Manipulim, intrigë dhe cinizëm - kjo është e vërteta e Edi Ramës

Opinione

Manipulim, intrigë dhe cinizëm - kjo është e vërteta e Edi Ramës

Prof. Dr. Asoc. Enver Bytyçi Nga Prof. Dr. Asoc. Enver Bytyçi Më 27 prill 2021 Në ora: 12:10
Edi Rama

Dikush shkroi para pak ditësh e tha se "Edi Rama është i vërtetë"! Sipas logjikës në fjalë, nëse njeriu manipulon, vjedh, intrigon, gënjen, mashtron, bullizon e fyen, bërtet e çirret, shpërfytyrohet e dreqoset, atëherë duhet respektuar, sepse na qenka "i vërtetë". Madje duhet adhuruar!

Edhe djalli është i vërtetë! Por mbetet djall. Gjithashtu ai adhurohet nga djajtë e tjerë. Por të gjithë ata mbeten djaj. Edhe gënjeshtari është i vërtetë. Por është i pamoral. Gjithashtu mashtruesi është i vërtetë. Ndërkohë që mashtron idealistët e të ndershmit!

Të vërtetat nuk duhen respektuar thjesht se ato janë të tilla. E vërteta në rastin e politikanëve respektohet nëse shkon në harmoni me interesin e kombit, me moralin e tij, me kodin etik të tij. Ai që gjykon të vërtetën e Edi Ramës dhe i glorifikon atë, nuk di ose nuk dëshiron të dijë se në civilizim ka një kod etik me të cilin matet sjellja morale. Në shoqëritë e tribuve nderohen kultet e llojit Rama. Por jo në shoqëritë e civilizuara.

Po. Edi Rama është i vërtetë për shumë arsye:

I vërtetë në bashkëpunimin e tij me Serbinë kundër Kosovës e për përçarjen e Kosovës. I vërtetë është në marrëdhëniet e tij me mafien, kriminelët e bandat. I vërtetë është me blerësit e votave dhe manipuluesit e pafund, që në Shqipëri i gjen me okë. Me oligarkët, me perversët, me ata që nuk e duan Shqipërinë, Kosovën dhe familjen e atdheut. I vërtetë është kur nxit dhe ushqen emigracionin dhe kërkon të sjellë në Shqipëri indianë, pakistanezë e bangladeshas!

A nuk i shpërnguli Milosheviçi shqiptarët nga Kosova?! Edhe ai ishte i vërtetë! Adhurojeni Milosheviçin, pasi në raport me të keqen dhe ai ishte i vërtetë, njësoj si Edi Rama!

Edi Rama ia dha partisë së tij të gjitha të dhënat personale të gati një milion shqiptarëve. Ndoshta 3.5 milionë shqiptarëve. Dhe u mburr me këtë akt. E shpalli veten kryepatronazhist, kryespiun. Është i vërtetë në këtë paraqitje të tij. Megjithatë mua nuk më lejohet të them se kjo e vërtetë e Edi Ramës e bën atë të merituar në shoqërinë tonë. Aq më pak më takon të shaj e të fyej kundërshtarët e tij politikë, të cilët së paku në këtë fushatë elektorale për zgjedhjet e 25 prillit ishin modeli i civilizimit.

Edi Ramën, të vërtetë ose jo, e dëshiron në pushtet Aleksandër Vuçiç. Madje edhe lobi serb e grek në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. E duan gjithashtu ata shqiptarë që e adhurojnë për "vërtetësinë e tij"! Ta mbajnë e ta glorifikojnë sa të munden! T'ia lartësojnë edhe bustet sa të Budës! Por ama duhet ditur se ai është I lartësuar më shumë në Beograd sesa në Prishtinë!

Është e vërtetë që Edi Rama e ndryshoi Kushtetutën brenda një dite korrikun e vitit të kaluar, për ta hedhur në kosh marrëveshjen me opozitën të datës 5 qershor! Dhe meqë është i vërtetë, ai duhet justifikuar që e ndryshoi Kushtetutën njëanshëm, për herë të parë në historinë e pluralizmit pa opozitën. Ndryshoi kodin zgjedhor dhe kushtet e partive politike në zgjedhje, me qëllim që të favorizonte veten e tij. Edhe kjo është e vërtetë!

Edi Rama mobilizoi bandat në fushatë elektorale, si çdo herë tjetër për t'i trembur shqiptarët. Ai e shtoi me 70 mijë veta administratën publike vetëm në vitin e fundit të qeverisjes së tij, me qëllim që t'i ketë si kamikazë në zgjedhjet e 25 prillit. Të gjitha këto janë të vërteta. Siç është i vërtetë Eskobari, edhe Edi Rama është i vërtetë me kanabizimin e Shqipërisë. Dhe njerëz të letrave i adhurojnë të vërteta të tilla të modelit të Eskobarit!

Edi Rama është i zoti, thonë shkollarët servilë të tij! Madje pyesin "Çka ka ba Lulzim Basha?" në vend të pyesin "Çka ka ba Edi Rama"! Sepse Lulzim Basha së paku ka kontributin më të madh nga çdo kush tjetër për liberalizimin e vizave me Evropën? Të më thonë ata që pyesin se çfarë arritje të kësaj përmase ka Edi Rama?! Po, ka një arritje. Izolimin e Kosovës dhe krijimin e Minishengenit serb!

Ka dhe disa arritje tjera: Shkakton incidente dhune ngado që shkon! Mbjell pasiguri e vjedh vota, që pastaj të vjedh buxhetin e shtetit. Pati edhe një "sukses" të jashtëzakonshëm gjatë numërimit të votave këto dy ditë: - I porositi banditët e tij që me laps në dorë të bëjnë të pavlefshme fletët e votimit ku është votuar për opozitën. Jo pak por aq fletë votimi sa prodhonin së paku tetë deputetë! Ky është Edi Rama i zoti dhe i vërtetë!

Ndërsa sot ai do të mbledhë simpatizantët e tij në shesh të festojë fitoren! Cinizëm i gjallë! Një "fitore" të vjedhur! Ai është edhe dhunues edhe "triumfues"! Rrofshin bandat e rilindjes dhe banditët e shkolluar që i bëjnë avokatinë Edi Ramës!

Adhurojeni, por mos ëndërroni e mos mendoni për komb, shtet, liri dhe demokraci! Mos na merrni së paku për budallenj! Se sajesave të tilla të porositura nuk iu beson njeri!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat