Mjaft më me autoritete të rrejshme politike

Opinione

Mjaft më me autoritete të rrejshme politike

Nga: Skënder Mulliqi Më: 4 prill 2021 Në ora: 14:25
Skënder Mulliqi

Retë e zeza duket së më në fund po largohen nga Kosova. Këto re shumë gjatë e errësuan Kosovën dhe të ardhmen e saj. Po hiqen këto re jo me hatër siç hiqen në qiellin e kaltër, por më çykë të zorit. E mbuluan Kosovën kur më së paku është pritur, kur e fituam lirinë dhe pavarësinë. Kur e fituam të drejtën tonë ligjore, të drejtën historike dhe të drejtën morale që vet ta drejtojmë shtetin, të cilin nuk e kishim për 50 vite të diktaturës komuniste të Titos dhe të Rankoviqit, e fituam të drejtën e nëpërkëmbur gjatë nga armiqtë e përhershëm serbo-sllavë, me të cilët jemi të rrethuar në të katër anët.

Ishte shumë e kuptueshme se pavarësia dhe sovraniteti do të thonë avancim të proceseve demokratike dhe përparim i gjithmbarshëm i Kosovës. Është hapur kaptinë e re e mbamendjes së kaluar historike për një të ardhme të ndritur. Ka ardhur koha kur emocionet, frika dhe vuajtjet të kontrollohen duke u nisur nga avancimet individuale si parakusht për avancimet e përgjithshme të shtetit të ri të Kosovës, të cilën nuk e ndërtuam hiç mirë për 22 vite.

Kosovës i nevojitet stabilitet pas gjithë këtyre të ligave që e goditën para luftës nën okupim dhe pas luftës me pushtete hileqare e zullumqare.

Nuk ka kush i mbron më autoritetet e rrejshme politike, të cilat na mbinë si kërpudhat pas shiut në Kosovën e pas luftës. Ato ishin keqbërëse, e të mira veç në ndonjë rast shumë të rrallë. Autoritetet e rrejshme shumë gjatë u përkrahën derisa u kuptua së janë shumë të dëmshme për qytetarët dhe për Kosovën. Ata ishin edhe ashtu të tepërt për një terren dhe për një popullatë të vogël.

Shumë peripeci dhe vuajtje patëm prej tyre, kur askush nuk e kishte pritur. Morën para veti çdo të mirë materiale dhe shoqërore të Kosovës , duke i lënë pa të drejtë shumicën me duar bosh. E varfëruan vendin skajshmërisht me hajnitë e pareshtura të tyre.

Në këto konstelacione politiko-shoqërore dhe ekonomike gati sa nuk dha shpirt shtetësia e Kosovës. U bombarduam me patriotizma të rreme , për ti mbuluar të palarat shumëvjeçare. Ky marshim makabër e kishte një kufi, ku duhej të ndaloheshin veprimet e tilla anti-shtet. Ishte koha që qytetarët ta marrin fatin në duar të veta, duke i larguar me votën e lirë nga pushteti. Kjo ndodhi me 14 shkurt me fitoren e klasës reformiste dhe përparimtare.

Idetë e vjetra politike të tipit autokratik, nuk i duhen Kosovës, e cila mbrohet vetëm me punë dhe zhvillim të ecurive ekonomike. Vetëm mençuria, urtësia, qetësia politike, jeta kualitative i ndërton themelet e fuqishme të shtetit funksional dhe ligjor. Puna e ndershme e secilit prej nesh, bën që të ndryshohet gjendja për të mirë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat