Pa gra, s'ka lot

Opinione

Pa gra, s'ka lot

Nga: Kimete Berisha Më: 8 mars 2021 Në ora: 14:09
Kimete Berisha

1. Kurrë nuk jam ndjerë e shkelur nga djemtë dhe nga burrat.

Kurrë, në asnjë rast.

As e paragjykuar, as e nënçmuar, as e frikësuar, as e lënë pas dore.

Asnjë mashkull nuk e kam shikuar si 'Hero', si super-mashkull, si shpëtimtarin tim (aman), apo si idhull, pa të cilin nuk çel pranvera.

Prej shkollës fillore e deri sot askush, asnjë burrë nuk më ka thënë 'nënshtrohu'.

Përkundrazi, vajzat gjithmonë kanë qenë nxënëset më të mira në shkollë, deri në çastin kur në zemrën e vajzës lind dashuria.

Krejt dashuria i ka fajet. Në momentin që lind nevoja për dashuri, vajza e jep lirinë e saj për të.

Pse? S'di.

Ndoahta sepse, Liria është e padobishme, e papërdorshme, në krahasim me Dashurinë.

Liria asocon në vetmi, dashuria e mbush çdo zbrazëti.

E problemi ynë i përhershëm është zbrazëtia, kjo ndjenja më e keqe në botë, më e keqe se burgu dhe se robëria!

2. Prandaj, s'di sa kam unë të drejt të shkruaj për lirinë e gruas.

Çka është Liria?

Liria është emër abstrakt, dhe meqenëse nuk ka formë, nuk ka as fillim, as fund, më shumë ka Liri sesa që ka njerëz.

Liri ka sa të duash, është falas, merre, te hunda e ke, sepse Liria është si ajri që e merr aq sa të duhet, e jo aq sa ka Liri në këtë botë.

Liri ka me tepri.

3. Të jesh e lirë, do të thotë të jesh e pavarur.

Të jesh e pavarur nuk është romantike, nuk është atraktive, Liria nuk të bën të ndjehesh femërore.

Prandaj, gruaja gjithmonë e jep lirinë në këmbim të dashurisë.

Sepse, më shumë dhemb vetmia, sesa varësia.

Të jesh i varur, do të thotë, të jesh pjesë e grupit, pjesë e tjetrit, e njeriu nuk ka nevojë më të madhe në jetë sesa të përkas diku, me dikë.

4. Gruaja do të jetë e lirë dhe e pavarur atë ditë që merr vendim të jetë e lirë dhe e pavarur.

Gruaja do ta gëzojë të drejtën e trashëgimisë atë ditë që vendos ta kërkojë hisen e saj, me ligj.

Pse ne nuk e kërkojmë hisen tonë?

Sepse, s'kemi çfarë të ndajmë!

Ta ndajmë varfërinë në mënyrë të barabartë?

Vajzës dhe gruas i vjen turp të përzihet në ndarjen e 'varfërisë' së vëllezërve të saj, dhe kështu më i çmuar për gruan është morali (emër abstrakt), sesa pasuria (emër konkret).

Pra, gruan shqiptare askush s'e ndal ta kërkojë hisen e saj me Ligj, por nuk e bën, për shkak të dashurisë dhe të moralit.

Dashuria dhe morali janë dy grackat kryesore në të cilat vazhdimisht bie vajza dhe gruaja shqiptare.

5. Vajzat dhe gratë e ushqejnë mentalitetin dhe robërinë e tyre: me heshtje, me indiferencë, me dembeli dhe me nënshtrim.

Të jesh robëreshë vullnetarisht është më zor sesa të jesh e lirë.

Por, kur mësohesh me një lloj vuajtje, bëhesh njësoj, dhe s'ta lë shenjë më ajo vuajtje: e ha me dhëmbë, bëhesh imune ndaj nënshtrimit.

6. Vajza vazhdimisht e ushqen mentalitetin e djalit (për shembull që kërkon vajzë të paputhur), ndërsa në xhami hoxhallarët i mësojnë burrat e djemtë që do ta fitojnë xhenetin nëse marrin për grua një të ve me jetimë.

Pra, kultura që mësohet nëpër xhamia sot është shumë më përparimtare dhe pa paragjykome, sesa kultura e djemëve perendimorë 'të rrugës'.

Vajzat e ushqejnë primitivizmin e mashkullit, sepse më lehtë është ta ushqesh primitivizmin, sesa ta thyesh në mes.

7. Burrat të ngacmojnë me kusht nëse dukesh bukur, të ngacmojnë në gjimnaz, në fakultet, në rrugë, gjithkah të ngacmojnë, të lakmojnë, por edhe vajzat i ngacmojnë djemtë, dhe nëse nuk e ngacmojmë njëri-tjetrin, pyesim: çka na duhet liria!

Ne duam të na duan, jo të na respektojnë.

Prandaj, respekt s'ka askund.

Se askujt nuk i duhet respekti.

E dashuria është 'sëmundje' e varësisë, është kujtimi i vetëm që e ushqejmë deri në fund.

Gjynahi i Zotit, plakesh duke dëshiruar të t'i përkëdhelin flokët, të të marrin me të mirë, të t'i fshijnë lotët (Unë budallaqja, ende kam qejf me m'marrë me t'mirë).

Për hatër të dashurisë, plakesh me një palë mend.

E dashuri askund.

8. Ne jetojmë në një kulturë ku Shote Galica është Heroinë, ku Nëna Terezë është e Shenjtë, ku ka shumë mëuese, gazetare e mjeke të çmuara.

Ku Vjosa Osmani fikall vetëm i ka 'shkatërruar' burrat e LDK-së, i ka rrëzuar si figurinat në lojë dhe sot e ka respektin edhe të grave edhe të burrave.

Pra, t'i mund ta shkatërrosh mentalitetin, nëse ke disponim e nuk përton.

Askush (asnjë mashkull) nuk mund të ta ndalojë të bëhesh e zonja, të bëhesh heroinë dhe e shenjtë.

Pra, ti mund të jesh e zonja, sepse ta lejon ligji, ta lejojnë rregullat e lojës, dhe drejtpërdrejt askush nuk të ndalon.

9. Nëse punon diku në ndonjë dyqan privat, aty ku vajzat i ngacmojnë, pse nuk organizohesh, e re je, ke kohë, dil para kamerave direkt me emër dhe mbiemër dhe denoncojeni kriminelin.

Pra, ti vendos vet të jesh e lirë dhe e pavarur.

Varet prej teje.

10. Mua si femër, aspak nuk më pengon ta them të vërtetën brutale (nga përvoja personale).

Që ka meshkuj që e përdorin pozitën dhe pushtetin për t'i bërë për vete vajzat e gratë, kjo nuk do të thotë se gratë janë për 'mashallah'.

Absolutisht Jo. Gratë dinë të ta nxijnë jetën, që çuditesh (zakonisht me metoda perfide, indirekte).

Statistikat vazhdimisht tregojnë se ka seksizëm edhe midis grave.

Gruaja e urren gruan, gruaja e paragjykon gruan, gruaja ia shkatërron jetën gruas.

Secilën grua që e kam pyetur (e kam pyetur me mijëra gra), mendon se gruaja udhëheqëse është më problematike dhe më e kompleksuar sesa burri në pozitë udhëheqëse.

Gruaja është e prirë t'i bëj zullum gruas. Jo t'i hakmerret burrit.

Pra, frymëzohet te burrat për hakmarrje, kurse shfryhet te gratë.

11. Sa herë që në Institucionin ku punoj e ka udhëhequr gruaja, në daç besoni, në daç mos besoni, flaka i ka dalë Institucionit.

Dhe shyqyr që zakonisht ka zgjatur shkurt mandati, se me pas zgjat deri në fund mandati, kërrsh ishin bë zyrtarët ndërmjet vetes.

Nuk e di çka ndodh, qysh ndodh, veç gratë shqiptare që deri më tani unë kam njohur në pozita udhëheqëse menjëherë janë bërë çerdhe e thashethemeve dhe janë marrë me jetën personale të zyrtarëve (dhe me fustanat).

Mirë kanë kapërcyer vetëm të nënshtruarit, servilët dhe shpërndarësit e komplimenteve.

Pse ndodh kështu?

Sepse, ato gra nuk janë krijuar vetë, por i ka krijuar partia, i ka krijuar kuota gjinore, i ka krijuar shansi, ndoshta fati, ndikimi i familjes, biznesi i burrit, i dashuri, paraja, janë krijuar falls, janë ngritur falls, me t'njofshëm, me biznese të dyshimta e me metoda të tjera të paqëndrueshme.

Gratë e zonjat zakonisht kanë qëndruar larg politikës.

12. Sendi i huaj të lë me thes në krah.

Prandaj, për mua aspak nuk është fitore numri i madh kuantitativ i grave pjesëmarrëse në Kuvend, me rëndësi është kualiteti, që në politikë kaq rrallë (e hiç) e kemi parë.

Vajzat dhe gratë duhet të krijohen vet.

Vetëm ajo që Ti e krijon vet, është e jotja. Dhe nuk ta merr askush.

Nuk ta falë askush kulturën, dijen, elegancën, qytetarinë.

Veç pozitën ta falin e ta marrin kur të duan.

E keqja nuk ka gjini.

Vjedhin burrat, vjedhin gratë.

Mashtrojnë burrat, mashtrojnë gratë.

Tradhtojnë burrat, tradhtojnë gratë.

Se, sikur Ne të ishim 'Ana e ndritshme e Hanës', gjysma e botës do të ishte e drejt dhe fer, 50 për qind do të ishim në selamet, aq sa ka edhe gra në tokë.

Por nuk është.

Neve si gra e vajza na bie që të mbrohemi nga 90% e botës (burra e gra), që i paragjykojnë gratë, burra (sipas studimit të fundit të UN).

Ose duhet të mësohemi të jetojmë në armiqësi dhe konflikte të vazhdueshme, ose të mësohemi të vetmbrohemi e të rezistojmë.

Prej meshkullit mbrohesh diqysh, ia bën rrafsh dhe shtiresh sikur po i tutësh (shumë kanë qejf t'ua kesh frikën), por gruaja prej gruas si duhet të mbrohet, këtë nuk e di!

Më mësoni Ju mua.

Është banale ta ushqesh idenë e vjetër se 'gruaja është më e dobët fizikisht se burri',

Zoti nuk shihet hiç, por është më i Madhi, Engjëlli nuk shihet hiç - por është më i bardhi, Djalli nuk peshon me kg, por e keqja e tij është më e rënda.

Mirësia nuk ka njësi matëse.

P.S.

'Mashkulli i pazoti për grua,

Gruaja pa dashuri, dhe

Fëmiu pa lojë,

Janë tri fytyrat më të trishta në natyrë'.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat