj shtetit. Dhe krijonte qeverinë e antireformave, e cila, për t’iu shërbyer sa më mirë Thaçit, Mustafës dhe klaneve të tyre, stërngarkohej me zëvendëskryeministra, ministra, zëvendësministra, drejtora e tjerë, secili më i paaftë, më i inkriminuar dhe më i korruptuar se tjetri, krejtësisht në dëm të mirëqenies së popullit dhe të zhvillimit ekonomik të vendit.

Elektorati i Kosovës nuk pranon më që vota e tij të tradhtohet. Nuk pranon më që fati i Kosovës të jetën në duart e matrapazëve në krye të klaneve të pangopura me pushtete dhe pasuri të pamerituara, matrapazëve që nxjerrin në treg pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës për të shpëtuar prapanicat e tyre, që hipnotizohen përballë gjithkujt që Beogradi iu nxjerr përballë në Bruksel, që firmosin gjithfarë marrëveshjesh që i interesojnë Serbisë.

Prandaj 14 Shkurti është Referendum.

Aleanca LVV-Lista e Vjosa Osmanit është e para në këto 13 vjet pas zyrtarizimit të pavarësisë që përjashton çdo pazar dhe që ndërtohet vetëm mbi parime të qarta e transparente. Ajo ka detyra të rëndësishme për të kryer reforma të gjithanshme, duke filluar që nga ligjet e pastra, të cilat iu japin institucioneve pavarësi nga njëri tjetri dhe vartësi vetëm tek ligji.

Partitë e regjimeve, gjenerata e vjetër, nëpërmjet forcimit të frontit të tyre të pazareve të vjetra dhe të reja, synojnë t’ia kufizojnë aleancës LVV-Lista Vjosa Osmani mundësinë për të fituar shumicën parlamentare nga zgjedhjet e 14 Shkurtit. Atyre u intereson një qeveri e re sa më e dobët, me një mbështetje sa më të ngushtë në Kuvendin e Kosovës, iu interesojnë zgjedhje të reja sa më të shpejta të parakohshme parlamentare. Interesat e tyre janë kundër interesave të Kosovës. Prandaj aleanca LVV-Lista Vjosa Osmani merr më 14 shkurt mbështetje të gjerë, sa kurrë më parë nga elektorati i Kosovës.

Fronti i regjimeve, gjenerata e vjetër, shpresojnë tek një pjesëmarrje sa më e vogël e elektoratit te kutitë e votimeve më 14 shkurt. Madje nga disa segmente i bëhet thirrje atij që të mos e ushtrojë të drejtën e votës, sepse, sipas tyre, kujtdo që t’ia japësh atë, është e njëjta gjë.

Prandaj Kosova shkon më 14 Shkurt masivisht te kutitë e votimit dhe voton masivisht për kryeministrin Albin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani, për aleancën Lëvizja Vetëvendosje- Lista Vjosa Osmani.

Prandaj 14 shkurti është Referendum.

10 shkurt 2021

https://www.voal.ch/prandaj-14-shkurti-eshte-referendum-nga-skender-bucpapaj/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat