Ballkani Perëndimor dhe Kosova

Opinione

Ballkani Perëndimor dhe Kosova

Nga: Prof. Dr. Mersel Bilalli Më: 22 shkurt 2021 Në ora: 14:27
Mersel Bilalli

Kur Mahatma Gandhi kishte pas ndjekur mësimet në një kolegj anglez, njëri nga profesorët e tij me emrin Peters përjetonte kënaqësinë që ta provokoj Gandhin në mënyrën raciste. Një herë iu pat drejtuar: "Më thuaj Gandhi, nëse në rrugë do i gjejsh një thes tru dhe një thes me para, cilin do ta kashe marrë ti?". Gandhi pa menduar shumë tha se do ta merrte thesin me para. Për këtë përgjigje, profesori sërish e nënçmoi para studentëve: "E shifni logjikën e tij?! Kurse unë do ta merrja thesin me tru" – sqaroi profesori. Në te Gandhi shtoi: "Sigurisht se çdokush merrë ate që i mungon”.

Në Ballkanin Perëndimor mungojnë edhe paratë edhe trutë, por edhe ndërgjegja. Vaksina bëri që ky rajon ta shef veten para pasqyrve të vërteta, e të pushojë të matet me hijen e mëngjezit. Tani qytetarët e kësaj pjese të Evropës thellë janë zhgënjyer. Por, në histori ndodhë që disa vite të parashtrojnë pyetjtet, kurse vitet të tjera t’i japin përgjigjet. Ndër vite, pas “Perdes së Hekurt”, njerëzit numronin bombat atomike apo aeroplanbartëset e superfuqive botërore që determinonin imazhin e “patronit të botës”, kurse tani në vend të armëve fizike numrojnë ato biologjike - vaksinat, të cilat sërisht këtë popullatë ballkanike e bejnë spektatore rasti. Fakt se EU tani disa vite përballet me sfida serioze: Brexit-i, rritja e së djathtës ekstreme, migracioni, problemet në Lindjen e Mesme, tani edhe Kovidi. Kjo ka bërë që UE edhe më shumë t’i mbyll sytë karshi shumë rënkimeve në Ballkanin Perëndimor. Andaj, zgjerimi i UE-së drejt këtij rajoni duket si një mision kosmik dukshëm i largët. Shtetet e rajonit vazhdojnë të përballen me sfida të mëdha - problemet ekonomike, nivelin e lartë të korrupsionit, krimin e organizuar, papunësinë, shpërnguljet, vaksinimi etj, të cilat në global bëjnë pothuajse të pamundur anëtarësimin e ndonjë vendi rajonal në UE para fundit të kësaj dekade. Aq më shumë kur këtu tanimë sikur është bë traditë blokimi i fqiut: Sllovenia Kroacinë për shkak Gjirit të Piranit, Greqia dhe Bullgaria Maqedoninë e Veriut, nesër ndoshta Kroacia Serbinë, pastaj Serbia BeH dhe Kosovën etj. E gjithë kjo permanent do hedhë sherbet në tatlinë e Moskës.

UE dukshëm ka neglizhuar Ballkanin Perëndimor, andaj tani këtu kemi rënie drastike të shpresës eurointegruese. Tani vetëm 43% e qytetarëve rajonal shpresojnë UE-në, që është ramje drastike krahasuar me vitin 2012 me mbi 70%. Kjo deprimon rajonin, kriminalizon akoma më shumë gjendjen dhe rrezikon sigurinë rajonale. Këtë gjendje me mjeshtri e shfrytëzon Rusia, e cila tani haptas koordinon me të djathtët ekstremë të shteteve evropiane, me çka edhe më shumë forcohet distanca EU – Ballkan Perëndimor. Ndërkohë që ish-shefja e diplomacisë evropiane Mogerini potencon se “dridhja më e madhe në EU nga populistët e djathtë, pritet të ndodhë pas Kovidit!”

Pretendimet rajonale

Vakumi rajonal ka bë që çdo shtet të vepron ashtu siç mundet. Serbia me lidhjet e saja tradicionale me Moskën dhe Parisin pretendon faktorizim përmes serbëve në BeH, Mal të Zi, e Kosovë. Bullgaria, provon në mënyrën e saj tradicionale të ketë ndikim në Maqedoni, kurse përmes kompanisë “Bulgartransgas" (partnere e “Gazprom”-it rus), edhe në Serbi, Hungari, BeH etj. Greqia tregon ambicie ndikimi ndaj Maqedonisë dhe Shqipërisë, por edhe ndaj Bullgarisë e Serbisë. Mirëpo, tani ajo është ekonomikisht tepër e dobët dhe e gjunjëzuar nga Turqia. Kjo e fundit ka objektiva që i mundësojnë rol më të madhë në rajon, jo vetëm në shtetet ku ka popullatë myslimane, por edhe në rajonin më të gjërë. Turqisë i jep peshë madhësia e saj, numri i popullsisë, ekonomia në rritje të shpejtë, fuqia ushtarake, pozita e urës ndërmjet Azisë dhe Evropës, Bosfori, por edhe naftëpërçuesi gjigant TANAP si çelës energjetik për shumë shtete në dy kontinente. Kurse SHBA-ve në këte rajon më tepër u intereson aspekti i sigurisë rajonale, për dallim prej Rusisë e cila synon militarizim të rajonit, dhe Kinës e cila dëshiron depërtimin e dragonit të vet ekonomik në Evropë përmes Ballkanit.

Këtu faktori shqiptar në rajon duhet të reagoj në mënyrë selektive. Fakt se siguria rajonale është prioritare, por edhe zhvillimi ekonomik është ekzistencial. Institucione serioze analitike të OKB-së potencojnë se pa ciklus intenziv zhvillimor, fundi i shekullit mund ta gjej rajonin gati pa shqiptarë. Shumë udhëheqës shqiptar zhvillimin e popullit e shifnin përmes pasurimit të vetvetes, madje në emër të luftës. U pasuruan me paratë e fituara nga shitja e dinjitetit. Në intervistën dhënë për “Euronews”, Kurti potencon: “Ne ndërtojmë fazën e tretë të vendit tonë. E para ishte çlirimi në 1999. E dyta ishte pavarësia në 2008. Tani ne duam të krijojme vende pune dhe drejtësi, që do të thotë se duam të zëvendësojmë migrimin e të rinjve me punësime dhe duam të luftojmë korrupsionin dhe t'i japim fund kapjes së shtetit”. Duket se Kurti dhe Osmani janë shumë të vetëdijshëm se një fokusim në dialogun me Serbinë që në start do t’ua harxhojë energjinë dhe kredinë politike. Pushteti i ri pa humbë kohë fuqishëm duhet të orientohet në dy segmente – në zhvillimin ekonomik dhe në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar duke kthyer pjesë të pasurive të vjedhura. Vetëm pas rezultateve në këto fusha, ata do të mund të fitojnë përkrahjen edhe për ndonjë marrëveshje me Serbinë.

Pra, qeveria e re thjeshtë qoftë edhe në logjikën socialiste duhet t’u bëjë oferta kompanive, por edhe individëve se çka mund të punojnë në bujqësi, blegtori, industri, turizëm, artizane etj. Shtetet në botë që kanë praktikuar këso sistemi, të përcjellë me liberalizim në investime, kanë treguar rezultate fantastike. Kurse mu kjo ka munguar në të gjithat trojet shqiptare. Për fat të keq pjermarrësi shqiptar 20 vjeçar në qeverinë e Shkupit, sot e kësaj dite as që ka idenë se çka është zhvillimi ekonomik! Andaj eksodi në Maqedoninë perëndimore është rekord i pashoq botëror! Njëzet vite atje kemi vetëm keqpërdorime, dhe vetëm do ndryshime kosmetike në sferën etnike. Madje në një fazë në emër të njëfar “amnesie për krerët e UÇK-së në Maqedoni”, iu mundësua Gruevskit që të realizoi 32 investime të huaja të gjitha në pjesën maqedonase të shtetit, kurse në pjesën shqiptare ZERO. Madje ishin të gatshëm edhe luanin partiak të VMRO-së ta pranojnë si stemë shtetërore!!! Tragjedi shekullore!

Andaj duhet bërë shumçka ndryshe. Së pari duhet përkrahur hapjen e tregjeve dhe afrimet tjera rajonale (CEFTA, Procesi Berlinit-6, Mini-Shengeni, TEN-T, SEETO etj,), pasi realiteti i bregdetit shqiptar parashifet të jetë epiqendër e komunikacionit rajonal dhe zhvillimor, gjë e cila me automatizëm nënkuptor faktorizim gjeopolitik të Shqipërisë dhe Kosovës (si faktor transitues korridoresh), por edhe Maqedonisë përmes Koridorit 8. Zoti Kurti i vetëdijshëm për këta realitete, jo rastësisht potencon diç të ngjajshme për rajonin që ai e quan “Mini-Marshall Planin për 6 shtetet e Ballkanit Perëndimor”. Pra, duhet afirmuar ate që është efektive, pa emocione dhe frikë nga etiketat. Kur keni Zotin dëshmitar, kundërshtarët le të flasin çka të duan. Njëherit duhet hudhur kompleksin e “investimeve të ndaluara”, pasi çdo investim është shpëtim për ne. Në kushtet e dhëna rajonale, duket se Turqia ka interes më të madhë për investime këtu, por sikur kjo i pamundësohet në sferat strategjike të ekonomive rajonale. Qendra të ndryshme pengojnë këte, por fakt se kjo më tepër sikur asocon në njëfar autocensure te vet udhëheqësve rajonal. Serbia këto komplekse nuk i ka andaj ka zhvillim më të madhë në rajon. Nga një shtet i shkatëruar dhe bankrotuar në vitin 2000, tani luan rolin e liderit rajonal.

Çkapja e shtetit

Kosova e para në rajon mundë të fillojë me çlirimin e shtetit të kapur, e kjo në rend të parë lyp insitucione me kapacitet. Këtu s'mjafton vetëm ideali. Kokëfortësia e Abinit për situatat e pamundshme, duhet të shndërrohet në aksione për situatat e mundshme. Duhet ndeshur me realitetin. Gënjeshtra është e bukur dhe e shpejtë, për dalim nga e vërteta që është e shëmtuar dhe e vogël. E para vjenë nga djalli, kurse e dyta nga Zoti. Në të kaluarën servilizmi ndaj ndërkombëtarëve ishte këmbim për heshtjen e tyre për shumë keqpërdorime. Aspak s’është lehtë të ndërtohen institucione me kapacitet, pasi ndër vite të njëjtat kanë qenë jo vetëm të partizuara, por edhe të personalizuara. Kjo gjë bëri që të zhduket profesionalizmi, të dobësohet shteti i së drejtës, të lulëzoi korrupsioni dhe krimi i organizuar, të përvetësohen pasuritë publike si mall pa të zot, të rrezikohet ekonomia e tregut të lirë. Nëse këtu nuk tregohen rezultate të shpejta, Kurtit nuk do t’i ndihmojë për gjat kohë karta se fajin e kanë paraprakët. Njërëzit mund të vënë dorën në zjarr për pakorruptueshmërinë e Kurtit, por me stomak të zbrazur entuziazmi popullor shpejtë di të ftohet. Për dallim nga koka, stomaku menjëherë sinjalizon kur është i zbrazur.

Pa dilemë se çkapja e shtetit në Kosovë dhe hapja e procesit zhvillimor shpejtë mund të reflektoj edhe në pjesët tjera shqiptare, por edhe mbarë rajonin. Ky proces do njerëz me ideale e jo me kalkulime xhepi e familjarizma. Ata nuk duhet të jenë faktor i ndryshimeve sepse mu ata vet janë mos-ndryshimi. Këtu pa dilemë se do duhet edhe përkrahja e duhur e Vashingtonit dhe Brukselit. Administrata e Bajdenit është një favor tejet i madh për shumë çështje.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat