Dhe as pajtim, kurrë!

Opinione

Dhe as pajtim, kurrë!

Nga: Dibran Demaku Më: 7 mars 2021 Në ora: 11:28
Dibran Demaku

Në rininë time të hershme me kishte rastisur që të isha në një odë burrash në të cilën bëhej fjalë për pajtimin e dy familjeve për një ngarërresë që kishte ndodhur mes tyre. Burrat e zgjedhur të fisit kishin shkuar të bisedonin me dy familjet e hasmuara. Familja që kishte bërë fajin (pjesëtarë të saj kishin rrahur një anëtar të familjes tjetër) ishte më e madhe (numerikisht) dhe më e pasur ekonomikisht. Pleqtë e pajtimit siç u cek edhe më lartë kishin shkuar tek të dy familjet dhe ishin munduar që t‘i pajtonin.

Në odën mbushur me burra prisnin kthimin e tyre. Nuk vonoi shumë dhe ata u kthyen. Sapo zunë vendet e tyre filluan të tregonin se çfarë kishin biseduar me të dy familjet e hasmuara.

Në ballë të odës(në kryevendi siç thuhej dikur) kishte zënë vend një i moshuar dhe po i dëgjonte me vëmendje. Kur ata, pra pajtimtarët, mbaruan me rrëfimin e tyre për pak çaste mbretëroi një heshtje. Pastaj i moshuari në ballë të odës theu heshtjen:

-Kishit shkuar tek ato dy familje të hasmuara që t‘i pajtonit apo t‘i hasmëronit edhe më shumë?!

Pyetja e të moshuarit kishte rënë si bombë dhe ata, pajtimtarët sikur po hezitonin të kthenin përgjigje. Megjithate njëri nga pajtimtarët,pasi gjuajti shikimin në të katër anët e odës ia ktheu: -Natyrisht që ne kemi shkuar që t‘i pajtonim.

-E valla jo! -ndërgyri i moshuari nga balli i odës dhe pastaj vazhdoi: -Nga ato që thatë këtu, ju jo që paskeni shkuar t‘i pajtoni, por që t‘l hasmëroni edhe më shumë.

Sërish në odë u krijua një heshtje e nderë,që rrezikonte të shpërthente në një grindje. Por, meqë pajtimtarët, kishin ulur kokat dhe po heshtnin, i moshuari nga balli i odës vazhdoi: -Kur ndodhë një hasmëri, duhet të dali dikush që të bëjë përpjekje që ajo hasmëri të zhduket. Dhe ai dikushi, apo dikushët, duhet ta kenë parasysh dhe të qartë se në një hasmëri ndodhen dy palë. Dhe ato dy palë të hasmuara, njëra ka faj më shumë se tjetra. Dhe ata që shkojnë t‘i pajtojnë, së pari duhet ta mësojnë se cili është fajtori. Pasi të jetë përcaktuar fajtori, atij, pra fajtorit duhet treguar se së pari duhet ta pranojë fajin dhe palës tjetër t‘i kërkojë falje duke pranuar edhe sanksionet që mund t’i vëhen nga pajtimtarët.

Sa dëgjova këtu, në këtë hasmëri ju si fajtorin si viktimën i paskët trajtuar njësojë, të barabartë. Nëse vazhdoni edhe mëtutje kështu nuk do të arrini që t‘i pajtoni, përkundrazi mund t‘i hasmëroni edhe më shumë!...

Këtë hisori ma rikujtoi i dërguari special i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, z.Lajçak. Z.Lajçak sa herë vjen në Kosovë, autoriteteve të vendit tonë u thotë se ju jeni në të drejtën tuaj dhe keni të drejtë në atë që kërkoni në raport me Serbinë. (Së paku kështu raportojnë mediat tona).

Po i njëjti kur shkon në Beograd, autoriteteve të Serbisë u thotë se ju keni të drejtë në atë që kërkoni në raport me Kosovën. (Së paku kështu njoftojnë mediat serbe).

Dhe jo vetëm kaq, por kur shkon në Serbi sikur e ndjen vetën më të sigurtë dhe më të relaksuar, sepse me autoritetet serbe flet në gjuhën e tyre?! (Këtë gjë, përdorimin e gjuhës serbe në bisedat me autoritetet serbe, do të duhej të ia ndalonte punëdhënësi i tij e që është Bashkimi Europian).

Z.Lajçak si ndërmjetësues (apo lehtësues siç e quan punëdhënësi i tij) në dialogun Kosovë-Serbi, të dy palët i trajton në mënyrë të njejtë, pa e përcaktuar fajtorin, për gjithë çfarë ka ndodhur në mes të Kosovës dhe Serbisë. Dhe derisa të zgjasë kjo praktikë, palët e hasmuara e që janë Kosova dhe Serbia, nuk do të pajtohen kurrë!

Nëse Bashkimi Europian,nëpërmes të të dërguarit të tij z.Lajçak, nuk ia adreson Serbisë të gjitha ato fatkeqësi që ia ka shkaktuar Kosovës dhe popullit shqiptar në të, nuk do të ketë as sukses në Dialog dhe as në zhdukjen e hasmërisë në mes të Kosovës dhe Serbisë. Dhe as pajtim, kurrë!...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat