Pabarazia dhe diskriminimi si burime të konflikteve

Opinione

Pabarazia dhe diskriminimi si burime të konflikteve

Nga: Nijazi Halili Më: 14 prill 2021 Në ora: 10:35
Nijazi Halili

Varfëria, së bashku me faktorët e sigurisë së njerëzve dhe sigurisë ekonomike, luajnë një rol të rëndësishëm në agjendat zhvillimore.

Ekziston një supozim i përhapur botërisht se varfëria është një burim i dhunës, edhe përkundër faktit se nuk kemi një marrëdhënie të drejtpërdrejt të shkaktarëve në mes të këtyre dyjave. Edhe pse sot pjesa më e madhe e konflikteve zhvillohen në vendet e varfra, ato nuk është e thënë që patjetër të ndodhin vetëm në vendet më të varfra, e as që janë të angazhuara të gjitha vendet e varfra në konflikte. Hulumtimet kanë treguar se  varfëria e posaçërisht pabarazitë e skajshme në mes të të pasurve dhe të varfërve shëndrrohet në burim të konflikteve atëherë kur ato janë të lidhura me shtypjen e vërtetë dhe të pandërprerë të grupeve të caktuara (si grupet shoqërore, fetare, etnike etj).

Shteti mund të jetë instrument i diskriminimit dhe i pasurimit privat në duart e një elite të pushtetshme dhe në duart e përkrahësve të saj, ose mund të ndërmjetësojë në mes të grupeve të ndryshme të interesit përmes proceseve gjithëpërfshirëse politike dhe përmes rishpërndarjes së resurseve. Faktorët e jashtëm siç çmimet nga tregjet botërore, borgjet dhe kushtëzimet për të marrë ndihma ndikojnë në aftësinë e shtetit për ta përmbushur këtë rol në të njëjtën masë sikurse edhe dinamikat e brendshme politike. Shoqëria civile mund ta plotësojë, por nuk duhet ta tejkalojë dhe ta dobësoj edhe më tej shtetin dhe funksionimin e tij si një ndërmjetësues.

Adresimi i shkaktarëve rrënjësor të pabarazisë dhe diskriminimit në të dyja nivelet, atë horizontal (përgjatë grupeve shoqërore, fetare dhe etnike) dhe atë vertikal (në nivelin më të poshtëm, në shoqërinë civile dhe në qeveri) është i rëndësisë jetike për të siguruar si qëllimet zhvillimore ashtu edhe ndjeshmërinë e konflikteve.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat