22 prilli, Dita Ndëkombëtare e Tokës

Opinione

22 prilli, Dita Ndëkombëtare e Tokës

Nga: Hisen Berisha Më: 22 prill 2021 Në ora: 20:24
Hisen Berisha

Sot në këtë ditë të shënuar, nuk dëgjuam as lexuam një studim nga pedologët apo thjeshtë një qasje si shkencë e Pedologjisë, por as edhe një deklarim publik të Politikës si shkencë gjenerale për studimin, udhëheqjen, drejtimin, organizimin, e të gjitha aseteve që e përbëjnë pasurinë tonë kombëtare ku hyn edhe Toka/Dheu.

Tokën e Kosovës, deri në vitin 1999, e kishim të okupuar dhe meqë okupuesi kishte arritur ta ndalte jetën në Kosovë, duke e dëmtuar çdo sektor zhvillimor përfshi me theks bujqësinë si sektor primar i Kosovës socialiste, vetëm pas luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u arrit që kjo tokë në një sipërfaqe të përgjithshme prej10 mijë e 887 kilometra katror, të jetë e lirë dhe të mund ta administrojnë ata që edhe u takon si e drejtë historike, politike dhe faktike.

Por çka kemi pas okupimit?! Toka e Kosovës sot, është në një gjendje edhe më të mjerueshme, sikur kur ishte nen okupim klasik nga armiqtë historik të saj.

Nga një fond i tokës bujqësore që kur punohej në tërësi, mund të sigurohej buka deri në 40%, sot pas kaq vitesh në liri, edhe po të punohet i tërë i fondi i tokës bujqësore  të mbetur pa iu ndryshuar destinacioni, si Kosovë nuk arrijmë të sigurojmë as 20% të bukës.

Kjo ndodhë ngase tokat e mira të cilat shërbejnë prodhimtarisë bujqësore gjithnjë e më shumë po mbulohen me vendbanime, rrugë, objekte ekonomike e shërbyese. 

Kjo ndodhë edhe për shkak të lëvizjes së madhe të popullsisë nga zonat rurale në ato urbane, duke krijuar jo pak zona urbane në toka të bukës, si edhe për shkak të mungesës së planit hapësinor ose moszbatimit të tij. 

Në territorin e Kosovës deri në 600 m lartësi mbidetare gjenden 37% e sipërfaqes, ndërsa deri në 700 m 53% e sajë. Prandaj humbja i faturohet jo vetëm ndryshimit të destinacionit të tokës, që në vitet 1999 – 2009 ka shkuar deri edhe në 2000 ha, ndërsa për shkak të konfiguracionit relievor rreth 1000 ha sipërfaqe bujqësore humbin përgjithmonë nga erozioni.

Prej këtij fondi tokësor 577 mijë hektar janë tokë bujqësore, 464 mijë e 800 hektar janë tokë pyjore dhe 46 mijë e 900 hektar sipërfaqe tjera. 

Prej këtyre 88 për qind e tokës janë në pronësi private dhe 12 për qind e tokës janë pronë shtetërore, kurse toke bujqësore  e privatizuar janë mbi 25 mijë hektar.

Nga të dhënat statistikore rezulton se afër 200 mijë familje që përbëjnë më shumë se 1 milion banor jetojnë dhe kanë ndërtuar shtëpi të reja në tokat bujqësore, të gjitha këto janë të ndërtuara pas vitit 1999.

Po ta përpjesëtojmë këtë në rreth 30 komuna i bie mesatarisht diku rreth 7 mijë shtëpi të reja janë ndërtuara në tokat bujqësore në çdo komunë. Kjo tregon se humbja e tokës se bukës gjatë një viti arrin prej 1 deri 2 mijë hektarë në vit.

Procesi i shkatërrimit dhe dëmtimit të tokës bujqësore në Kosovë paraqet një  problem serioz për sigurimin e ushqimit në të ardhmen. Nëse e llogarisim sasinë e torkës për kokë banori për të mbijetuar sipas standardeve ndërkombëtare, atëherë Kosova  është në situatë alarmante me vetëm 0.15 ha, për kokë banori. Nga kjo dua të citoj një fjalë që e dëgjova nga presidenti i lavdishëm Ibrahim Rugova që thoshte se “një popull/vend që nuk e prodhon bukën vetë nuk mund të jetë i pavarur”.

Dhjetëvjeçari i parë pas lirisë 1999/2009, sipas statistikave tregon se kemi humbur apo është ndryshuar destinacioni i pothuaj se 20 mijë ha tokë e bukës, kurse pas kësaj periudhe ka shenja të shfrytëzimit të tokës edhe për arsye bujqësore, ka një rënie vit pas viti ne dhjetëvjeçarin e dytë pas lufte, ku llogaritet të humbet  400 deri në 500 hektar tokë bujqësore.  

Ajo që është pritur që të diskutohet e proklamohet sot  në ditën ndërkombëtare të tokës ka qenë dashtë të jetë trajtimi i fenomeneve që e shkaktojnë humbjen e sipërfaqes së tokës së bukës, si: nga ndërrimi i destinimit; copëtimi i tokës bujqësore në ngastra më të vogla; ndotja industriale, degradimi, erozioni, shkatërrimi i sipërfaqeve përreth dhe vet gërryerjet e shtatëve të lumenjve, deponitë e mbeturinave; mosshfrytëzimi i qëndrueshëm i tokës bujqësore, që bazuar në praktikën e vendeve fqinje, nëse toka nuk punohet për periudhë të caktuar, lehet djerrinë apo i ndryshohet destinacioni, atëherë e njëjta i konfiskohet pronarit të përkohshëm 90 vjeçar dhe ti kalohet atyre që e punojnë. Këtu nuk përjashtohet edhe investimi i arsyetueshëm zhvillimorë siç janë ndërtimi i autostradave si ajo “Ibrahim Rugova”, “Arbër Xhavferi”, e “Dukagjinit”, etj. që kalojnë një pjesë të madhe nëpër tokë bujqësore që do ndikoj në zvogëlimin e saj.

Ajo çfarë kam pritur po ashtu sot do të ishte debate mediale por edhe parlamentare e qeveritare për masat që duhen ndërmarrë për shpëtimin e sipërfaqeve të mbetura, duke i mbrojtur me ligje si dhe duke i trajtuar si vepra penale shkeljet e këtyre kufizimeve.

Çdo ndërtim në tokat bujqësore në mënyrë të pa planifikuar është  shkelje ligjit dhe dështim i mekanizmave shtetërorë për parandalimin e këtij fenomeni duke implementuar standardet e planifikimit hapësinorë, përmes zinxhirit të ndërveprues inspektor ndërtimi, inspektor i bujqësisë dhe gjykata. Por edhe duke e krijuar kulturën e ruajtjes dhe vlerësimit ë tokës së bukës, dhe tokës në përgjithësi në tërë kulturat e sajë sepse janë vlerë për të cilën janë sakrifikuar jetët ë bijve dhe bijave të këtij vendi që ti kemi të lira dhe në sundimin tonë, njëjtë siç po provohet një dukuri e mirësi kjo e pastrimit të ambienteve që i ndotim vet çdo ditë, apo duke mbjellë fidanë të reja për të cilat askush nuk provon më tutje ti marr në kujdesie dhe mbrojtje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat