Kush dhe si e degradoi dialogun

Opinione

Kush dhe si e degradoi dialogun

Nga: Skender Musliu Më: 21 mars 2021 Në ora: 18:32
Skender Musliu

Shpërbërja e ish Jugosllavisë ndodhi me orkestrimin e një lufte të Serbisë duke angazhuar dhe keqpërdorur ushtrinë multietnike ish jugosllave, nën pretekstin se po e mbronë dekompozimin e saj nga Republikat « rebele » që dëshironin të dalin nga ajo Federatë artificiale e krijuar pas Luftës së Dytë Botërore. Strategjinë për planifikimin e kësaj lufte Serbia e kishte filluar që nga vdekja e Titos më 1980, e sidomos pas demonstratave të 81’, ajo vendosi gjendje të jashtëzakonshme në Kosovë, duke e mbajtur ate nën shtetërrethim nga forcat policore dhe ushtarake jugosllave. 

Hartues i këtij Projekti ishte kisha serbe dhe Akademia e Shkencave e Serbisë në krye me Sllobnodan Millosheviqin, kasapin e Ballkanit, i cili kishte pushtet absolut në Serbie. Për këtë qëllim Millosheviqi kishte zgjedhur një ekip të besueshëm në Qeverinë e Serbisë, ndër të cilët ishin edhe Aleksandar Vuçiqi, kryetar aktual i shtetit serb dhe Ivica Daçiqi, kryetar aktual i Parlamentit serb, i pari ishte ministër i informacionit-propagandës, kurse i dyti  zëdhënës personal i Millosheviqit, që të dytë kanë luajtur një rol të rëndësishëm në nxitjen e urrejtjes dhe luftës në Kosovë, Kroaci dhe Bosnje.

Pas përfundimit të luftës në Kosovë, Vuçiqi dhe Daçiqi u transformuan në njerëz të « paqes » duke u bërë ndër dy protagonistët kryesor të dialogut Kosovë – Serbi. 

Nga pala kosovare negociatori kryesor dhe i vetmi, i ndihmuar nga Baton Haxhiu dhe i lehtësuar nga Edi Rama, ishte Hashim Thaqi, i cili uzurpoi dhe privatizoi dialogun, që zhvillohej në errësire totale dhe larg opinionit.

Pse ky dialog, që zgjatë 10 vite, jo vetëm që nuk dha kurfar rezultati, por ai u retrogradua ?! Çka kontribuoi që Kosova të shëndrrohet në agresor, kurse Serbia në viktimë, kur mirëfilli dihet se është e kundërta !?

Pa kurfar dileme mund të themi se shkaktari kryesor, mbase edhe i vetëm, është Hashim Thaqi, i cili interesat personale i vendosi para atyre shtretërore, sepse në vend që ai t’a përballë Vuçiqin me pasojat e luftës, duke ia numëruar masakrat e civilëve, varrezat masive, përdhunimet, të pagjeturit, shkatërrimet e fshatrave dhe qyteteve, rrënimin e ekonomisë…., ai nga frika, që Serbia me dosiet kundër tij, do t’a shantazhojë me Gjykatën Speciale në Hagë, vendosi t’a luaj lojën e Vuçiqit.

Ka qenë gabim fatal i Hashim Thaqit, që edhe përkundër Vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, se Kosova është Shtet legjitim dhe legal në bazë të Drejtësisë Ndërkombëtare, ai vendosi dialogun me Serbinë duke e vërë në dyshim statusin e Kosovës. 

Hashim Thaqi si kryetar i Kosovës, në vend që t’a mbrojë integritetin, sovranitein dhe Rendin Kushtetues të Kosovës, që ishte obligim i tij kushtetues,ai iu nënshtrua kërkesave të Vuçiqit, pranoi, madje edhe kërkoi publikisht ndarjen e Kosovës, duke ia dhënë pjesën Veriore të Kosovës, pjesën më të pasur, vetëm e vetëm  t’a shpëtojë veten nga akuzat e Serbisë.

Me kërkesën e Vuçiqit, Thaqi nga frika e shantazheve,me veglën e tij Isa Mustafën, formuan Bashkësinë e komunave me shumicë serbe me kompetenca ekzekutive, duke dashur të krijojnë një Republikë serbe të Bosnjes në Kosovës,  që ishte hapi i parë i defunksionalizimit dhe ndarjes së Kosovës, si dhe njohën eksteritorrialitetin e kishave dhe monastireve serbe në Kosovë.

Shkas për këtë shkrim ishte letra e partisë Republikane të Kosovës me kryetar Faton Kurtin dhe partia Republikane e Serbisë me kryetar Nikola Sanduloloviq, dërguar presidentit të SHBA-ve dhe Bashkimit Europian, me të cilën ata ju bëjnë thirrje, që Aleksandar Vuçiqin t’a nxjerrin para drejtësisë dhe t’a gjykojnë për nxitjen e luftës dhe krimeve ndaj shqiptarëve, kroatëve dhe boshnjakëve.

Ate që është dashur t’a bëjnë institucionet shtetërore të Kosovës në krye me Hashim Thaqin, formalisht e kanë bërë dy parti të vogla duke senzibilizuar kredibilitetin e A. Vuçiqit.

Poqese institucionet e reja që do të formohen së shpejti, të shkëputura nga mendësia e kaluar, fillojnë nisma të këtilla, duke vërë në dyshim të kaluarën e Vuçiqit, për çka ka argumente të bollshme, do të mund t’a zbrapsnin Vuçiqin nga lojrat e tij të rrezikshme. Në këtë mënyrë Vuçiqi do të vinte në pozitën e Thaqit kur ai shantazhohej nga Serbia, por kësaj rradhe Vuçiqi të shantazhohet nga Institucionet e Kosovës.

Largimi i garniturave të konsumuara nga skena politike, që degraduan Kosovën, do të kenë ndikim pozitiv edhe në dialogun Kosovë – Serbi. Këte e vërteton edhe vizita  e fundit e Miroslav Lajçak në Kosovës, i cili në konferencë për shtyp për Asociacionin, tha se ai duhet të formohet konform Vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, që nuk ishte njësoj me deklaratën e tij gjatë vizitës paraprake në Kosovë, kur patë thënë se Asociacioni duhet të formohet edhe nëse duhet të ndryshohet Kushtetuta e Kosovës. Në këtë konferencë për shtyp, Zonja Osmani, ushtruese e detyrës së presidentit, ia bëri me die Lajçakut, se Kosova nuk është një shportë me pemë dhe perime që çdo kush mund të merr çka të dojë.

Nga kjo po vërehet se rrotacioni politik, si shtyllë e demokracisë, do të sjell ndryshime të mëdha në qeverisje e re, së paku këto janë pritshmëritë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat