Flamur Hoxha, deputeti që e bën politikën të moralshme

Opinione

Flamur Hoxha, deputeti që e bën politikën të moralshme

Nga: Rexhep Shahu Më: 21 prill 2021 Në ora: 15:05
Rexhep Shahu dhe Flamur Hoxha

Flamur Hoxhën, sipërmarrësin humanist që do të bëhet deputet i Kukësit me 25 prill tashmë e njohin shumë njerëz. E njohin për vlerat e larta morale, humane, njerzore.

U bënë muaj që ai takon përditë e përditë njerëz në Kukës e zona të tjera, siç pati krijuar lidhje e mijëra kontakte në rajonin e Kamzës, Paskuqanit, Lezhës, Mirditës, Laçit, Vorës e më gjërë.

I gjendshëm me këdo, i papërtueshëm, i qeshur, të sheh në sy, të dëgjon me vemendje, nuk të merr nëpërkëmbë, ka durim, ka gjithmonë kohë për tjetrin edhe pse duhet cënuar vetja, por ai ka kohë ta dëgjojë tjetrin, ka vemendje, nuk e harron hallin e tjetrit, nuk pret ta lusësh, nuk pranon lutje, nuk mban kënd zvarrë, nuk lyp vemendje.

Është nga ata njerëz që çohet e ia lëshon vendin tjetrit, mikut.

Kur vjen ndokush në tavolinë, në zyrë, ai çohet në këmbë, e mikpret tjetrin si mbret.

Mos luaj, i them.

Sorra për sorrë lëviz, thotë ai, e nuk po lëvizka njeriu për njeriun.

Flamur Hoxha sot në Shqipëri ka luksin e privilegjin si rrallë kush tjetër që e njeh dhe nderon komuniteti i shkrimtarëve shqiptarë pasi ai është cilësuar si deputet i letërsisë, nga shkrimtari ynë i njohur Zija Çela, që i del zot letërsisë, që ka sponsorizuar për të botuar veprat e shkrimtarëve të varur e të pushkatuar nga regjimi komunist si Havzi Nela, Vilson Blloshmi e Genc Leka dhe shumë vepra të tjera të rralla të albanologjisë dhe etnologjisë.

Poeti Petrit Ruka që është artikuluesi ekselent i formulës së mirënjohjes njerzore, për këtë kontribut të Flamur Hoxhës për botimet e librave të ndryshëm dhe të revistës illz, revistë letrare e Tiranës, e ka quajtur atë si A L të kohës tonë,

Por unë sot nuk e kam qëllimin të tregoj për kontributet e pakrahasueshme me askënd të Flamur Hoxhës në mbështetje të letërsisë e botimeve të librave të rrallë të albanologjisë apo mbështetjen e pelegrinazheve të shkrimatrëve shqiptarë që bën ai. Jo, nuk është ky qëllimi.

Flamur Hoxha është model sipërmarrësi humanist, është njeriu që e ka bërë praktikë në jetën e tij, që jep me dorën e djathtë dhe nuk i tregon as dorës së tij të majtë e jo më t’u tregojë kamerave televizive apo mikrofonave, apo njerzve në mitingje, mbledhje e tubime. Vetem ai që ndihmohet prej Flamurit e din dhe Zoti, askush tjetër, pasi Flamuri nuk mburret për këtë, nuk krenohet, nuk e poshtron tjetrin duke e nxjerrë në publik se si e çfarë ndihmë i dha. Dhjetra herë më ka thënë se më fyen, kur unë artikuloj në publik falenderim për të për sponsorizimet e revistës illz apo librave të ndryshëm.

Kjo është një nga meritat më fisnike të Flamur Hoxhës njeri.

Flamur Hoxha, siç e kam shprehur, nuk ka armiq, ai nuk e mban mendjen tek armiqtë, tek ata që i kanë shkaktuar tragjedi e drama të rënda familjes së tij e atij kur ishte i mitur dhe e detyruan të rritej në internim. Flamuri përpiqet të gjejë të mirën edhe në të keq. Më ka impresionuar kur ai kujton me nderim e nuk i harron dot gjërat e mira e njerzit e mirë që ka njohur ai e familja e tij në internim fshatrave të thella të Durrësit në Shetel, në Kep të Rodonit etj, dhe nuk ka dëshirë të kujtojë gjërat e kqia e të hidhura.

Ai nuk ka kohë të urrejë askënd e të mbajë mendjen tek hakmarrja e urrejtja. Kur ia kujtoj, skuqet dhe më thotë, është e shkuar, unë nuk do të jetoj në të shkuarën e me të shkuarën, kemi të ardhme për të jetuar.

Si aristokrat i vertetë është me familjen e tij, me tre fëmijët e tij yje.

Ai nuk fyen kurrë, nuk përgojon kurrë, nuk hyn kurrë në jetën e tjetrit, në familjen e tjetrit siç rëndom jemi mësuar që politikanë të ndryshëm hyjnë edhe në familjet e në krevatet e njeri - tjetrit duke na e bërë politikën për ta vjellë.

Jo! Flamur Hoxha do ta fisnikërojë politikën, do t’i japë aromë njerzore fisnikërie e dinjiteti. Do të na vertetojë se politika ka moral me njerëz të moralshëm.

Falë punës e djersës së tij, falë dijeve natyrisht, ai është sot një nga kalorësit e sipërmarrjes shqiptare, pavarësisht se nuk paguan reklama që të na neveritet ekraneve televizive, dhe ka luksin për të mos ia shtrirë kurrë dorën askujt për asgjë sepse ka gjithçka, ka biznes të sukseshëm ndërkombëtar veç atij kombëtar për prodhim veshjesh. Do të thotë se është i pashitshëm dhe pa interesa që të lobojë e diktojë hartim ligjesh korruptivë në favor të vetes siç ka ndodhë dekadën e fundit në Shqipëri.

Për Flamur Hoxhën Po-ja është Po.

Ai di ta dëgjojë tjetrin, di të dëgjojë njerzit, ka durim të dëgjojë. Të sheh në sy, përqëndrohet komplet me tjetrin, i kushtohet tjetrit në bisedë. E jeton hallin e tjetrit, e vuan, është i sinqertë, nuk shtiret, nuk gënjen.

Flamuri është njeri që e njeh veten, ia njeh vetes vlerën e lartë morale që ka dhe të njejtat vlera e kode vlerëson tek tjetri.

Moral i lartë është të jesh vetja dhe ai është vetja, është vetja që nuk i trembet vetes së tij, që nuk i ikën vetes së tij, që ka parimet e tij të larta morale dhe që i mbron ato me dinjnitet.

Dhe unë e shumë si unë gëzojmë që ka njerëz të tillë që do të ndikojnë që jeta jonë të drejtohet nga njerëz me moral të lartë, nga njerëz të dinjitetshëm, që parlamenti ku bëhën ligjet e vendit të mos jetë gjiriz korrupsioni e imoraliteti politik e njezor.

Kush e njeh, pajtohet me mua se në parlamentin shqiptar do të hyjë një njeri me vlera të larta morale.

Kjo është ngjarje për mua e për të gjithë, duke kujtuar se çfarë ndodhi me parlamentin shqiptar dekadën e fundit, ku më së paku ishin të deklaruar 19 deputetë me precedentë kriminal dhe shumë të tjerë aksidentë të patolerueshme për shoqërinë tonë.

Miq, ku jeni e ku s’jeni, votoni Flamur Hoxhën. Ai është deputet i parë në listën e kandidatëve të PD në Qarkun e Kukësit. Ai meriton më shumë vota se një deputet sepse është një prurje speciale nga PD, është qytetar në thelb, është mik i njeriut, një fisnik i vertetë.

Si sot pesë vjet më parë, me 20 prill 2016, më vdiq nëna.

Kisha qëndruar dy vjet e gjysmë i mbyllur me nënën në shtëpi se ajo pati Alzajmër e nuk më njihte, më thoshte përditë, ma gjej shpejt Rexhepin…

Nëna vdiq por unë nuk kisha lekë për mortën. Isha pa punë se në 2013 më largoi nga puna qeveria Rama, fëmijët ishin në shkollë dhe jetonim me një rrogë.

Sa vumë në udhë ca gjëra pas vdekjes së nënës dhe do të flisja me vëllezërit që të bënim hall për shpenzimet, më telefonon Flamur Hoxha. Pasi më ngushëlloi, më tha shkurt, ma ço djalin të vijë të më takojë…

Djali shkoi menjëherë dhe ai i kishte dhënë lekë për shpenzimet e varrimit të nënës time, për arkivol, për autobuz nga Tirana në Kukës, në Bardhoc etj, etj. Unë dhe fëmijët e mi nuk mund ta harrojmë kurrë këtë mirësi…

Po shkruaja këto radhë për Flamur Hoxhën e nuk e shmanga dot këtë histori përsonale.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat