Gjuha është shenjtëria e parë dhe e pazëvendësueshme e cilitdo komb

Opinione

Gjuha është shenjtëria e parë dhe e pazëvendësueshme e cilitdo komb

Nga: Gjokë Dabaj Më: 27 shkurt 2021 Në ora: 19:17
Gjokë Dabaj

Në këtë pikëpamje përvoja jonë është tepër e hidhur. E kemi nënvleftësuar rolin shenjtëror të gjuhës, e kemi humbur dhe vazhdojmë ta humbim, veç të tjerash, bashkë me gjuhën, edhe tokën që na e patën lënë të parët. Toka jonë shtrihej dikur, e pakta që nga Istria deri në Azi të Vogël dhe quhej tokë pellazgo-ilire. Sot, mezi, me zor të madh, po arrijmë ta quajmë tokë shqiptare nga Çiçavica e Çakorri deri në Gramoz e Dhëmbel. 

Kaq na ka mbetur, sepse nuk kemi qenë të mençur! Ose, thënë më me helm, na është dukur vetja sikur jemi më të mençurit e botës dhe kemi dalë më budallenjtë e botës. Aq të mjerë, aq mjeranë, sa sot po konsiderohemi kombi dhe vendi më i prapambetur në Evropë! A ka ku shkon më për turp e më për faqe të zezë?!

Për ta kuptuar më mirë këtë që thashë, le t’i hedhim një sy rrëshqitazi historisë. 

Helenët (ose grekët), një popull që nuk po di si u gjend në trojet e pellazgëvet, morën zotat e vendësvet dhe i predikuan në gjuhën e tyre. Ose gjysmë të tyre. Në këtë mënyrë, ata u bënë edhe zotër të tokës që s’kish qenë kurrë tokë e tyre. 

Më vonë, po këta grekë, e braktisën Zeusin e Pellazgëvet, se s’u hynte më në punë, dhe vendosën të adhurojnë Jehovanë dhe birin e Jehovajt, Jezusin, duke i predikuar ata në gjuhën e vet. Ky ishte sekreti: Për t’i shpëtuar sundimit dhe asimilimit nga ana e romakëvet, grekët ishin ndër të parët që i përhapën predikimet e Shën Palit, në gjuhën greke! Jo në gjuhën hebreje, sado që Zoti ishte i hebrenjvet! Duke predikuar fenë e re në gjuhën e vet, grekët ruajtën tokën. Atë tokë që dikur kish qenë e pellazgëvet, por që tashmë nuk ish as e pellazgëvet, as e pasardhhësvet të tyre.

Marrim një shembull tjetër. Arabët, për të mos humbur në vorbullën popujgëlltitëse të historisë, morën edhe ata perendinë e izraelitëvet, Jehovanë, dhe e predikuan në gjuhën e vet. Meritën vendimtare në këtë akt shpëtimtar për etninë arabe e ka pa dyshim Muhamedi. Ai, në mënyrë fare të thjeshtë, por historikisht të justifikueshme, mori Tevratin e izraelitëvet dhe Ungjillin e të krishterëvet, dhe i predikoi ata në gjuhën e popullit të vet. E kreu këtë punë duke pohuar dhe duke ua mbushur mendjen turmavet që, atë Tevrat dhe atë Ungjill ia kish diktuar drejtpërsëdrejti Allahu me anë të engjëllit të vet, Gabrielit.Nuk kish aspak rëndësi çfarë thoshte Muhamedi. Rëndësi kish që predikimi i tij bëhej në gjuhën e popullit të tij. Ajo mënyrë predikimi, në gjuhën e arabëvet, bëri që, në shekujt e mëvonshëm, jo vetëm t’i shpëtonin arabët asimilimit, por të arabizoheshin edhe shumë popuj të tjerë.

Gjermanët, të përfaqësuar dhe udhëhequr nga Martin Luteri, e vunë re që predikimi i fesë në gjuhën latine po i çonte ata drejt asgjësimit, ose e pakta drejt minimizimit si etni, prandaj, në mënyrë protestuese, u ngritën kundër predikimit latinisht dhe vendosën predikimin në gjuhën gjermane. Kjo e ruajti kombin gjerman nga tjetërsimi dhe sot gjermanët janë një ndër kombet më të rëndësishëm në botë. 

Rrugën e tyre të predikimit në gjuhën e vet, e ndoqën edhe anglezët. Rrjedhimisht, edhe anglezët janë sot ndër kombet më të rëndësishëm të botës.

Sllavët kishin ardhur dhe jetonin në tokën tonë, në tokën e Ilirisë, me emrin sclavus, si popuj skajisht primitivë. Ata kishin tre-katër shekuj që mezi mbaheshin pa u asimiluar midis ilirëvet. Mirëpo dy qendrat e mëdha popujrrafshuese, Kisha e Romës dhe Kisha e Konstantinopolit, e panë më të arsyeshme të fuqizonin sllavët, se sa të mbanin nëpër këmbë ilirët, që s’kishin ditur kurrë ç’duhej të bënin. Krijuan kishën sërbe, dmth predikimin e fesë së krishterë në gjuhën sërbe, krijuan në krahun tjetër gllagolicën, dmth predikimin e fesë së krishterë në gjuhën kroate dhe realizuan ashtu sërbizimin dhe kroatizimin e qindra mijë ilirëve. Toka ilire u bë ashtu tokë sllave! Para se sllavët të predikonin në gjuhën e vet fenë e krishterë, ajo tokë nuk ka qenë sllave, sado që aty jetonin edhe sllavë.
Po ilirët, midis tyre dhe si pjesë e tyre, edhe arbërit, ç’bënë në të gjithë këta shekuj?!

Ilirët, me fodullëkun e tyre, me budallallëkun e tyre, duke menduar se janë më të mençurit e botës, iu dorëzuan herë njërit, herë tjetrit, duke dhënë jetën për mbrojtjen e Perandorisë së Romës, duke mos ditur të punojnë për vete në kufijtë e Perandorisë së Bizantit dhe duke u bërë më turq se turqit në Perandorinë Osmane.

Në kohën e Perandorit Konstantin, një ndër dardanët më të fuqishëm historindryshues, Shën Jeronim Eusebi kish mundësi ta hartonte Biblën në gjuhën ilire dhe të vendosej ashtu predikimi i fesë në ilirisht. Por, Shën Jeronim Eusebi nuk e kreu këtë detyrë që historia ia pat ofruar, ashtu si as Shën Konstantini nuk e kreu detyrën ndaj etnisë së vet ashtu si duhej. Në kohën e Justinianit të Madh, një tjetër dardan i shquar historibërës, ishin të gjitha mundësitë që, në kishat e Ilirisë, të thuhej mesha ilirisht, si dhe të konsolidohej, qoftë edhe të krijohej, shkrimi në gjuhën ilire. Por Justiniani donte të ruante gjuhën latine edhe në pjesën lindore të Perandorisë Romake! A ka miopi më flagrante për një person që e quante veten dhe realisht, në shumë aspekte, ishte largpamës?!

Në kohën e Perandorisë Osmane, me dhjetëra kryevezirë të asaj perandorie, s’e kishin aspak të vështirë të hapnin shkolla shqipe gjithandej nëpër atdheun e të parëvet të tyre. Por nuk vepruan ashtu, sepse u dukej më e rëndësishme të ruanin perandorinë e madje edhe të vdisnin për atë perandori.

Na rruat internacionalizmi! Do të thoshin shqiptarët e Jugut. E mira e të tjerëvet dhe e zeza e vetëvetes!
Tani ka ardhur koha që, ose të zëmë mend, ose të rrëzikohemi për t’u tjetërsuar përfundimisht. 
Cila është rruga jonë, në këta kushte, kur krejt bota po vjen vërdallë si e dehur?! 

Ruga jonë nuk është islamizimi i krejt kombit, sado që pjesën më të madhe të shqiptarëvet e kemi të emërtuar si myslimane. Rruga jonë nuk është as rikthimi te besimi katolik, i cili gjithsesi ka shumë merita në ruajtjen e etnisë sonë dhe as ruajtja me fanatizëm e ortodoksisë greke, e cila po fut greqizimin ndër njerëzit tanë, herë si karremë peshkzënëse e herë si ujët nën rrogoz. 

Të gjithë këta besime le t’i ushtrojnë shqiptarët ashtu si t’ua marrë mendja atyre, por feja e vërtetë e shqiptarit duhet  të jetë në të gjithë aspektet shqiptaria! FEJA E SHQIPTARIT DUHET TË JETË SHQIPTARIA, ashtu siç na e kanë përcaktuar rilindësit tanë para 140 vjetësh. Kjo është e vetmja rrugë e shqiptarëvet: Të jenë të lirë të gjithë besimet, por kombin të na e bashkojnë, pa dallim feje e krahine, FJALËMIRAT E GJUHËS SHQIPE, duke predikuar vlerat e kombit tonë në gjujën tonë dhe, natyrsisht, duke mos përhapur urrejtje ndaj asnjë kombi tjetër. Rrugë tjetër nuk ka!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat