Protesta për ujin

Opinione

Protesta për ujin

Nga: Jak Simoni Më: 13 prill 2021 Në ora: 19:12
Jak Simoni

Ndonëse në vendin tonë  në prag të zgjedhjeve “punohet” dhe protestohet më shumë se herët tjera, çështja e banorëve te Thirrës duhet të  jetë e të gjithë shqiptarëve kudo që janë. Më qëllim që të bëhet efekt tek votat, vazhdimisht “punohet” më shumë në prag zgjedhjesh, por dhe protestohet më shumë.

Ndonëse protestat, siç e pamë në institucionin e një rëndësie tejet të veçantë të kontrollorëve, ku, të paktën aty, politika do të kishte hezituar me ndërhyrjet e saj të hershme e të vona,  shfrytëzohen politikisht, këta banorë duhet të gjejnë përkrahje, sepse protestojnë për ujin; d.m.th për vijimësinë e  jetës në këtë fshat të banuar prej shekujsh.

 Nuk di se çfarë studimi apo kontrate është bërë për rastin në fjalë, por banorët pretendojnë se janë manipuluar e firmat e tyre janë falsifikuar.  Por problemi nuk është vetëm i  atij fshati, por i sa  e sa fshatrave të tjerë të kësaj krahinë  dhe të gjithë Shqipërisë. Zhvillimi ka gjithmonë koston  e tij për ambientin, por niveli i shfrytëzimit të këtyre pasurive është tepër i lartë. Ndërsa për 46 vjet u masakruan  shqiptarët në emër të pushtetit të përjetshëm, për 30 vjet u masakrua Shqipëria në emër të progresit e zhvillimit.

 Biznesmenë dhe pseudo biznesmenë të huaj dhe shqiptar  kanë gjetur parajsën në Shqipëri; pa shtet, pa sindikata, vend ku ambientalizmi është koncept i  panjohur. Mund të njihet aq sa njihej filozofia para viteve 90, ndoshta dhe pas, ku identifikohej vetëm me një sociolog ose ekonomist si Marksi. Shfrytëzim pa kurrfarë kriteri deri në masakër; pyjet, plazhet, lumenjtë, fushat, kodrat dhe tani malet.

Ndonëse  zhvillimi kudo është kthyer në qëllim, ne ketë rast shqiptarët  duhet të “arsyetojnë” të paktën si hardhuca. Hardhuca këput vetë bishtin e saj në rast rrezik, por nuk këput trupin e saj. Jo gjithçka për të evituar rrezikun e mungesës së energjisë, se ka dhe sektorë tjerë të rëndësishëm si p. sh. agroturizmi.  Konkretisht kërkohen të ndërtohen HEC-e për prodhim energjie për tu përdorur, por dhe për tu shpërdoruar, për zbukurime, ndriçime, për dekore festash, ndonjëherë deri në rrezik për ndonjë fëmije (vetëm para ca kohësh ka ndodhur në një park të dekoruar për festa).

Sa më shumë koncesione, sa më shumë HEC-e, sa më shumë prodhim, kështu ndoshta mbulohen dhe  vjedhjet e energjisë. Jo gjithçka mund  të bëhet në emër të një zhvillimi e progresi ekonomik që gjithnjë e më shumë po trego verbërinë e  tij. Ndërkohë pse  përfshirja e shqiptarëve të Kosovës  në favor të protestës po konsiderohet nga ndonjë media ndërhyrje në punët e brendshme?  A ishin ata që u gjenden pranë nesh për tërmetin, ku dhuruan gjak dhe ndihma në të gjitha mënyrat. Shqiptarët e Kosovës le të përfshihen madje fuqishëm në çështjet jetike për shqiptarët  dhe anasjelltas shqiptarët e Shqipërisë në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat