Tendenca e faktorizimit të dhunshëm të PDK

Opinione

Tendenca e faktorizimit të dhunshëm të PDK

Idriz Zeqiraj Nga Idriz Zeqiraj Më 21 prill 2021 Në ora: 22:14
Enver Hoxhaj, Vjosa Osmani dhe Donika Gervalla

Ndodhë, rendomë, kur problemet e brendshme të një partie, janë në prag të shpërthimit, kërkohet shkak për t`u angazhuar në diçka tjetër, me qëllim të zhvendosjes së vëmendjes të anëtarësisë, e cila, realisht, kërkon reforma partiake.

Shtrëngata Vjosa-Donika, në denoncimin e paligjshmërisë drejtuese pushtetare, frymëzoi brezin e ri të kërkojë reforma. LDK-ja ishte e para që "hoqi qafe", një klan të stazhionuar, i cili, mjerisht, veproi, shpengueshëm dhe rrënueshëm, për 17 vjet radhazi! Ky klan realizoi dy ndarje të LDK-së. Misioni i tij ishte rehabilitimi, amnistimi i krerëve të partive-banda, nëpërmjet koalicioneve me PDK, përkatësisht, PAN!

Kjo shtrëngatë, furtunë preku edhe PDK-në. Kuadro të rinj, duke parë se garda e vjetër, pa Hashimin e Kadriun, kërkon reforma, me bindjen se kriminelët, nuk mund ta luftojnë krimin; korruptivët nuk mund ta luftojnë hajninë zyrtare. Rrjedhimisht, kjo pengon realizimin e vizave, për qytetarët e Kosovës, por, edhe anëtarësimin në disa organizata botërore. Ndërkohë që këtë fakt e kanë relativizuar, deri në mohim, të gjithë pushtetarët dhe shtetarët, kinse, për ta bindur Evopën dhe botën se "ne kemi kryer detyrat tona", "topi është në duart tuaja!"  

Refreni i shtetarëve dhe pushtetarëve se "Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet, për liberalizimin e vizave", ishte dhe vazhdon të jetë një gënjeshtër korale dhe e pacipshme. Të vetmet, që e denoncuan këtë gënjeshtër kolektive e marroqe, ishin autoret e shtrëngatës politike, Vjosë Osmani dhe Donikë Gërvalla. 

E para shfrytëzoti mediumin prestigjioz, "Hardtalk" të BBC, duke shprehur shqetësimin e popullit të vet, se "Kosova është e zhytur në krim dhe korrupsion". 

E dyta, duke shfrytëzuar mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për ta akuzuar Serbinë, për krimet makabre, të bëra në Kosovë, dje, kurse sot, me ndihmën  e Rusisë dhe heshtjen e Evropës, e mban peng Kosovën, e cila edhe pas 20 vitesh, "nuk është liruar nga krimi i organizuar dhe korrupsioni", ngulfatës të një shoqërie, të një shteti, siç është Kosova!

Edhe denoncimet bazike të Vjosë Osmanit, në cilësinë e presidentës, edhe denoncimet faktike të Donikë Gërvallës, në cilësinëe ministrës së Jashtme, PDK-ja, me ndonjë simotër të saj, që kanë "mizën pas veshit", i përdorin për t`i pëligjur protestat e paralajmëruara, kundër qeverisë-Kurti.

Ky ngujim i popullit, edhe për fajin e shtetarëve dhe të pushtetarëve kriminelë e hajna zyrtarë, natyrshëm, ngjallë pakënaqësi dhe ndikon në rrjedhjen e elektoratit, në tkurrjen e anëtarësisë. Këtë e dinë edhe uzurpuesit, privatizuesit e partisë. Por, atyre u intereson rahatia, interesi personal, bizneset e pista, privilegjet dhe aspak partia, Kosova. 

Sulmin e parë, të rinisë reformatore, me protagonstë Lirak Çelaj, me simbolikë babain Zenun Çelaj, lexues i Deklatatës të Forumit Demokratik 1990 dhe të Xhavahire Izmaku, me rinorët tjerë, butakët partiakë të PDK-së, të prirë nga diplomati dhe politikani i dështuar, Enver Hoxhaj, e përballuan, duke votuar me aklamacionin fiktiv e mujëshar, për ta vazhduar avazin e vjetër klanor! Dhe, kështu vazhdojnë komod, qoftë edhe përkohësisht, se janë individë dhe jo Këshilli Drejtues, që kërkon zgjedhjen e Kryesisë së re!

Shkurt e trup, u frikësuan nga humbja, andaj, nuk pranuan normen, kodin demokratik - votimin e fshehtë! Reformatorët, ndoshta, do të detyrohen të kërkojnë spastrimin e partisë, PDK-së, nga garda e vjetër kriminale e korruptive. Faktet e reja dëshmojnë se krimi i organizuar, i listuar, ka filluar përgjatë luftës dhe ka vazhduar edhe pas luftës. Nuk janë të vrarët e vetëm veprimtarët e LDK-së, por edhe ushtarakët luftë-bërës të FARK-ut të Ibrahim Rugovës. Dëshmitarë, ish-luftëtarë, nga radhët e PAN-it, të SHIK-ut, po kërkojnë hetimin edhe për vrasjen e disa komandantëve nga radhët e LPK-së, përkatësisht, të PAN-it të sotëm. Dhe, ata ishin dhe janë emra të përveçëm.

Ndodhi një zhurmim i kotë, lidhur me vaksinat dhe rezultoi me atë shprehjen "u mbars mali, polli një mi!" Ashtu siç ishte parashikuar, u deshtë një vit të pritej, për zbulimin e e vaksinës anti-COVID -19. Prodhimet e para,  fillestare, gjithëherë, kanë një çmim më të lartë. Fshehtësia e çmimeve, është normale dhe kjo bëhet me qëllim të përfitimit sa më të madh.

Edhe blerësi hulumton tregun, bisedon veçmas, për çmimet, madje me disa firma prodhuese- njëherësh. Andaj, nuk kishte arsye të paraqitet si konspiracion të dyshimtë, vonesa e nënshkrimit, pa i "bluar" mirë të dhënat faktike. Njeriu, ndonjëherë, mund t`ia shohë edhe gjyshës, nga brekët e gjëra dhe pozicioni i shkujdesur i uljes, ndejës. Por, nuk i tregon dynjasë se çfarë ka parë ke gjyshja! Aq më pak kur kemi të bëjmë me një interes publik!

Ndërkohë, portalet e zëshme i kanë heshtur pazaret e pista, të shtetarëve tanë, të prirë nga Hashim Thaçi me shokë, që kundërmojnë tradhti. Psehin e këtyre heshtjeve, e dinë ata. Veçse këtu mund të shtrohet pyetja: "Me çfarë kuti mat Dauti?!" Ky "skandal" i sajuar, joshi bandën-PDK-e, për të kërcënuar pozitën me protesta, për paaftësi drejtuese, deri në kërkimin e dorëheqjes, shkarkimit, ende pa e mbushur muajin e qeverisjes të koalicionit LVV-Lista "GUXO!"

PDK-ja, duke qenë nën akuzën e krimit vrastar, të hajnisë zyrtare, kapëse e shtetit, prej dy dekadash, është e atrofizuar, e ngulfatur, është pykuar, në propagandën e demoduar, të zgjyrosur, për t`u faktorizuar dhunshëm, forcërisht, me qllim të pengimit të realizimit të programit më shpresë-dhënës, që ka njohur Kosova e pasçlirimit. 

Është koha që si kundër përgjigje, LVV, partnerja "GUXO", LDK-ja dhe reformistët, brenda PDK-së, të pa implikuar në krime, të kërkojnë përgjegjësi faktike nga elementet kriminalë brenda PAN-it. Kryetari deshtak, Enver Hoxhaj, që, tashmë, duke u vënë në mbrojtje të krimit dhe të kriminelëve, identifikohet si eksponent i krimit. Sepse, në qetësinë më normale, kërkon trazira, protesta, që nuk mund të justifikohen, ngaqë nuk kanë asnjë motiv real, për t`u bërë. Andaj, dështimi i protestimit është i parathënë.

Ashtu siç vajtojnë, Vuçiqi dhe Rama, mungesën e Hashimit, njëjtë do ta vajtojë edhe Enver Hoxhaj, me bandën e tij, mungesën e LDK-së të Isës, me klanin tij, për të qenë pjesë e protestave, me "gjeneralë të vdekur"! LDK-ja aktuale, me kryetar Lumir Abdixhikun, bëri distancimin e duhur, duke refuzuar çfarëdo pjesëmarrje në protesta të pamotivuara dhe, aq më pak, bashkangjitjes të partisë-bandë, PDK-së.

LDK-ja, me krijimin e Departamenteve ndihmëse, për qeverinë aktuale Kurti, është shenjë pjekurie politike e kombëtare dhe nuk ka të bëjë fare me atë "qeverinë hije", dikur, të PDK-së. Bënë përshtypje ekipi i përzgjedhur për ekonominë, si Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Besjan Mustafa, të dëshmuar në lëminë e tyre. 

Ndërkohë, ky është sinjal i një ndarje të qartë me krimin. LDK-ja, me nismën reformuese të saj, si në epokën e Rugovës, do të bëhet garanci dhe barometër i suksesit. Ajo do të dijë të partnerizojë me forcën progresiste, me rininë, me dhe për të ardhmen e Kosovës tonë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat