Mjegullnaja “dardane” dhe rojat e saj

Opinione

Mjegullnaja “dardane” dhe rojat e saj

Nga: Melihate Tërmkolli Më: 10 prill 2021 Në ora: 11:30
Melihate Tërmkolli

Të nxitur nga flamuri-simbol i Dardanisë në zyrën presidenciale të Kosovës, hijena të mjegullnajës janë ngritur për të nxjerrë tym e për të vjellë vrerë deri në mohim edhe të Dardanisë edhe popullit dardan.

Kështu, një Prof. Dr shqiptar nga Amerika që hedhë mjegullnajën për kokërr të qejfit, i qepur pas “legalitetit” të përdorimit të simboleve shtetërore kërkon të legalizohet flamuri dardan anipse nuk paska pasë Dardani, veç Iliri!

E akuzon Rugovën se nuk e paska zbuluar ai Dardaninë as simbolet e saj, se qenka falsifikator, se e paska shkelë kushtetutën etj.etj.

Disa mësime fillestare për Prof, Dr-at e “Dardanisë”:

Rugova nuk e zbuloi Dardaninë dhe simbolet e saj, sigurisht, sepse ajo ekzistonte, por ishte vetëm Presidenti Rugova ai që e bëri Dardaninë pjesë të konceptit e synimit politik kombëtar të shqiptarëve. Për ata që nuk e dijnë, kishte një Mbretëri Dardane që shkon përtej kufijve aktualë të Kosovës, rrjedhimisht edhe një popull dardan. Mohuesit e saj veç i pranojnë dhe i trashin tezat serbe jo vetëm për autoktoninë e ekzistencës dhe vazhdimësisë tonë dardane por edhe këtë pak Kosovë që e kemi qëllimshëm a paqëllimshëm, ia pranojnë Serbisë! Ky mohim ka vetëm një emër: qasje anti kombëtare dhe anti historike!

Realisht, flamuri i vendosur nga Presidenti Rugova është ndryshe nga simbolet e Mbretërisë Dardane por kjo nuk e bën atë më pak të vlershëm ndërsa duket krejt e natyrshme që njihet si “ Flamuri i Rugovës”. Në kontekstin e përmendur, as Gjergj Kastrioti- Skënderbeu sigurisht nuk e pat zbuluar as nuk e pati bërë vetë flamurin kombëtar por ai njihet si “Flamuri i Skënderbeut”.

Presidenti historik i Kosovës dr. Ibrahim Rugova, flamurin-simbol të Dardanisë, nuk e bëri as për vete, as për LDK-në. E bëri për Kosovën-Dardaninë!. Simbolet, Flamurin e Dardanisë, Hymin dhe të tjerat i bëri veç për shtetin tonë. Mandej, disa “patriotë” dolën dhe e dogjën atë flamur. Bota e pa të digjej flamuri i Dardanisë dhe na e propozuan këtë flamur dhe këtë hymn që i kemi sot. Interpretimet tjera janë vetëm injorancë.

Ka vite që Prof.Dr-a të ngjashëm kontestojnë Presidentin Rugova, kontestojnë edhe Skënderbeun, thonë se nuk ishte shqiptar por serb, thonë se bëri luftë fetare dhe jo luftë kombëtare të kohës. Janë profesorë që japin mësim në Universitetin e Prishtinës dhe askush nuk i trazon! Gati harrova, janë edhe në “qykë” të mendësisë politike të pushtetit aktual në Kosovë.

T’u kthehemi dardanëve.

Prof. Dr-i nga Amerika në emër të “legalitetit” të flamurit dardan godet presidentin Rugova, tërë popullin shqiptar të Kosovës, tërë periudhën dhjetëvjeçare të rezistencës e luftës për liri e shtet, deri në “zhbërje”, deri në “mosekzistencë”. Deri këtu shkon urrejtja e prof dr-it?! Historianët dhe jo vetëm ata, e dijnë se gjërat “ndodhin” pastaj “legalizohen”.

Për të vazhduar mjegullnajën, Prof. Dr-i akuzon Presidentin Rugova si “shkelës” të Kushtetutës sepse sipas tij “nuk pranoi APELIN historik UÇK-së, që të dilte në ballë të saj si Komandant i Përgjithshëm për ta luftuar Serbinë gjenocidale të Slobodan Milosheviqit”. Me logjikëne këtij Prof. Dr-i, në fakt po del se UҪK-ja e paska shkelë Kushtetutën, apo jo!

Prof.Dr-i është “kundër” falsifikimit të historisë sepse sipas tij “ nevojitet të ndërpritet fushata politike dhe antishkencore, si dhe cirku më se 20-vjeçar, nuk duhet të falsifikohet historia e ilirëve, as e Illyrisë e as e pavarësisë së Kosovës (17 shkurt 2008), të cilën e solli UÇK-ja, Amerika dhe NATO-ja, askush tjetër”.

Falsifikator dhe më keq se aq del të jetë Prof.dr-i. Ky e paska të vërtetën absolute dhe “askush” tjetër, të vërtetën e historisë krejt të re, pjesë e të cilës jemi shumica e popullit të Kosovës që e dijmë si e bëmë lirinë e shtetin. Është bërë modë tani kjo mendësi që të fshihet me gomë të kuqe e vërteta dhe krejt ajo çka është bërë në Kosovë. Shqiptarët e dinë se lirinë e pavarësinë nuk e solli askush. E bëri populli i Kosovës, shqiptarët në krye me Presidentin Rugova, me UҪK-në, në veçanti me Amerikën dhe NATO-n. Të “kuqëluarit”, ka kohë që bëjnë përpjekje për ta “zhbërë” Presidentin Rugova, politikën dhe filozofinë e tij politike kombëtare që ndryshoi rrjedhën e historisë nga okupimi qindvjeçar serb deri në liri e pavarësi të Kosovës e shqiptarëve.

Tani këta shkojnë përtej kësaj të vërtete, deri në mohim edhe të Dardanisë dhe vazhdimësisë sonë dardane. Paska pasë Illyri, jo Dardani!

Një tjetër matrapaz, thotë se “nuk ka pasur as nuk ka popull dardan”! Ishin disa fise tribale aty, thotë ai! Pra, mbase edhe ka pasur Dardani me disa fise tribale në të por jo popull dardan! Një Dardani, pa dardanë?! Fise të prapambetura pra, nuk kishin as I-phone! Ҫdo koment është i tepërt!

Historianë botërorë, ndër më të mëdhenjtë, shkrimtarë, poetë, gjuhëtarë, udhëpërshkrues etj që nga Homeri e deri sot, shkruajnë libra e libra me të cilat na vërtetojnë jo vetëm ekzistencën e Dardanisë, Mbretërisë Dardane dhe popullit që jetoi në të, si ndër më të civilizuarit e kohës por edhe rolin e tyre në historinë e civilizimit evropian.

Ju, Prof. Dr-a “vriteni” Dardaninë, “vriteni” aspiratën shqiptare dardane, për inat të Ibrahim Rugovës!

Si rrallë kund dhe më tepër se çdokush më botë, ne shqiptarët jemi vetë-mohuesit më të mëdhenj të historisë sonë kombëtare, politike e gjeografike, madje edhe asaj më të resë. Na pengon Dardania, sepse kishte shumë territor e popullësi, ishte Mbretëri me Kosovën në qendër, me Shkupin e Nishin si kryeqendra. Ama na pengon sepse disa fise që jetojnë tani në Kosovë, nuk paskan qenë pjesë e Dardanisë, mos po mbetemi keq tani! Ҫ’farë tmerri, ç’farë absurdi, ç’farë hataje!. E thonë këtë Prof.Dr-at e pretendentët për Dr-a të cilëve në vendet normale do t’iu merrrej doktoratura dhe pak më tepër. Te ne me gjasë kështu e fitojnë doktoraturën!. Për inat të Ibrahim Rugovës?! Sikur të jetë vetëm kjo.

fakt, Serbia nuk ka pse lodhet më duke mohuar deri në zhbërje qenien tonë kombëtare e historike, që prej kur ka zënë fill bota e deri më sot, shtetin e territorin e Kosovës e lëre më Dardaninë.. Janë vetë-mohuesit, Prof.Dr-at shqiptarë që i mohojnë, i cënojnë, i zvogëlojnë deri aty sa e kapë mendja e shpirti i tyre.

Mjegullnajat dhe rojat e tyre herë fshehen herë dalin në sipërfaqe por Kosova-Dardania, jeton e do të jetojë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat